Omer XHAFERI
Shkup, 11 prill – Krimi i përgjithshëm në rajonin e Shkupit në vitin 2016 ka shënuar rritje për 6 për qind më shumë në krahasim me vitin 2015, ose thënë ndryshe në kryeqendrën e Maqedonisë vitin e kaluar janë regjistruar 700 vepra penale më shumë se vitin paraprak, shkruan gazeta KOHA. Këto të dhëna janë përfshirë në raportin e fundit të Byrosë për Siguri Publike(BSP), të cilët kanë potencuar se nëpunësit Ministrisë për Punë të Brendshme vjet kanë shqyrtuar 11.875 lëndë penale ndaj 3966 kryerësve të veprave. Në kategorinë e krimeve më të shpeshta janë ato të pronës, respektivisht vjedhjet e rënda përbëjnë 65 për qind të veprave penale, ndërsa vjedhjet nën shoqërim përbëjnë mbi 28 për qind të rasteve. Nga BSP bëjnë të ditur se objektet banuese dhe automjetet janë caqet më të shpeshta të vjedhjeve të rënda. Në rajonin e Sektori për Punë të Brendshme- Shkup vitin e kaluar janë realizuar një varg aksionesh policore kundër trafikantëve të drogës dhe sipas të dhënave të BSP në këto aksione janë konfiskuar 76 kilogram marihuanë, gjysmë kilogram heroinë, si dhe një numër i konsiderueshëm i hapave ekstazi. “Rritje e krimit është evidentuar edhe në sferën e krimit ekonomik. Veprat penale më e zakonta këtu kanë ka të bëjë me ushtrimin e veprimtarisë së transportit publike pa pasur licencë. Gjatë periudhës së vitit që lamë pas, në Shkup, gjithashtu janë regjistruar 24 vepra penale nga sfera e krimit të organizuar, respektivisht për ‘falsifikim parash’ janë ngritur 21 padi penale, ndërkaq për ‘pranim ryshfeti’ janë evidentuar tre vepra penale”, thuhet në raportin e BSP-së, përcjell KOHA. Në këtë periudhë, siç nënvizohet në raport, është shënuar ulje e procedurave për inicimin e padive për kundërvajtje, gjegjësisht për 16 për qind në Shkup është zvogëluar prishja e rendit dhe qetësisë publike. “Numri më i lartë i padive për kundërvajtje ka të bëjë me ‘sulmet fizike’ (33 për qind) pastaj vijojnë ‘pjesëmarrja, shkaktimi dhe nxitja e përleshjeve’ dhe ‘kacafytje dhe sjellje të pahijshme’ ( të dyja këto vepra me na nga 12 për qind). Pjesa dërmuese e këtyre veprave, ose 73 për qind e tyre janë realizuar individualisht. Ndërkaq, gjatë kohës kur është realizuar prishja e rendit dhe qetësisë publike në Shkup, janë lënduar mbi 1900 persona”, theksohet mes tjerash në këtë raport. Sa i përket gjendjes së sigurisë dhe aktiviteteve tjera që janë ndërmarrë nga Sektori për Punë të Brendshme në Manastir, BSP ka njoftuar se krimi i organizuar në këtë rajon, në krahasim mes vitit 2015 dhe 2016 nuk ka ndryshime të theksuara. Çështja më kryesore që është veçuar në këtë raport, lidhur me SPB-Manastir, ka të bëjë me rritjen aksidenteve në komunikacion. Sipas këtyre të dhënave, situata e sigurisë në sferën e komunikacionit rrugor gjatë 2016 në rajonin që e mbulon policia e Manastirit, karakterizohet me shtimin e aksidenteve për 9 për qind më tepër, ndërsa numri i plotë i aksidenteve fatale ka shënuar ulje për 8 për qind. Nga ana tjetër krimi i përgjithshëm i cili është prezent edhe në rajonin e Kumanovës, duke ju referuar të dhënave të publikuar në BSP-së, thuhet se është zvogëluar për 13 për qind, ndërsa sa i përket vepra për prishje të rendit dhe qetësisë publike, në këtë pjesë të Maqedonisë, është shënuar rritje për 14 për qind. “Gjatë vitit 2016, në SPB-Kumanovë janë shtuar kërkesat për inicimin e procedurës për vërtetimin e kundërvajtjes, respektivisht janë parashtruar 690 kërkesa kundër 938 kryerësve, për kryerjen e 736 kundërvajtjeve, prej të cilëve 238 e vepra për kundërvajtje janë për sulme fizike”, thuhet në raportin e BSP-së. Rritje jo e madhe, por shqetësuese e krimi është regjistruar edhe në rajonin e Tetovës dhe rrethinës. Mirëpo, për dallim nga sektorët tjerë të policisë, të cilët gjatë vitit të kaluar kanë arritur që në mënyrë efektive të mbulojnë nga 35 deri në 50 për qind të punës së tyre apo më tepër, ky sektor siç thuhet në raportin e BSP, me sukses ka përfunduar 68 për qind e procedimit të lëndëve penale. Krahas këtyre të dhënave, SPB-Tetovë gjatë vitit të kaluar deri te Prokuroria Publike e Tetovës ka ngritur 18 padi penale kundër 19 kryerësve për kryerjen e veprës penale ‘Realizim i lojërave të fatit papasur licencë, gjegjësisht pa leje të organeve kompetente”.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara