Brenda vitit, në Tetovë dhe rrethinë regjistrohen rreth 500 zjarre, kurse pothuajse gjysma e tyre janë si pasojë e mospastrimit të oxhaqeve
Urim HASIPI
Tetovë, 17 tetor – Me fillimin e sezonit të ngrohjes rritet edhe rreziku për zjarre nëpër objekte banimi. Kryesisht, shumica e popullatës në rajonin e Pollogut ngrohet me dru dhe me lëndë të ndryshme djegëse. Kjo në mënyrë enorme e rrit rrezikun për zjarre. Viteve të kaluara janë shkaktuar me qindra zjarre, pikërisht nga moskujdesi i treguar, sidomos nga mospastrimi i oxhaqeve. Nga policia e Tetovës thonë se shpesh herë zjarret shkaktohen nga oxhaqet e dëmtuara apo të papastruara dhe kjo dukuri përsëritet çdo vit, sidomos gjatë sezonit të ngrohjes. “Për shkak të kësaj, Sektori për punë të brendshme të Tetovë apelon deri tek qytetarët që në kohë të pastrojnë oxhaqet para fillimit të sezonit dimëror, por edhe gjatë gjithë kohës të kontrollohet gjendja e tyre, ngase mjafton një shkëndijë, nëse të njejtit nuk janë të sigurara, të shkaktojë zjarr kurse pasojat janë të paparashikueshme”, thonë nga Sektori për punë të brendshme në Tetovë.
Nga njësia e zjarrfikësve në Tetovës sërish edhe këtë vjeshtë kanë dalur me një apel drejtuar qytetarëve që të kenë më shumë kujdes në këtë drejtim. Komandanti i zjarrfikësve të Tetovës, Uka Aliti, thekson se mospastrimi i tyre paraqet rrezik potencial për shpërthim të zjarreve pasi që vetëm gjatë vitit të kaluar janë regjistruar mbi 100 zjarre nga mospastrimi i oxhaqeve. “Zakonisht në këtë periudhë përdoret druri për ngrohje nga i cili formohet shtresë e trashë dhe e njëjta krijon temperaturë të lartë që shkakton zjarr. Temperatura në oxhaqet e papastruara arrin derri 800 gradë dhe mund të imagjinoni se çfarë temperature është kjo. Në rastet kur shpërthen zjarri, duhet që të mbyllet kapaku i tyre dhe të mos hidhet ujë ngase vjen deri tek shpërthimi i oxhakut”, thotë ai.
Aliti ripërsëriti qëndrimin se problem nuk janë vetëm shtëpitë, por edhe ndërtesat shumëkatëshe. “Ajo që është më brengosëse janë objektet shumëkatëshe në qytetin e Tetovës, ngase rrezikohen shumë banorë, kurse intervenimi është shumë i vështirë. Apelojmë deri tek qytetarët që të marrin masa në drejtim të pastrimit të oxhaqeve për arsye se në këto raste hasim në shumë probleme kur intervenojmë. Oxhaqet duhet që të pastrohen pasi që edhe me ligj qytetarët obligohen që t’i pastrojnë dy herë në vit”, apelon ai.
Por, edhe pse e kanë obligim ligjor që oxhaqet të pastrohen, megjithatë qytetarët ngurojnë në këtë drejtim. “Ne si njësi e zjarrfikësve disa herë apelojmë që qytetarët të pastrojnë oxhaqet, por këto apele nuk merren seriozisht. Ka objekte banimi ku këto apele merren seriozisht dhe qytetarët ose angazhojnë punëtorë që të bëjnë pastrimin e tyre, ose vet e bëjnë. Ne ndajmë edhe broshura me përmbajtje ku njoftojmë për rreziqet që sjell mospastrimi i oxhaqeve” nënvizon Aliti. Brenda vitit, në Tetovë dhe rrethinë regjistrohen rreth 500 zjarre, kurse pothuajse gjysma e tyre janë si pasojë e mospastrimit të oxhaqeve. (koha.mk)