Le mos harrojmë se mplakja e institucioneve do reflektojë rëndë e keq e jo më larg se në censusin e pritur në zgjedhjet presidenciale e të tjerave në vijim. Atëherë ç’kuptim ka fushata pa të rinj potencialë e ç’kuptim ka politika në një vend ku geriatria do shndërrohet në sfidë platformash politike?!
Nga Adelina MARKU
Mosha nëpër institucionet shtetërore ka rrezik të bie në mënyrë drastike dhe rreziku nga mplakja e institucioneve shtetërore është një shqetësim për politikëbërësit sot. Është madje kjo një temë që nevojitet të trajtohet edhe nëpër forumet e mediave, për më shumë të bëhet analizë nëpër universitetet tona sa për të krijuar një kuptim mbi këtë fenomen e përderisa nuk është ndezur alarmi për vonë ! Po i përmendi këtu edhe universitetet për të theksuar se nevoja afirmative e shqetësimit nga ana e tyre duhet shndërruar urgjentisht në një platformë funksionale – si të dilet nga ky hendek shoqëror e institucional. Ne jemi të gjithë dëshmitarë se numri i studentëve dita ditës po zvogëlohet nëpër tо dhe sidomos nëpër universitetet private të cilëve sipas këtij trendi , po iu kanoset edhe mbyllja .
Por çka është plakja e institucioneve? Ky fenomen ka të bëjë me rënien e kapaciteteve rigjenerative që i mundëson e krijon administrata shtetërore. Një shtet me administratë shtetërore funksionale e nikoqire, mund të bëjë çudira! Po, në shikim të parë krijohet përshtypja se punësimi i të rinjve nëpër ministritë e institucionet shtetërore është evident e i prekshëm, megjithatë numri i këtyre të punësuarve është i pamjaftueshëm për të sfiduar sfidat e kohës që vjen e të cilën e synon shteti! Fjala pamjaftueshëm ka të bëjë me : numrin, idetë dhe fuqitë shtytëse politike. Ja po mundohem t’a elaboroj këtë temë .
Përse konstatoj pamjaftueshmërinë? Pamjaftushmëria këtu mund të konkretizohet përmes një platforme sqaruese e si vijon: nëpër institucionet shtetërore ka ende të punësuar nga koha kur shteti Ishte pjesë e një shteti tjetër (federatës jugosllave) madje këta njerëz mbajnë ende pozita të larta drejtuese. Kultura organizative e institucioneve dikur, dallon nga kjo që kultivohet sot. E dikurshmja funksiononte sipas procedurave të një sistemi centralist organizativ ndërsa kjo e sotmja ndryshon sipas modeleve të një sistemi pluralist – do thosha. Në vijim, diskursi menaxherial shndërrohet shpeshherë e në varshmëri të ndryshimit të partnerëve të koalicionit në qeverisje dhe ky diskurs e shemb për aq herë administratën shtetërore për aq sa ka cikle zgjedhore në shtet. Kjo shembje e shpeshtë e bën të parehatshme dhe pakontinuitet administrativ strukturën e institucionit ku përpunohet informacioni për të krijuar një vizion zhvillimor për shtetin e shoqërinë, qytetarin në esencë. Tanimë jemi në fazën e një ngopjeje të pasistemuar nga punësimet e shumta e hazarde partiake, pa bërë paraprakisht një analizë funksionale se sa dhe për çka ka nevojë administrata shtetërore e këtu numëroj dhe administratën e komunave sidomos. Dhe në këtë drejtim, më së shumti vuajnë të rinjtë të cilët janë punësuar varësisht partnerëve të koalicionit që kanë udhëhequr me qeverisjet. Këta të rinj, sidomos të rinjtë e punësuar nga Sekretariati për Marrëveshjen e Ohrit, janë në esencë përvuajtësit e mëdhenj , sepse punësimi i tyre është bërë për në vendet e punës në poste më të ulëta organizative . Kjo, ka ndodhur jo se partitë politike nuk e kanë ditur se këtyre të rinjve iu duhet shumë e shumë kohë për t’u ngjitur më lartë kapaciteteve menaxheriale të ministrive dhe institucioneve shtetërore, por sepse nuk kanë dashur të shndërrojnë buxhetin në funksional, zhvillimor e të përdorshëm duke e shumëzuar e zëvendësuar atë me punësime nëpër poste të ulëta administrative që do garantojnë votë. Në këto nivele të ulëta punësimi, i riu, e reja nuk ka akses në vendimmarrje e as në përpunimin thelbësor të informacionit! Pamjaftueshëmria e punësimit të këtyre të rinjve shihet nga ky aspekt në kolumnën time, sepse tek e përdor këtë fjalë , unë në realitet vuaj pamundësinë e këtyre të rinjve të shprehin aftësitë e tyre në kapacitetin e tyre të vërtetë. Si vijim, ky realitet, këta të rinj i demotivon jashtëzakonisht shumë. Ose thënë troç i hendikepon para aftësive personale! Ata marrin rroga shumë të vogla, shumë nga ata udhëtojnë nga jashtë kryeqytetit e kjo atyre iu shton stërlodhjen dhe madje do thosha dhe kotësinë e të qenit burokrat i administratës shtetërore. Doemos që e gjithë kjo nuk do ndodhte sikur të mos partizohej koncepti i të punësuarve, ose të paktën, koncepti i punësimit të bëhej si rezultat i një analize funksionale zhvillimore e jo si rezultat i një përfitimi kuantitativ votuesish – të cilin shpeshherë e dëgjojmë si sukses të arritur nëpër fushatat e ndryshme të partive politike. Punësimi në administratë është iluzioni gënjeshtar që partitë politike e kanë propaganduar panda gjatë gjithë këtyre viteve në qeverisje. E vërteta është se, këta të rinj do durojnë dhjetë e më shumë vite në pozitën e burokratit që mban postin më të ulët në administratë e si rezultat, prodhimtaria e tyre ideore do minimizohet për aq sa herë ai/ajo të ndjehet i/e diskriminuar nga vetë ministria apo institucioni shtetëror që atë/atë e punëson . Le mos harrojmë edhe efektin anësor që krijon ikja masive e të rinjve nga shteti, të rinj këta të cilët e kanë kuptuar mirë fenomenin e PAMJAFTUESHMËRISË në administratën shtetërore e si vijim jetën e tyre duan t’a realizojnë jashtë e të shndërrohen në apatritëd e radhës .
Le mos harrojmë se mplakja e institucioneve do reflektojë rëndë e keq e jo më larg se në censusin e pritur në zgjedhjet presidenciale e të tjerave në vijim. Atëherë ç’kuptim ka fushata pa të rinj potencialë e ç’kuptim ka politika në një vend ku geriatria do shndërrohet në sfidë platformash politike?!
(Autorja është kolumniste e rregullt e gazetës KOHA)