Ekonomistët thonë se kursimet për ditë të zeza, si dhe mungesa e traditës apo edhe mosbesimi të investohet në instrumente të tjera të kursimit në tregun vendor financiar, kontribuon që popullata të investojë paratë në banka dhe jo, për shembull, në shitblerjen e letrave me vlerë
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 14 shtator – Kursimet e qytetarëve në bankat komerciale në shtet, po shënojnë rritje të vazhdueshme përkundër uljes së kamatave që fitohen për ruajtjen e të hollave në banka. Ekonomistët thonë se kursimet për ditë të zeza, si dhe mungesa e traditës apo edhe mosbesimi që të investohet në instrumente të tjera të kursimit në tregun vendor financiar, kontribuon që popullata të investojë paratë në banka dhe jo – për shembull, në shitblerjen e letrave me vlerë, shkruan gazeta KOHA.
“Në muajin korrik shënohet rritje e investimeve të amvisërive në banka që janë rritur këtë muaj për 0.6 për qind si rrjedhojë e rritjes së të gjithë komponenteve të depozitave, dhe atë në pjesën më të madhe të depozitave afat shkurtra në valutë të huaj. Lidhur me rritjen në nivel vjetor, shkalla e rritjes është 9.1 për qind dhe është rezultat i rritjes së kursimeve në denarë dhe në deviza, me pjesëmarrje më të madhe të depozitave në denarë”, tregojnë të dhënat e fundit të Bankës Popullore të Maqedonisë së Veriut.
Rritjen e vazhdueshme të kursimeve të amvisërive e tregon edhe statistika zyrtare, ku në dhjetor të vitit 2016, vlera e depozitave të qytetarëve ka qenë 217.394 milionë denarë, për tu rritur në 259.765 milionë denarë në korrik të vitit 2019, apo shënon rritje prej afër 3 miliardë e 350 milionë euro në 4 afër 4 miliardë e 220 milionë euro.
Bankierët thonë se me përjashtim të aktiviteteve bankare, vitet e fundit edhe përkundër përpjekjeve dhe angazhimeve të ndryshme, akoma nuk janë mjaftueshëm të zhvilluara mënyrat e tjera të investimit. Vlerësohet se qytetarët edhe më tej kursejnë në banka për shkak se nuk preferojnë dhe nuk kanë interesim më të madh të investojnë të hollat e tyre në forma të tjera të investimeve.
“Një numër më i vogël i qytetarëve tek ne orientohen që të blejnë aksione apo të investojnë në patundshmëri, ndërsa të tjerët nuk e praktikojnë diçka të tillë , për shkak se e llogarisin si investim më të rrezikshëm. Njëherazi akoma nuk e kemi zhvilluar kulturën e investimit për shembull në sigurimin jetësor që mbetet të promovohet me qëllim që qytetarët të dinë për përfitimet e këtij lloj investimi”, thotë për KOHA, profesori Ljube Trpevski.
Në ndërkohë, kur bëhet fjalë për kursimet, një argument shtesë në favor të kursimeve përkundër fitimit tejet të vogël apo të papërfillshëm, është edhe fakti se depozitat e qytetarëve janë të sigurta dhe stabile, ndërsa sistemi bankier është mjaft i konsoliduar dhe nën vëzhgimin dhe mbikëqyrjen e rregullt të punës nga ana e Bankës Qendrore. Njëherazi edhe Fondi për sigurimin e depozitave i siguron kursimet në denarë dhe deviza përfshi edhe kamatën e personave fizik me vlerë deri më 30 mijë euro në kundërvlerë të denarit.
Nga Banka Popullore theksojnë se kursimet kanë një rëndësi të madhe për shtetin dhe shoqërinë. Bile analizat tregojnë se në shtet është në rritje e sipër kultura e kursimit ku në dhjetë vitet e fundit në mesatare, depozitat po rriten me një shkallë prej 8 për qind në nivel vjetor duke ndihmuar dhe mbështetur edhe rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa kursimet të qytetarëve dhe bizneseve po tejkalojnë edhe 55 për qind të PBB-së vendore. Ndryshe, kursimet kanë një rëndësi të madhe edhe në rritjen ekonomike për shkak se shërbejnë si bazë solide edhe për dhënien më të madhe të kredive në shtet. (koha.mk)