Rritet numri i ankesave për mobing, më së shumti në ndërmarrje ku nuk ka sindikatë

Shkup, 15 dhjetor – Numër i rritur i parashtresave për shqetësim në vendin e punës janë evidentuar sivjet. Deri te zyra e avokatit të popullit deri në nëntor janë parashtruar 24 parashtresa, që është rritje trefishe në krahasim me vitin e kaluar, kur ka pasur vetëm tetë parashtresa mbi këtë bazë. Informacionet nga Gjykata Themelore Shkup deri te të cilat erdhi MIA tregojnë se janë evidentuar gjithsej 12 lëndë mbi këtë bazë, prej të cilave janë zgjidhur tri, ndërsa të tjerat janë në rrjedhë.

“Krahasuar me vitin 2018, kur janë evidentuar shtatë lëndë mbi bazën e kërkuar, në vitin 2019 është evidentuar rritje e numrit të lëndëve të bazuara në mobingun”, shprehen për MIA-n nga Gjykata Themelore Qytetare Shkup.

Kjo tregon se punëtorët gjithnjë e më shumë bëhen të vetëdijshëm, e dallojnë dhe e denoncojnë mobingun, por nga ana tjetër palët e prekura në këtë problematikë tregojnë se ka probleme të caktuara gjatë implementimit të Ligjit për mbrojtje nga shqetësimi në vendin e punës. Sipas tyre; zgjidhja e kësaj dukurie negative kërkon qasje serioze nga të gjithë faktorët në shoqëri, ndërsa medoemos duhet punuar edhe në planin e edukimit të punëtorëve për realizimin, avancimin dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre.

“Shqetësimi psikik në vendin e punës paraqet shkelje të të drejtave themelore të njeriut të garantuar me rregullat më të larta në Republikën e Maqedonisë së Veriut që mbështeten në standardet ndërkombëtare. Kjo është dukuri negative në vendin e punës që ka pasoja në shëndetin fizik dhe mental të të punësuarve, e njëherësh ndikon edhe në harmoninë familjare, produktivitetin dhe cilësinë e punës. Shqetësimi psikik në vendin e punës, si dukuri negative e përhapur gjerësisht, kërkon qasje serioze nga të gjitha institucionet në shtet, në mënyrë që të sigurohen kushte dhe supozime juridike dhe shoqërore për uljen dhe parandalimin e tij”, shprehen nga Lidhja e Sindikatave, të cilët ishin edhe iniciatorë të miratimit të Ligjit në vitin 2013.

Deri te shërbimi juridik LSM-ja në gjysmën e parë të këtij viti ka mbërritur vetëm një parashtresë, e cila është zgjidhur me marrëveshje, por ajo që është specifike është se evidentojnë një numër të madh të ankesave të punëtorëve që nuk janë anëtarë të Sindikatës.

“Juristët e LSM-së në selinë në Shkup dhe në përfaqësitë rajonale të sindikatës dhe zyrat sindikale i ndërmarrin të gjitha veprimet dhe procedurat ligjore për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve të anëtarësisë së saj. Është karakteristike ajo se në LSM ka një numër të madh të parashtresave lidhur me shqetësimin në vendin e punës, por prej personave të cilët nuk janë anëtarë të Sindikatës. Këto të dhëna bëjnë të ditur në atë se shqetësimi në vendin e punës në të shumtën e rasteve ndodhë në mjedise ku punëtorët nuk janë të organizuar dhe edukuar në mënyrë sindikale për të drejtat e tyre”, theksojnë nga LSM-ja në përgjigjen që e kërkoi MIA.

Në vitin 2013, kur hyri në fuqi Ligjin për mbrojtje nga shqetësimi në vendin e punës, LSM-ja ka evidentuar tetë parashtresa në bazë të mobingut, ndërsa tashmë vitin e radhës shtatë parashtresa. Në vitin 2015 në LSM ka pasur tre parashtresa, në vitin 2016 një parashtresë, derisa në vitin 2017 dhe 2018 deri te LSM-ja nuk ka mbërritur asnjë parashtresë nga ndonjë anëtar i Sindikatës për mobing.

“Në disa raste janë përpiluar fjalime deri te punëdhënësi dhe personi që është përmendur si ushtrues i shqetësimeve, në tri raste janë përpiluar ankesa, ndërsa në një rast është udhëhequr procedurë gjyqësore, që ka përfunduar negativisht. Te një pjesë e rasteve problemet janë tejkaluar me marrëveshje përmes bisedës dhe këshillimit me pjesëmarrje dhe ndërmjetësim edhe të përfaqësuesve sindikal të LSM-së”, informojnë nga Sindikata.

Zgjidhja pozitive e një kontesti gjyqësor për mobing, nxitje për punëtorët dhe paralajmërim për autorin e mobingut

Aktgjykimi i parë për mobing në Maqedoni është miratuar në vitin 2016. Paditësi ishte person i punësuar në institucion nga sektori publik, i nënshtruar ndaj mobingut të bërë me më shumë veprime dhe nga më shumë persona. Mobingu i është bërë në atë mënyrë që nuk i është dhënë pushim vjetor, është vendosur në izolim, nuk i janë dhënë detyra pune, ndërsa një periudhë të caktuar nuk i është dhënë as qasje elektronike deri te informacionet, e as që, nga ana tjetër, është dërguar në trajnime. Të gjitha këto fakte janë dëshmuar në procedurën që ka rezultuar me aktgjykim të shkallës së parë në favor të paditësit.

