Ndryshimi i çmimeve vjen si pasojë e rritjes së çmimeve të blerjes së formularëve të importuar, rritjes së kostove për mirëmbajtjen e sistemit, që kryhet nga një operator ekonomik i huaj, si dhe blerjes së makinerive të reja për shkak të nevojës së treguar për zëvendësimin e konsumuar nga makineritë e personalizimit, thonë nga MPB
Llausha ZENUNI
Shkup, 24 mars – Krijimi i dokumenteve personale nga qytetarët po bëhet më i shtrenjtë, pasi Qeveria miratoi vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, i cili duhet të hyjë në fuqi pasi të botohet në Gazetën Zyrtare. “Momentalisht janë duke u lëshuar formularët me çmimet që kanë qenë të vlefshme deri më tani. Ministria e Punëve të Brendshme, me një konkluzion të Qeverisë, zbaton procedurën për ndryshimin e vendimit për çmimin e formularëve. Vendimi ndryshon çmimet dhe ato do të zbatohen në momentin kur vendimi botohet në Gazetën Zyrtare dhe të hyjë në fuqi. Gjegjësisht, çmimi i pasaportës për personin nën 27 vjeç do të mbetet i pandryshuar dhe do të vazhdojë të jetë 1.500 denarë, por pasaporta për personin mbi 27 vjeç do të jetë 2.000 denarë, që është një rritje prej 500 denarëve. Çmimi i letërnjoftimit do të jetë 310 denarë, që është një rritje prej 120 denarë. Çmimi i patentë shoferit do të jetë 410 denarë, që është rritje për 130 denarë”, kanë thënë nga MPB.
Do të duhet të paguhet shumë më tepër për formularët e dokumenteve personale të cilat merren me procedurë të shpejtë, të cilët veçmë janë disa herë më të shtrenjtë. “Ndryshime të çmimeve dhe formularëve për procedurën emergjente do të ketë: Çmimi i pasaportës në procedurë emergjente do të jetë 6100 denarë, që është një rritje prej 1600 denarë. Çmimi i patentë shoferit me procedurë urgjente do të jetë 1230 denarë, që është një rritje prej 390 denarë”, shton MPB.
Shkak i rritjes së çmimit të këtij shërbimi publik për qytetarët janë rritja e kostove në periudhën e kaluar. “Ndryshimi i çmimeve vjen si pasojë e rritjes së çmimeve të blerjes së formularëve të importuar, rritjes së kostove për mirëmbajtjen e sistemit, që kryhet nga një operator ekonomik i huaj, si dhe blerjes së makinerive të reja për shkak të nevojës së treguar për zëvendësimin e konsumuar nga makineritë e personalizimit, etj”, shtojnë më tutje nga MPB.
Ky vendim u mor në një nga seancat e mëparshme të Qeverisë pasi u mor në shqyrtim “informacioni për nevojën e rritjes së çmimeve të shitjes së formularëve për dokumentet personale të qytetarëve (pasaportë, letërnjoftim dhe patentë shofer)”.