Zejnulla VESELI
Shkup, 2 shkurt – Është duke u rritur eksporti i Maqedonisë në Gjermani, ndërsa është duke u rritur edhe interesimi i investitorëve në Maqedoni, tha të enjten drejtori i sapoemëruar i Delegacionit të Odave gjermane në Maqedoni, Patrik Martens. Martens në takimin me gazetarët theksoi se tregu i Maqedonisë është me rëndësi të madhe për Gjermaninë, ndërsa pikërisht për shkak të përhapjes së aktiviteteve afariste në vend. Delegacioni do të drejtohet prej këtu, prej Shkupit, në vend se si deri më tani nga Beogradi. “Përfaqësia e Odave gjermane në Maqedoni pas veprimit shtatëmbëdhjetëvjeçar në vend, me fillim në vitin 2017 u shndërrua në Delegacion i cili paraqet zhvillim të rëndësishëm të zyrës në sistemin gjerman të odave. Për herë të parë Berlini dërgon drejtor i cili do të jetë kompetent për Maqedoninë dhe do ta kryejë funksionin e tij në Shkup”, informoi Martens. Duke u përqendruar në aktivitetet ekonomike dhe në rolin e punës së odave, e theksoi nevojën e kuadrove të specializuara, profesionale për sektorin e biznesit. Në këtë kontekst veçanërisht e nënvizoi domosdoshmërinë e arsimit dual dhe e paralajmëroi projektin trevjeçar të mbështetur prej Qeverisë gjermane që do të fillojë të zbatojë gjatë këtij viti.
“Maqedonia është në mesin e pesë vendeve të përzgjedhura në të cilat është paraparë të zbatohet ky projekt. Delegacioni i ekonomisë gjermane do të marrë edhe një ekspert të obliguar për arsimin dual, i cili do ta bart përvojën gjermane në sistemin arsimor të Maqedonisë. Kjo nismë mbështetet prej Ministrisë së Ekonomisë së Republikës Federale të Gjermanisë”, tha Martens. Arsimi dual nënkupton tre ditë mësim praktik, drejtpërdrejt në fabrika/reparte/kapacitete/zanate individuale, ndërsa dy ditë mësim teorik në shkollë. Mu për sistemin e tillë të cilin Gjermania, theksoi Martens, e kultivon pothuajse tri dekada, papunësia tek të rinjtë është minimale. Ka kuadro profesional të cilët u nevojiten ekonomistëve, si dhe mundësi për profesionalizimin dhe specializimin e tyre. Patrik Martens ka përvojë pune 20-vjeçare në odat gjermane. Karrierën e ka filluar në Brazil, e ka vazhduar në Arabinë Saudite dhe Iran, ndërsa në Maqedoni ka ardhur nga Gana ku në 11 vitet e fundit ishte drejtor i Zyrës. Në vitin 2000 kur u hap Përfaqësia gjermane në Maqedoni kanë punuar 15 kompani gjermane në formën e përfaqësive tregtare. Në ndërkohë ky numër është rritur për dhjetë herë, por gjithashtu viteve të kaluara është duke u rritur edhe numri i investimeve të drejtpërdrejta gjermane. Kompanitë gjermane të pranishme në tregun e Maqedonisë sot punësojnë rreth 20.000 persona, ndërsa këmbimi tregtar midis Maqedonisë dhe Gjermanisë në vitin 2015 ishte 2,5 miliardë euro. Me këtë, thonë nga Përfaqësia, Gjermania mbetet partneri më i rëndësishëm tregtar i Maqedonisë.