Numri i muslimanëve që jetojnë në Rusi ka arritur në 25 milionë, ndërsa nga viti në vit ky numër në mënyrë konstante rritet, tha kryetari i Këshillit të Myftinisë së Rusisë Rawil Gaynetdin në një bisedë për Anadolu Agency (AA). Ai theksoi se numri i muslimanëve në Rusi shënon rritje fillimisht për shkak të shkallës së lartë të natalitetit, si dhe për shkak të ardhjes së muslimanëve nga vendet e Azisë Qendrore.
Ai theksoi se shumica e muslimanëve në këtë vend jetojnë në zonat e rajonit moskovit si dhe në Shën Petersburg dhe Yekaterinburg, duke shtuar se në rajonin e Tataristanit, Bashkortostan dhe Kaukazit Verior po ashtu jetojnë shumë muslimanë. Ai përmendi se muslimanët janë bashkësi autoktone në Rusi, duke shtuar se gjatë historisë mbi 58 bashkësi, popuj dhe grupe etnike kanë praktikuar islamin në këtë vend.
“Islami ka ardhur në Rusi në shekullin e shtatë. Pasuesit e profetit Muhammed erdhën në Rusi 22 vjet pasi u largua nga jeta”, tha Gaynetdin. “Ata erdhën në qytetin që tani njihet si Derbent, ndërsa gjendet në jug të Dagestanit. Ezani i parë në Rusi është mësuar mu në rajonin e Dagestanit”, tha myftiu i Rusisë. Ndryshe shumica e muslimanëve në Rusi janë suni të shkollës juridike hanefite.