Në të kaluarën, në Tetovë ka patur 29 gjykatës, kurse ky numër u ul në 22 deri në vitin 2016, kur edhe sërish kishte lëvizje të gjykatësve në instanca më të larta dhe tashmë për një rajon me rreth 200 mijë banorë, përgjegjës janë 19 gjykatës, sidomos tani kur ka rritje të numrit të lëndëve të cilët vijnë nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë
Urim HASIPI
Tetovë, 26 tetor – Në Gjykatën Themelore të Tetovës, tani 19 gjykatës punojnë në të gjitha fushat që mbulon kjo gjykatë. Nga një total prej 19.500 lëndë të këtij viti, të pazgjidhura nga viti i kaluar kanë qenë 4155 lëndë dhe këtë vit 15.303 raste janë aplikuar shtesë. Deri më tani 14. 219 raste janë zgjidhur, ndërsa 5234 raste të tjera janë në procedurë, shkruan gazeta KOHA.
“Shumica e rasteve janë në procedurë për kundërvajtje ose mbi 1000 raste janë pranuar nga SPB-Tetovë pas përfundimit të pushimit vjetor, por janë shpërndarë edhe në mesin e gjyqtarëve, prandaj shpresat janë që ato të zgjidhen deri në fund të vitit. Të gjitha vendimet e gjykatave janë hartuar dhe publikuar rregullisht në sistemin AKMIS dhe në faqen tonë të internetit”, tha gjykatësja Verka Kostoska. Ajo thotë se vetëm brenda dy muajve të fundit janë rritur lëndët që kanë ardhur nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë.
“Është rritur numri i lëndëve në sferën e kundërvajtjeve dhe lëndëve civile. Deri në shtator janë regjistruar 2099 lëndë civile, prej të cilëve 629 janë nga viti i kaluar, ndërsa 1471 janë të reja. Sa i përket lëndëve që i takojnë kategorisë së kundërvajtjeve, gjithsej janë regjistruar 2561, prej të cilëve 409 të vjetra, ndërsa 2561 janë të reja. Prej tyre janë zgjidhur 2114”, informoi Kostoska.
Dominojnë lëndët kundërvajtëse dhe civile, kurse ankesat nga viti në vit kanë shënuar rënie në lidhje me punën e gjykatësve. “Deri në vitin 2000, gjatë periudhës prej 12 muajve, janë pranuar nga 110 ankesa ndaj punës së gjykatësve, kurse ky numër tash ka rënë dukshëm edhe atë – pra në vitin 2014 ka pasur 11 ankesa, ndërsa vitin 2015 ky numër është rreth 10 ankesa ndaj gjykatësve. Kjo tregon se puna e gjykatësve shkon duke u përmirësuar. Nëse një gjykatës sjell ndonjë vendim në favor të ndonjërës palë pa pasur bazë ligjore, atëherë vendimi anulohet në Gjykatën e Apelit. Çdoherë kur kthehet vendimi, gjykatësit i shënohen pikë negative. Ka shumë akuza për gjykatat, por duhet që të ketë fakte dhe argumente, sepse ka instanca që e kontrollojnë punën e gjykatësve, por edhe të gjykatave në përgjithësi”, thonë nga Gjykata e Tetovës.
Në ndërkohë, në vitin 2015 në Gjykatën e Tetovës janë zgjidhur 27.200 lëndë, ndërsa janë bartur për vitin 2016 rreth 5900 lëndë. Në gjykatën e Tetovës, informoi Kostovska, nuk ka lëndë më të vjetra se gjashtë muaj. Ndryshe, në të kaluarën, në Tetovë ka patur 29 gjykatës, kurse ky numër u ul në 22 deri në vitin 2016, kur edhe sërish kishte lëvizje të gjykatësve në instanca më të larta dhe tashmë për një rajon me rreth 200 mijë banorë, përgjegjës janë 19 gjykatës, sidomos tani kur ka rritje të numrit të lëndëve të cilët vijnë nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë. (koha.mk)