Rritet niveli i Shkumbinit, tetovarët i kap frika

Nga Komuna e Tetovës informojnë se janë në gatishmëri të plotë të gjitha ekipet mobile të Ndërmarrjes komunale publike të Tetovës dhe të Njësisë së zjarrfikësve. Edhe Sektori për Punë të Brendshme apeloi deri te banorët e qytetit për kujdes gjatë lënies së automjeteve dhe lëvizjes në rast të motit të keq

Urim HASIPI

Tetovë, 14 maj – Probleme në urën që ndodhet në rrugën Shipkovicë, Brodec, rritje e nivelit të ujit të lumit Shkumbin dhe zënie e kanalit në dalje të Tetovës për në Gostivar… janë pikat kritike gjatë natës së kaluar në rajonin e Tetovës, pas reshjeve të shumta që përfshinë tërë vendin, e në veçanti Maqedoninë Perëndimore. Problemet e para që u shfaqën ishin në Shipkovicë, në dalje të këtij fshati për në Brodec. Në këtë vend, aktualisht janë duke u zhvilluar punët për ndërtimin e urës, por mbrëmë reshjet kanë shkaktuar bllokim të kësaj rruge. Në vendngjarje kanë dalë ekipet e Shtabit emergjent të formuar enkas për këtë periudhë dhe kanë punuar në pastrimin e rrugës.

“Kemi intervenuar në rrugën në daljen e Tetovës për në Gostivar, afër pikës së pagesës Tetovë-Gostivar. Po ashtu, në orët e pas mesnatës kemi filluar të intervenojmë mbi fshatin Shipkovicë tek vendi i quajtur ‘Përroi i madh’ pasi kemi përvojë të hidhur që nga viti 2015. Që të mos vij deri te bllokimi i rrugës dhe të na ngelin të bllokuar banorët e Malësisë së Sharrit, Brodecit, Veshallës dhe Bozofcës, kemi intervenuar me makineri të rëndë. Po ashtu, në rrugën Tetovë-Gostivar që përmenda pak më herët, kemi intervenuar bashkë me pjesëtarë apo anëtarë të fshatit të Bashkësisë Lokale të fshatit ‘Reçicë e Madhe’ me eskavatorë dhe kemi liruar rrugën, por kemi bërë edhe kontrollimin e pikave që i dimë nga përvoja se ku mund të na shfaqen probleme gjatë reshjeve të mëdha të shiut, siç është vendi i quajtur nënkalimi tek ura në lagjen Dardania, por edhe në pjesën tjetër tek nënkalimi për në fshatin Falisht”, tha Uka Aliti, përgjegjës i Zjarrëfiskëve në Tetovë. Ai më tej është shprehur se janë në gjendje gatishmërie që të intervenojnë në rast se përkeqësohet moti.

Dua të them që jemi dhe do vazhdojmë të jemi në vazhdimësi në shërbim të qytetarëve dhe mos të na ndodh ndonjë e keqe. Mendojmë se pikat me kritike siç kemi paraparë ne dhe siç mendojmë, jemi duke punuar tek ‘Përroi i keq’ në fshatin Shipkovicë meqë në qytet nuk kemi probleme, pasi s’kemi pas as mbrëmë, sepse janë marrë të gjitha masat nga Ndërmarrja komunale Tetova-Tetovë parakohe që sistemi i kanalizimeve të jetë i pastruar tërësisht dhe nuk na janë shfaqur problemet sikurse në të kaluarën kur kishte defekte në kanalizimet, si në pjesën qendrore, por edhe tek kazerma”, tha Aliti. Komuna e Tetovës njoftoi se është formuar Shtab krize pasi meteorologët paralajmëruan mundësi për mot të keq për shkak të ciklonit “Andrea”, si dhe se janë ndërmarrë masa parandaluese. Prej aty informojnë se janë në gatishmëri të plotë të gjitha ekipet mobile të Ndërmarrjes komunale publike të Tetovës dhe të Njësisë zjarrfikëse territoriale nga Tetova. Edhe Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë apeloi deri te banorët e qytetit për kujdes gjatë lënies së automjeteve dhe lëvizjes në rast të motit të keq. Këto njësi veçmë gjenden në terren dhe intensivisht punojnë në pastrimin e kanaleve në territorin e tërë komunës me të gjitha kapacitetet që i kanë, mekanike dhe njerëzore. Dje dhe sot janë pastruar kanalet e ujësjellësve në qarkoren te Agrokalishta Blloku 70, rruga K.R. Dërnc, Drenovec, te nënkalimi në rrugën te fshati Falishtë, si dhe në lokacione tjera të identifikuara si pika kritike. Para një muaji është bërë edhe pastrimi i shtretërve të lumenjve në fshatrat Poroj dhe Reçicë të Madhe, kumtuan nga vetadministrimi lokal i Tetovës. Komuna me apel deri te kompanitë ndërtimore që t’i shkyçin pompat në gropat ndërtimore, ndërsa qytetarët të mos i parkojnë automjetet e tyre në afërsi të kanaleve të ujësjellësve ose puset, me qëllim që të sigurohet intervenim me kohë të grupeve të mobilizuara. Megjithatë, frika ekziston tek banorët dhe rrethinë e tërë Tetovës për shkak të përmbytjeve të vitit 2015, ku kishte përmbytje katastrofale me viktima në njerëz dhe dëme të mëdha materiale. Në ndërkohë, në vendbanimet tjera respektivisht në Komunat Tearcë, Zhelinë, Jegunoc dhe Bërvenicë, situata paraqitet ende e qetë.

RESHJE SHIU DERI TË PREMTEN

Në Mavrovë dhe Lazaropole gjatë 24 orëve të fundit ka pasur më shumë reshje. Në Mavrovë, sipas informacionit të DPHM kanë rënë 47 litra shi në metër katror dhe 45 litra në Lazaropole. Reshje të shiut janë regjistruar më shumë në pjesën perëndimore të vendit. Në Manastir dhe Pretor kanë rënë 32 litra në metër katror, në Pozharane 30 litra, Krushevë 28, Ohër 23 litra, Dibër 19, Tetovë, Kumanovë dhe Topollçan 12 litra, Prilep 10, tetë në Shkup Petrovec, shtatë në Shkup Zajçev Rid dhe Gjurishte, tre në Shtip, dy në Gjevgjeli dhe një litër në Strumicë, Kriva Pallankë, Demir Kapi, Berovë dhe Dojran. Moti jostabil do të kemi deri të premten, në disa vende me reshje të shiut prej 50 deri 60 litra në metër katror. Proceset lokalisht do të jenë në formë të motit të ligë me bubullima, erë të përforcuar dhe paraqitje të breshrit. Përmirësim të motit më të ngrohtë dhe me diell meteorologët paralajmërojnë për fundjavë. (koha.mk)