Merkel shtoi gjithashtu se rrugët e Gjermanisë nuk janë shtruar me flori, ndërsa i këshilloi emigrantët të mësonin të qëndronin në vendet e tyre
Presidenti i Nigerisë, Muhammad Buhari e priti kancelaren gjermane, Angela Merkel, në vilën presidenciale, Abuja. Merkel po përfundon turneun e saj në tre vende të Afrikës Perëndimore. Kancelarja gjermane në vilën presidenciale, u prezantua me disa nga anëtarët e kabinetit dhe ndihmësit presidencial , para se të mbanin në takim me dyer të mbyllura për të diskutuar mbi çështje me interes të dyanshëm si për Nigerinë ashtu edhe për Gjermaninë. Ndërkohë çështja e migracionit mbetet fokus për Merkelin. Presidenti i Nigerisë, Muhammadu Buhari deklaroi se ai kurrë nuk do të mbështesë asnjë paligjshmëri lidhur me çështjen. Ai tha se ishte kundër idesë që burra dhe gra largohen ilegalisht jashtë Nigerisë në kërkim të “kullotave më të gjelbra”.
“Administrata nuk i mbështet ata që shkojnë në Evropë, sepse sfidojnë shkretëtirën Sahara dhe Mesdheun, sepse mendojnë se ka kullota më të gjelbërta atje. Duhet të rikujtojmë se rreth gjashtë javë më parë, ne riatdhesonim rreth 3,000 nigerianë të cilët kishin mbetur në Libi në përpjekje drejt Evropës dhe gjithashtu duhet t’a keni mësuar dhe parë në televizion, numrin e madh të nigerianëve të humbur në Mesdhe”, u shpreh ai. Duke folur nëpërmjet një përkthyesi gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, Merkel dha detaje për bashkëpunimin bujqësor dhe ndihmën tjetër që po vinte në Nigeri.
Ajo gjithashtu tha se Gjermania do të ofrojë ndihmë arsimore që të rriste numrin e studentëve nigerianë që studiojnë në Gjermani. Kancelarja e shqyrtoi nevojën e Nigerisë për të përmirësuar gjendjen e ekonomisë, duke theksuar se migrantët duhet të ndërgjegjësohen për migracionin e paligjshëm në Evropë.
Merkel shtoi gjithashtu se rrugët e Gjermanisë nuk janë shtruar me flori. Ajo i këshilloi emigrantët të mësonin të qëndronin në vendet e tyre. “Duhet të përmirësohet situata në shtëpi dhe t’iu tregohet të rinjve se sa e rrezikshme është të largohen nga vendet e tyre. Shumë tregime për Gjermaninë nuk janë të vërteta”, u shpreh kancelarja. Në fund të ditës të dy vendet nënshkruan tre memorandume mirëkuptimi për bujqësinë, tregtinë dhe makinat.