“Për të arritur normat e dëshiruara të rritjes, ekonomia e Maqedonisë duhet të rrisë produktivitetin e saj duke shfrytëzuar ekonomitë e shkallës me integrimin dhe aktivitetet më të madh rajonale dhe ndërkombëtar”, thotë Branko Azeski, kryetar i OEM-së
Qefsere ABDYLI
Shkup, 6 tetor – Sistemet legjislative të pa balancuara, rregulloret që ndryshojnë shpesh, si dhe barrierat jo tarifore janë vetëm një pjesë e vogël e problemeve që pengojnë zhvillimin dhe rritjen e tregtisë ndërmjet vendeve të CEFTA-s, shkruan gazeta KOHA. Zhvillimi i rajonit dhe rritja e tregtisë midis vendeve nënshkruese të marrëveshjes – Maqedonisë, Shqipërisë, Bosnjë dhe Hercegovinës, Moldavisë, Malit të Zi, Serbisë dhe Kosovës, do të ndihmojnë shumë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
“Shifrat tregojnë qartë se bashkëpunimi me vendet anëtare të marrëveshjes së CEFTA-s duhet të forcohet për shkak se ajo është një kërkesë për integrim më të gjerë evropian. Nuk ka dyshim se burimi i vetëm i rritjes së qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse të Ballkanit Perëndimor për të lëvizur drejt Bashkimit Evropian janë pikërisht intensifikimi i integrimit rajonal, ekonomik dhe rritja e bashkëpunimit tregtarë në rajon. Për të arritur normat e dëshiruara të rritjes, ekonomia e Maqedonisë duhet të rrisë produktivitetin e saj duke shfrytëzuar ekonomitë e shkallës me integrimin dhe aktivitetet më të madh rajonale dhe ndërkombëtar”, tha Branko Azeski, kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë. Përkundër problemeve me të cilat ballafaqohen bizneset në bashkëpunim me vendet anëtare të CEFTA-s, në vitin 2017 krahasuar me vitet e kaluara, rritja e eksportit të Maqedonisë mesatarisht ishte rreth 9 për qind.
“Të dhënat për vitin 2017 tregojnë se në këto vende është realizuar eksport prej 671 milionë dollarë amerikan, të cilat në krahasim me vitin 2016 – u rritën me 11.6 për qind, ndërsa eksportet e realizuara në vitin 2016 kundrejt vitit 2015 u rritën për 6 për qind. Në shtatë muajt e parë të vitit 20018 u realizua një eksport prej 412.1 milionë dollarë, e cila krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, u rrit për 11.4 për qind. Rritja u regjistrua edhe në importet për shtatë muajt e parë të vitit 2018 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, me pothuajse 16 për qind”, thonë nga Oda Ekonomike. Nga aty shtojnë se është e rëndësishme të theksohet se në të gjitha periudhat e krahasuara, Republika e Maqedonisë është në bilanc tregtar të tepërt me 5 vende të CEFTA-s, përveç Serbisë.
“Në tregtinë me vendet e rajonit të CEFTA-s, kemi një portofol tregtar të larmishëm. Sa i përket eksporteve të Maqedonisë në këto vende, mbizotëron produkti i industrisë së përpunimit të metaleve, industrisë elektrike, industrisë kimike, bujqësisë dhe industrisë ushqimore. Për më tepër, në eksportet nga këto industri, vendi është kryesisht i zënë me produkte të gatshme ose pjesërisht të përdorura në kontrast me lëndët e para. Në kushtet e importeve, shkëmbimi zhvillohet kryesisht në industrinë e njëjtë, ku shumica e importeve të produkteve të gatshme janë nga Serbia”, shpjegojnë nga Oda Ekonomike e Maqedonisë. (koha.mk)