Tiranë, 24 tetor – Numri i shtetasve të huaj që vizituan Shqipërinë gjatë muajit shtator shënoi një rritje prej 13 për qind krahasuar me shtatorin e vitit 2016, duke arritur në shifrat e 459.168 personave. Sipas statistikave të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT), si periudhë 9 mujore Shqipërinë e vizituan rreth 4.224.683 persona, ose 5.7 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndër dhjetë vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, ato nga Zvicra kanë pësuar rritjen më të madhe me 115,8 për qind gjatë shtatorit, ndërsa uljen më të madhe e kanë patur shtetasit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) me 21,8 për qind. Për 9-mujorin e 2017, ndër 10 vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, rritja më e madhe e hyrjeve ka ardhur nga Polonia me 65,6 për qind dhe rënie kanë patur vetëm hyrjet nga Kosova me 22,1 për qind. Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë në 9-mujorin e 2017 është 3.937.855, duke u rritur 5,6 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, transmeton ATSH. Referuar shifrave të INSTAT-it, hyrjet e shtetasve të huaj dhe shqiptarë në muajin Shtator 2017, në rrugë tokësore zënë peshën më të madhe të hyrjeve gjithsej me 79,1 për qind ndërsa hyrjet në rrugë ajrore zënë 13,3 për qind dhe detare zënë 7,6 për qind.