Në Gjykatën Themelore Qytetare Shkup është marrë edhe aktgjykimi i parë për mobing kundër një gjykatësi, gjegjësisht kryetarit të gjykatës. Me fjalë të tjera, Gjykata qytetare vendosi se ish-kryetari i Gjykatës Themelore Shkupi 1 – Shkip, Vlladimir Pançevski, ka ushtruar mobing ndaj të punësuarit në resurse njerëzore Goran Stamenkovski.

Ekspertët konsiderojnë se kontesti gjyqësor që është zgjidhur në favor të punëtorit ndaj të cilit është ushtruar mobingu është nxitje e mjaftueshme për punëtorët tjerë të cilët janë viktima të mobingut t’i kërkojnë të drejtat e tyre, e nga ana tjetër, aktgjykimet e zgjidhura në favor të viktimës së mobingut do t’i zmbrapsnin nga veprimet e këtilla personat që ushtrojnë mobing.

Në Evropë dëmshpërblimi më i lartë për mobing – 800 mijë paundë

Dëmshpërblimi më i lartë për mobing që është paguar në Evropë arrin një shumë të pabesueshme prej 800 mijë paundë. Gjegjësisht, Helen Grin nga Britania e Madhe e ka paditur “Dojçe bankën” meqë në vendin e punës katër vite ka përjetuar mobing nga mbikëqyrësi i saj Riçard Eliston si edhe katër kolegeve të saj.

Gjykata e Lartë në Londër ka vendosur se ajo ka pësuar maltretim në vendin e punës, prandaj ndërmarrja në të cilën ka punuar duhet ta dëmshpërblejë për 800.000 paundë. Gjykata ka vendosur se banka nuk ka ndërmarrë asgjë për të parandaluar shqetësimin psikik e të punësuarit, kështu që e tërë barra bie mbi kompaninë bashkë me të gjitha shpenzimet gjyqësore.

Menjëherë pas aktgjykimit, nga banka janë prononcuar se do të respektojnë vendimin gjyqësor dhe do t’ia paguajnë dëmshpërblimin Grinit. Ajo ka vazhduar të punojë në vendin e saj të punës në Sekretariatin për ndarjen e punës, në selinë e “Dojçe bankës” në Londër.

Mobingu shkakton edhe pasoja shëndetësore

Mobingu është dukuri e përhapur gjerësisht, që lë pasoja shëndetësore dhe psikologjike te personi viktimë e mobingut. Fatkeqësisht, njerëzit shpeshherë nuk janë të vetëdijshëm se janë viktima të mobingut dhe u nevojitet shumë kohë për ta kuptuar këtë. Prandaj, sipas sindikatave, është me rëndësi të madhe edhe parandalimi, gjegjësisht edukimi, në mënyrë që punëtorët me kohë t’i dallojnë llojet dhe format e mobingut.

Para viktimës së mobingut janë disa opsione të veprimit. Së pari duhet të drejtohet me shkrim deri te personi për të cilin konsideron se e shqetëson, t’ia bëjë të ditur se sjellja e tij është joadekuate dhe ta paralajmërojë se do të kërkojë mbrojtje ligjore nëse sjellja e tillë nuk pushon menjëherë. Nëse nuk ka rezultat, viktima mund të parashtrojë kërkesë me shkrim për mbrojtje nga shqetësimi në vendin e punës, e nëse edhe kjo nuk jep rezultat, atëherë ekziston mundësia që të drejtat e tij t’i kërkojë përmes procedurës gjyqësore.

Pasojat nga mobingu reflektohen në shëndetin e viktimës, ndaj kështu ajo fillon të ndjejë lodhje kronike, pakënaqësi, tërhiqet në vetvete, ka pagjumësi, bëhet tepër e ndjeshme, e trembur, ndërsa paraqiten edhe hipertensioni dhe sëmundjet kardiovaskulare.

Mobingu mund të jetë horizontal, vertikal dhe strategjik. I pari ndodhë kur një ose një grup i tërë i punëtorëve janë në nivel të njëjtë hierarkik për shkak të mërisë, xhelozisë ose problemeve të brendshme zgjedhin një punëtor të cilit i dëshmojnë se janë të fuqishëm dhe të aftë.

Lloji i dytë i mobingut është kur mbikëqyrësi maltreton një punëtor ose një grup të tërë, ose, nga ana tjetër, kur një grup punëtorësh maltretojnë një mbikëqyrës.

Mobing strategjik është kur mbikëqyrësit në ndërmarrje ushtrojnë mobing në mënyrë të organizuar ndaj disa të punësuarve që janë të padëshiruar në mënyrë që t’i detyrojnë vetë të japin dorëheqje nga vendin i punës.