Drejtori i shërbimit për Ndihmë të shpejtë të Mogadishut kumtoi se në sulmin e të shtunës me kamion bombë kanë humbur jetën më shumë se 300 persona. Doktor Ambdulkadër Adam deklaroi se në disa nga orët e kaluara, shumë njerëz u janë nënshtruar plagëve. Ai gjithashtu theksoi se mes viktimave janë edhe 15 nxënës nga shkolla fillore, të cilët kanë humbur jetën kur autobusi, në të cilin kanë qenë ka kaluar në afërsi të kamionit në momentin kur ka shpërthyer.
Ky është sulmi më vdekjeprurës në historinë e Somalisë dhe pritet që numri i viktimave të rritet. Ministri Osman sulmin e cilësoi si “barbar”. Qeveria somaleze për sulmin e akuzoi grupin ekstremist Al Shabab, e cila akoma nuk është prononcuar. Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guteresh e dënoi sulmin edhe përmes Tuiterit bëri thirrje në “unitet në përballje me terrorizmin”. Departamenti amerikan i Shtetit sulmin e quajti “të çmendur dhe qyqar”, me këtë rast duke porositur se e mbështet Somalinë në luftën e saj kundër ekstremizmit. Ministri i Punëve të Jashtme të Katarit, Mohamed bin Abdulrahman al Tani deklaroi se në sulmin me bombë është goditur edhe misioni diplomatik i vendit të tij në Somali. Ai nuk komunikoi hollësi, as nuk dihet nëse mes viktimave ka shtetas të Katarit.