E dhunuar në shtëpi nga bashkëshorti dhe e masakruar me goditje për çdo ‘like” të marrë në “Facebook”. Kështu i ka ndodhur një 21-vjeçarje nga Paraguaji, Adolfina Camelli Ortigoza. Arsyeja? Një xhelozi e fortë, e cila me kalimin e kohës, është shndërruar në fiksim. Gruaja është gjetur me fytyrën plotësisht të përçudnuar, aq sa edhe ajo vetë nuk arrinte ta besonte kur shihej para pasqyrës, duke u detyruar t’i nënshtrohej një operacioni kirurgjik. Bashkëshorti është arrestuar me akuzën e dhunës në familje dhe të rrëmbimit. 32-vjeçari Pedro Heriberto Galeano, e rrihte gruan çdo herë që nga një miqtë e saj në “Facebook” “reagonte” për foton e postuar. Kohët e fundit, agresori kishte vendosur të merrte kontrollin e profilit të saj. Megjithatë, për të mos fshirë postimet, Galeano vazhdonte të publikonte foto të gruas dhe për çdo ‘like’ të ri, e dhunonte dhe godiste. “Kontrollonte gjithçka: mesazhet, fotot dhe e akuzonte se kishte një lidhje me çdo mashkull që i bënte ‘like’ në “Facebook’”, – ka deklaruar për britaniken “Daily Mail”, avokati i Ortigozës, Arnaldo Martinez. Ai që ka kuptuar dhunën dhe ka njoftuar policinë, ka qenë babai i djalit. Ortigoza, thonë hetuesit, ka rrezikuar edhe jetën. E kanë shpëtuar në spital, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale me urgjencë. Kockën e hundës e kishte të thyer dhe buzët të gjakosura. E reja nuk i kishte humbur dhëmbët, vetëm sepse i shoqi i vendoste në gojë një protezë mbrojtëse që të mos ulërinte gjatë dhunës së përditshme barbare.