Driton ZENKU
Gostivar, 13 shkurt – Ndërmarrja Publike “Pyjet e Maqedonisë”, njësia rajonale “Sharr”, në Gostivar, për vitin 2017 planifikon prerjen e 20 mijë metra kub dru, kjo për shkak të kërkesave në rritje, shkruan gazeta KOHA. Nga atje thonë që me prerjet e zakonshme dhe jashtëzakonshme të druve, do të arrihet sasia e paraparë e planit operativ për vitin vijues. “Planet për këtë vit janë me sa vijojnë. Gjithsej 15 mijë e 295 metra kub dru. Këtu bëjnë pjesë edhe prerjet e jashtëzakonshme të cilat realizohet varësisht nga kushtet atmosferike. Pra, në total kemi paraparë diku 20 mijë metra kub dru për vitin 2017. Bëhet fjalë për sasi më të madhe se viteve të kaluara, me çka, qytetarët duhet të jenë të qetë pasi ka sasi të mjaftueshme”, thotë për KOHA drejtori Fore Milloshevski.
Nëpërmjet Ndërmarrjes Publike “Pyjet e Maqedonisë”, vitin e kaluar në malet e regjionit të Gostivarit, janë prerë 12.500 mijë kub metra dru djegëse. Sipas të dhënave nga njësia lokale e Ndërmarrjes Publike “Pyjet e Maqedonisë” në Gostivar, sasia e prerë e druve përbën mbi 80 për qind të planit të paraparë për realizim gjatë vitin të kaluar kalendarik. Drejtoria e njësisë në Gostivar, shprehen tejet të kënaqur me këtë përqindje të realizuar, duke e llogaritur vitin që lamë pas si një nga vitet më të suksesshme. Çmimi i druve do të mbetet i njëjtë sikurse vitin e kaluar. Për 1 metër kub dru të llojit të dushkut, çmimi është 2370 denarë kurse për ahun 2450 denarë. Për rastet sociale dhe kategoritë e tjera të rrezikuara, janë paraparë benificione plotësuese. Afati për aplikim mbetet i hapur deri më 31 mars.
Por, krahas rrugës zyrtare në regjionin e Gostivarit është i përhapur edhe fenomeni i prerjes ilegale të druve. Ndryshimet e planifikuara në Ligjin për Pyjet në Republikën e Maqedonisë, mes të tjerash parashohin edhe inicimin e procedurës penale dhe burgim prej tre deri në pesë vite, për të gjithë ato persona që do të hasen duke vjedhur nga malet dru për djegie. Nga Ndërmarrja Publike “Pyjet e Maqedonisë” njësia rajonale në Gostivar, kanë mirëpritur ndryshimet e planifikuara në Ligjin për Pyjet, duke pohuar se me këtë mënyrë, do të zvogëlohet fenomeni i vjedhja e druve nga pyjet që janë në pronësi të shtetit, realitet ky që në masë të madhe është i pranishëm edhe në regjionin e Gostivarit. “Çdo masë preventive që do të parandalonte fenomenin e vjedhjes së druve, është e mirëseardhur. Ndryshimet në ligjin për pyjet, do të kenë impuls pozitiv në drejtim të parandalimit dhe ndërprerjes së kësaj dukurie. Pyjet që janë në pronësi të shtetit, dhe çdonjëri duhet të mban përgjegjësi për çdo veprim joligjor. Urojmë që ligji sa më shpejtë të konkretizohet dhe të hyjë në fuqi”, theksuan nga drejtoria e ndërmarrjes publike “Pyjet e Maqedonisë” njësia rajonale në Gostivar.
Nga atje apelojnë deri tek të gjithë qytetarët e regjionit të Gostivarit, në qoftë se hasin dukuri të tilla, rastet t’i paraqesin në Policinë pyjore, por mund tu drejtohen edhe pjesëtarëve të organeve të rendit. Së fundmi, në ndihmë të policisë pyjore për të parandaluar prerjen e jashtëligjshme dhe vjedhjen e druve, u vunë edhe pjesëtarët e organeve të rendit. Në disa raste, ato ndalonin transportuesit e paligjshëm, duke ua konfiskuar automjetet dhe drunjtë dhe duke i sanksionuar me gjoba. Këto janë vetëm disa nga ndryshimet e planifikuara në Ligjin për Pyjet, i cili është përgatitur nga Ministria e Bujqësisë. Me ligjin e ri do tu jepet mundësi personave fizikë dhe kompanive që të licencohen për shenjëzimin dhe prerjen e druve nga pronarët privat. Në drejtim të vënies së rregullave në këtë fushë, ishte edhe iniciativa për leje të posaçme për ushtrimin e këtij aktiviteti, përkatësisht nxjerrjen e licencave adekuate për këtë veprimtari, sa u përket transportuesve të druve. Pos licencimit, transportuesit e druve duhet të kenë kujdes edhe sa i përket, parkimit të mjeteve transportuese në vendet publike, që ato të mos parkohen në hapësira të gjelbëruara dhe vende të tjera publike sidomos në qarkun kryesor të qytetit.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.