Rreziku ende nuk ka kaluar!

60

Raportimet nga terreni janë shqetësuese për dy arsye: në njërën anë njerëzit pas infektimit po ngurrojnë t’iu drejtohen klinikave dhe spitaleve, kurse në anën tjetër trajtimi ndaj rasteve të reja të infektuarave nuk e ka atë kujdesin e duhur që e kishte në fillim

Nga Emin AZEMI

Beteja përfundimtare kundër virusit korona ende nuk ka përfunduar. Kjo betejë vazhdon të jetë aktive, përderisa në shtetet e ndryshme po numërohen rastet e vdekjeve. Në SHBA kjo shifër ka shkruar mbi 100 mijë. Bazuar në shifrat e publikuara nga universiteti John Hopkins, me bazë në Maryland, më shumë amerikanë kanë vdekur nga Kovid-19 se sa në luftërat e Koresë, Vietnamit, Irakut dhe Afganistanit të marra së bashku. Kurse Mbretëria e Bashkuar konfirmon se numri i vdekjeve nga koronavirusi është rritur në 29.427, duke tejkaluar kështu Italinë dhe duke u bërë vendi më i prekur nga koronavirusi në Evropë.
Ndërkohë jo pak shtete kanë paralajmëruar rikthimin e masave shtrënguese pas raportimeve për rritje të rasteve ditore me koronavirus. Siç raportohet nga Koreja Jugore – muzeumet, parqet dhe galeritë e arteve në Seul do të mbyllin dyert nga e premtja, ndërsa kompanive do t’u kërkohet që të kufizojnë oraret për punonjësit. Prej të mërkurës Maqedonia e Veriut ka hequr orën policore, e cila ishte vendosur më shumë se dy muaj më parë si masë kundër përhapjes së Kovid-19. Por, a ka vend për të marrë frymë shlirë pas heqjes së këtyre masave shtrënguese dhe a do të thotë kjo se virusi korona nuk “banon” më në këto anë?
Pikërisht këtu qëndron edhe kurthi i natyrës psikologjike të njerëzve, të cilët gjithmonë janë të prirur të ndjehen të shpenguar pas një kohë të qëndrimit nën masa shtrënguese. Kjo po ndodhë aktualisht edhe me disa mjedise dhe lagje tona, ku njerëzit para kohe po i gëzohen masave lehtësuese, që në fakt nuk e shprehin gjendjen faktike në terren. Ajo çka është brengosëse ditëve të fundit lidhet me shkujdesjen e tepruar të njerëzve gjatë ndejave familjare dhe sidomos gjatë ditëve të festës së Fitër Bajramit. Raportimet nga terreni janë shqetësuese për dy arsye: në njërën anë njerëzit pas infektimit po ngurrojnë t’iu drejtohen klinikave dhe spitaleve, kurse në anën tjetër trajtimi ndaj rasteve të reja të infektuarave nuk e ka atë kujdesin e duhur që e kishte në fillim.

Për pasojë, mund të ketë bilanc shumë negativ nga kjo gjendje, prandaj rruga e vetme për të shpëtuar nga vala e dytë e pandemisë është njerëzit të jenë shumë të kujdesshëm, duke iu përmbajtur masave parandaluese, siç janë mbajtja e mjeteve mbrojtëse, ikja e grumbullimit dhe e përshëndetjes tradicionale, mbajtja e distancës fizike dhe gjithsesi kujdesi maksimal i mirëmbajtjes higjienike të ambienteve ku lëvizim.
Nëse në botë ka shtete që kanë paralajmëruar rikthimin e masave shtrënguese pas raportimeve për rritje të rasteve ditore me koronavirus, ky duhet të jetë një sinjal alarmi edhe për ne, sidomos për ata që po e neglizhojnë skajshmërisht situatën dhe po i japin vetes të drejtë ta shpallin të vdekur virusin Kovid-19. Rreziku për rikthimin e masave shtrënguese tani për tani është minimal, por nëse vazhdon “sallamadia” alla shqiptarçe, ky rrezik mund të bëhet shumë real dhe pasojat të jenë shumëfish më fatale! (koha.mk)

Comments are closed.