Vullnetarët rrezikojnë jetën e tyre për të shpëtuar dhjetëra mijëra kafshë të mbetura në mëshirën e një vullkani që “rënkon” në ishullin turistik të Balit, duke bërë udhëtime të rrezikshme në zonën e kuqe për t’i zhvendosur ato. Mali Agung, rreth 75 km larg qendrës turistike të Kutas, është tronditur që nga gushti, duke shkaktuar largimin e 144 mijë njerëzve nga zona, teksa ekspertët paralajmërojnë se një shpërthim mund të jetë i afërt. Ndërsa të shpërngulurit janë derdhur në strehimore të përkohshme ose kanë lëvizur me të afërmit, kafshët – duke përfshirë majmunët e egër, si dhe qentë dhe kafshët e fermave siç janë derrat, pulat dhe lopët – janë lënë në zonën e rrezikut. “Unë jam shumë i shqetësuar sepse të gjithë ne që punojmë së bashku për të shpëtuar kafshët nuk e dinë kur do të jetë shpërthimi”, tha Vio Verandhini, nga Rrjeti i Ndihmës për Kafshët në Xhakarta. Ai dhe 12 persona të tjerë, kanë bërë udhëtime të rrezikshme në zonën e kuqe, e cila shtrihet në mes të 9 dhe 12 km larg qendrës së vullkanit. Kafshët zhvendosen në strehimore ku ushqehen dhe kujdesen dhe pronarët inkurajohen që të vizitojnë sa më shpesh që të jetë e mundur për të siguruar mirëmbajtjen e tyre. Retë e avullit të bardhë mbi krater janë vërejtur me frekuencë më të madhe gjatë tre ditëve të fundit, duke rritur probabilitetin e një shpërthimi. Rreth 10,000 lopë janë zhvendosur deri më tani në një evakuim të ndihmuar nga qeveria, tha agjencia për zvogëlimin e fatkeqësive të Indonezisë, por ka rreth 20,000 të tjera për t’u zhvendosur.