Aida XHONI
Shkup, 25 nëntor – Sot (25 nëntor) shënohet Dita Ndërkombëtare për eliminimin e dhunës ndaj gjinisë femërore. Sado që flitet për emancipim apo civilizim, si në Maqedoni ashtu në rajon dhe botë – dhuna familjare apo ndaj gruas paraqet fenomen shqetësues, shkruan gazeta KOHA. Statistikat dhe njohuritë e Avokatit të Popullit nga kontaktet e përditshme dhe takimet që kanë çdo ditë me qytetarët tregojnë se dhuna familjare ende është e pranishme dhe tregon tendencë për rritje të guximit të viktimave të paraqesin raste jo vetëm në institucionin e Avokatit të Popullit, por edhe në organet kompetente për mbrojtje nga dhuna familjare, tha për gazetën KOHA, Vaska Bajramovska-Mustafa, zëvendësavokate e Popullit të Maqedonisë.
Këtë vit, informoi Mustafa, po procesuohen gjashtë parashtresa për dhunë në familje. “Nga viti në vit, tek Avokati i Popullit rritet numri i qytetarëve që vijnë për bisedë dhe kërkojnë këshillë juridike si të reagojnë në raste kur janë viktimë të dhunës së caktuar familjare. Nëse bëhet pyetja se a bëhet fjalë për dhunë fizike, ku kanë vërtetim mjekësor apo dhunë psikike – që është shumë më e rëndë për tu vërtetuar. Vitin e kaluar, ky numër tek Avokati i Popullit sillej prej 4-5 ankesa nga personat e rritur. Kur bëhet fjalë për dhunën familjare si të tillë, ku edhe ekziston Ligj i posaçëm, në këtë periudhë janë parashtruar gjashtë parashtresa për mbrojtje të viktimave nga dhuna familjare mes të cilëve ka edhe fëmijë”, tha ajo.
Ndryshe, sipas Avokatit të Popullit, në dhunën brenda familjes shqetëson fakti se fëmijët janë pjesë e dhunës që lënë pasoja të përhershme.
“Vitin e kaluar tek Avokati Popullit janë parashtruar diku deri 15 parashtresa për dhunë tek fëmijët, megjithatë jo për dhunë në familje, por edhe në shkollë, qendrat për mbrojtje apo në shtëpi, që do të thotë vërtetohet konstatimi i Avokatit të Popullit se pa dallim se viktima e dhunës familjare është person i rritur kur bëhet fjalë për dhunë, fëmijët janë viktimë edhe direkt edhe indirekte e dhunës”, tha Mustafa. Si viktima të dhunës në familje vazhdojnë të jenë gratë dhe pjesa dërmuese ka të bëjë me dhunë fizike dhe kërcënime të ndryshme. Më shumë dhunues janë burrat ndaj grave, më pas janë djali ndaj prindit, vëllai dhe prindi ndaj djalit, si dhe vëllezërit së bashku ndaj nënës. Në gjashtëmujorin e parë të 2017-ës, janë regjistruar rreth 384 parashtresa me elemente të dhunës në familje, thuhet në raportin statistikor për gjysmën e këtij viti të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Sipas policisë, burrat vazhdojnë të jenë shkaktar më të mëdhenj të dhunës në familje (94% të rasteve), edhe pse periudhën e fundit ka edhe lloje të ndryshme të pjesëtarëve të tjerë të familjes – në veçanti për shkaqe ekonomike. Janë parashtruar 161 raste kur bashkëshorti ka rrahur gruan, 84 parashtresa kur djali ka ushtruar dhunë mbi prindër, dhe 21 raste kur prindi ka ushtruar dhunë mbi fëmijë. Kategoria më e ndjeshme në dhunën familjare edhe më tej në 75% të rasteve është gruaja. Sipas mënyrës së kryerjes së dhunës, në 323 raste dhuna është fizike, 17 raste dhunë fizike me armë të ftohtë, ndërsa një rast dhunë me armë zjarri. “Më së shpeshti dhuna në familja është realizuar në gjendje çrregullimi edhe atë në 164 prej tyre. Në periudhën e njëjtë është regjistruar një vrasje e gruas dhe dy tentime për vrasje”, nënvizon MPB.
STATITSIKA
Nga viti 2013 deri në vitin 2016 janë regjistruar 15 vrasje, por kjo s’është statistikë zyrtare dhe nuk paraqet numrin real, pati raportuar muaj më parë Elena Dimushevska nga Rrjeti nacional kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje. Në Entin Shtetëror të Statistikës (ESSH) ka të dhëna se prej vitit 2008 deri në vitin 2016 janë vrarë 70 gra, por ende po bëhen analiza sa nga ato vrasje janë femicide (gjegjësisht vrasje të qëllimshme të grave vetëm pse janë gra), thonë të dhënat që i publikoi Dimushevska. Sipas saj, gratë të cilat janë viktima të femicidit paraprakisht ishin viktima të dhunës, por ishin edhe pak të informuara për paraqitje në institucione adekuate. Ndryshe, më 25 nëntor shënohet Dita ndërkombëtare për eliminimin e dhunës ndaj gruas, me të cilën fillon fushatë globale të cilën e shënojnë 1700 organizata në më shumë se 100 vende në botë. Fushata fillon në 25 nëntor me Ditën ndërkombëtare për eliminimin e dhunës ndaj gruas, ndërsa përfundon më 10 dhjetor me Ditën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Të dhënat e fituara nga studime të ndryshme të realizuara në mbarë botën tregojnë se në të gjitha vendet, pa dallim a bëhet fjalë për vende të zhvilluara apo vende të pazhvilluara, pa dallim të përkatësisë fetare, kulturore, moshës apo statusit, gruaja më pak ose më shumë është e ekspozuar ndaj ndonjë lloji të dhunës, qoftë kjo dhunë fizike, seksuale apo psikike. Dhuna si e tillë paraqet formën më të shpeshtë të shkeljes të të drejtave të njeriut në Evropë. Sipas të dhënave statistikore një në tre gra në botë është viktimë e dhunës nga partneri i saj, ndërsa një në 5 gra është viktimë potenciale e dhunës seksuale. Gratë në mbarë botën janë lëndë e dhunës, ndërsa madhësia dhe karakteri i vërtetë i këtij problemi shpesh mbesin sekret. Shkak për këtë është politika e butë ndëshkimore për rastet e dhunës ndaj gruas dhe kjo dërgon një mesazh të tmerrshëm se dhuna është legjitime dhe e pranuar në shoqëri, ndërsa brengos fakti që denoncimet penale shpesh anulohen për shkak të mungesës së provave, për shkak se viktima nuk do që të ngrejë padi, ose sepse vendos që të mos dëshmojë. (koha.mk)