Shkup, 15 dhjetor – Rritet jetëgjatësia në Maqedoni si dhe në shtetet e rajonit si rrjedhojë e përmirësimit të më shumë faktorëve, siç janë shëndeti publik, ushqim dhe shërbimet mjekësore, shkruan gazeta KOHA. Në dekadat e fundit tek ne dhe në rajon janë përmirësuar edhe kushtet e jetesës, si dhe kultura dhe arsimimi i popullatës. Këtë e dëshmojnë si të dhënat statistikore për rritjen e numrit të personave më të moshuar se 65 vjet, ashtu edhe të dhënat e Fondit Pensional. Sipas të dhënave zyrtare statistikore të bazuara në regjistrimet e popullatës, në periudhën e kaluar është rritur grupi i personave më të moshuar se 65 vjet në Maqedoni, nga 94.859 në vitin 1971, në 128.261 në vitin 1981, pastaj 164.678 në vitin 1994 dhe për të arritur në 213.372 në vitin 2002, kur në shtet u mbajt regjistrimi i fundit zyrtar i popullatës. Nga ana tjetër, nga mbi 300 mijë pensionistë në vitin 2014, pjesa më e madhe e tyre, apo 220.543 janë të moshës deri 75 vjet, që paraqet një rritje të dukshme në raport me 118 mijë pensionistë të moshës deri 75 vjeç në vitin 2008, nga rreth 273 mijë pensionistë sa janë gjithsej. Njëherazi, në vitin 2014, sipas të dhënave të Fondit personal, afër 100 mijë pensionistë janë të moshës 71 deri 80 vjeç, ndërsa në vitin në vitin 2008 ,të moshës prej 71-80 vjet janë 64 mijë pensionistë. Nga Shoqatat e pensionistëve thonë se rritja e jetëgjatësisë së personave të moshuar është një trend në rritje jo vetëm tek ne , por çdo kund në Evropën juglindore. “Kjo i detyrohet para së gjithash rritjes së kujdesit të shoqërisë për personat e moshuar duke filluara nga mbrojtja shëndetësore e deri te shoqërimet siç janë organizimet e ndryshme nga ana e shoqatave të pensionistëve sportive, ekskursioneve e kështu me radhë . Gjithashtu rreth 400 klubeve të pensionistëve vizitohen nga 150 mijë pensionistë në javë që ndikon të tejkalohet depresioni i pleqërisë që ndikon në jetëgjatësi”, thotë Dragi Argirovski, kryetar i Lidhjes së Pensionistëve të Maqedonisë. Nga ana tjetër, demografët thonë se ekzistojnë dallime të caktuara midis grupmoshave të ndryshme në shtetet e zhvilluara dhe më pak të zhvilluara. “Më së shpeshti në shtetet e pazhvilluara ku jetëgjatësia mesatare është më e vogël me një mesatare prej 50 deri 55 vjeç , pjesëmarrja e popullatës së re është dukshëm më e lartë, e asaj të mesme është më e lartë, ndërsa popullata e moshuar ka pjesëmarrje më të vogël. Nga ana tjetër, në shtetet e zhvilluara ndodh e kundërta, kemi pjesëmarrje të lartë të popullatës me jetëgjatësi të mesme, ndërkohë që pason popullata e re dhe e vjetër janë me përqindje të barabarta”, thotë për KOHA demografi Nikolla Dimitrov. Në ndërkohë analizat e ndryshme tregojnë se jetëgjatësia mesatare në Maqedoni është 75 vjet, ku meshkujt jetojnë 72 vjet, ndërsa gratë jetojnë 78 vjet. Në shtetet e BE-së, mesatarja e jetëgjatësisë është 82.76 vjet për gratë dhe 76.91 për burrat. Ndryshe, “Forumi Ekonomik Botëror (VEF), tregon se japonezët në mesatare jetojnë më gjatë në botë. Japonia me 83.1 vjeç është në vendin e parë bë botë për kah jetëgjatësia , për shkak të kulturës dhe traditës specifike si dhe ushqimit mjaft të shëndetshëm. Ndër pesë vendet e para janë edhe Spanja me 82.4 dhe Franca me 82.6 vjeç, të njohura për “ushqimin mesdhetar”, të pasur me perime të freskëta , peshk, si dhe me yndyra të shëndetshme si vaji i ullirit. Ndër banorët më jetëgjatë në botë janë edhe ato të Zvicrës me 82.7 vjeç, si rrjedhojë e pasurisë së këtij shtetit dhe të Islandës me 82.9 vjeç, falë konsumit të peshkut, mënyrës tradicionale të jetesës dhe numrit jo të madh të banorëve në këtë shtet ishull , që përjashton jetesën me stres.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.