Mbështetje deri më tash kanë marrë nga opozita shqiptare, kurse partitë në pushtet ende kanë hamendje lidhur me distancën e këtyre objekteve, por sipas kryetares së Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, fjalën e fundit për këtë çështje do ta ketë kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti
Urim HASIPI
Tetovë, 21 janar – Përfaqësues të Lëvizjes Antibixhoz kanë realizuar një takim me liderin e Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, në të cilin takim është biseduar për kërkesat që ka kjo Lëvizje sa i përket lojërave të fatit ku kërkojnë që kazinotë dhe bastoret të dislokohen në një distancë prej 3 kilometrash larg vendbanimeve dhe institucioneve. Kjo Lëvizje ditë më parë, publikisht kërkoi takime me liderët dhe tashmë është duke realizuar këto takime për të marrë mbështetje që deputetët e tyre të përkrahin propozimet e tyre, shkruan gazeta KOHA.
Mbështetje deri më tash kanë marrë nga opozita shqiptare, kurse partitë në pushtet ende kanë hamendje lidhur me distancën e këtyre objekteve, por sipas kryetares së Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, fjalën e fundit për këtë çështje do ta ketë kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. Deri më tash, jozyrtarisht deputetët e Ahmetit kanë thënë se do të përkrahin distancën prej 500 metrave, ndërsa kreu i Parlamentit, Talat Xhaferi, ka thënë se nëse sillet ligji që përmban distancë më të vogël se 1 kilometër, nuk do ta nënshkruajë të njëjtit. Pas takimit, lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, nënvizoi se mbështet kërkesat e kësaj Lëvizje dhe se subjekti politik që ai drejton, është duke përgatitur një propozim-ligj për lojërat e fatit që është në harmoni me kërkesat që ka Lëvizja Antibixhoz dhe qytetarët e Pollogut.
“Aleanca për Shqiptarët ka pasur premtim elektoral në vitin 2016 për zgjidhjen e kësaj problematike. Jemi duke punuar edhe në propozimin tonë për ligjin që e diskutuam, por natyrisht që jemi të gatshëm që propozimet ato i japin, për ne janë të pranueshme. Është e rëndësishme që të theksohet se për ne si Aleancë për Shqiptarët, kur themi institucion, nuk i referohemi vetëm shkollave, objekteve fetare ose shtetërore, por për ne institucioni më i rëndësishëm është familja. Prandaj, pjesë e zgjidhjes me rregullativë ligjore e kësaj problematike do të jetë distancimi i këtyre lojërave nga shtëpitë e qytetarëve, sepse vetëm në këtë formë mund të arrijmë në një zgjidhje të mirë e cila do ta minimizojë këtë problematikë”, deklaroi Sela. Përfaqësuesit e Lëvizjes Antibixhoz janë ndarë të kënaqur nga ky takim, të cilin e vlerësuan si konstruktiv dhe theksuan se janë të gatshëm për bashkëpunim me të gjitha subjektet politike sa i përket propozimeve dhe amendamenteve për plotësimin e Ligjit të lojërave të fatit dhe se do të insistojnë deri në fund deri në sjelljen e një Ligji të mirëfilltë për lojërat e fatit.
“Ramë dakord që me çdo kusht nga fjala të kalojmë në vepra që të miratohet një Ligj, i cili kazinotë, bastoret sportive dhe lojërat e fatit të largohen 3 kilometra nga vendbanimet. Ramë dakord që Lëvizja Anti-Bixhoz nuk është vetë, por pas saj qëndron populli dhe prandaj do të insistojmë që të kërkojmë rezultat prej politikbërjes, do të kërkojmë që me çdo kusht të ngrihet zëri. Të mos keqkuptohemi, takimet që i bëjmë me liderët nuk do të thotë se deputetët që janë në Parlament janë të papëlqyeshëm, por disi ngurrojnë të votohet një ligj pa u konsultuar me liderët e tyre. Populli pret që të ngrihet zëri, të tregohet se politika duhet të jetë në shërbim të popullit dhe jo e kundërta, që të mos vijmë në situatë që ne – populli, t’i kërkojmë pastaj përgjegjësi politikës. Ramë dakord që deputetët do të bëjnë të pamundurën që të miratohet një Ligj i mirëfilltë”, deklaroi Xhemal Abdiu nga Lëvizja Antibixhoz. Sipas tyre, kërkesat janë adresuar edhe tek partitë politike shqiptare dhe maqedonase, krerët më të lartë të shtetit, ministritë përkatëse dhe presin të marrin mbështetje për propozimin e tyre. Ditë më parë, kjo lëvizje ka marrë mbështetje edhe nga kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami. (koha.mk)