Rreziku që mund të vijë nga FaceApp

Sipas Byrosë Federale të Hetimit (FBI), FaceApp dhe të tjera aplikacione të krijuara në Rusi paraqesin një rrezik potencial të shërbimeve të spiunazhit. Këto komente të FBI-së janë bërë në një letër dërguar senatorit Chuck Schumer pasi ai kërkoi që të hapej një hetim në lidhje me aplikacionin, i cili u bë viral gjatë këtij viti. Më pas, përdorimi i tij shkaktoi debate në lidhje me privatësinë.

Komentet e FBI-së vijnë pas shqetësimeve të SHBA në lidhje me produktet që bëhen nga firmat teknologjike të huaja, të cilat mund të kenë rreziqe sigurie.

“Konsiderohet se çdo aplikacion ose produkt i ngjashëm i prodhuar në Rusi, si FaceApp, mund të jetë një kërcënim potencial i spiunazhit”, thuhet në raportin e FBI-së. Nuk ka pasur ende një reagim nga kompania Wireles Lab, e cila ka krijuar aplikacionin. Kompania e ka qendrën në Saint Petersburg dhe më herët ka thënë që nuk i ruan imazhet dhe nuk mbledh të dhëna nga përdoruesit.