Shoqata e Maqedonisë së Minierave sërish ka kërkuar që të mos miratohen ndryshimet e Ligjit për lëndë të para minerale me procedurë të shkurtuar. Ambientalistët thonë se ndryshimet e legjislacionit propozohen për shkak të mbrojtjes afatgjatë të ambientit dhe shëndetit të popullatës që jeton në afërsi të minierave
Fisnik Pasholli
Shkup, 23 korrik- Shoqata e Maqedonisë së Minierave sërish ka përsëritur apelin e saj , për të disa-tën herë pas vitit të ri , që të mos miratohen ndryshimet e Ligjit për lëndë të para minerale me procedurë të shkurtuar . Nga atje kërkojnë që para miratimit të ligjeve të vijojë një debat gjithëpërfshirës me të gjithë palët e interesuara duke filluar nga shteti , komuniteti i biznesit dhe sektori joqeveritar , me qëllim që të dëshmohet se ekzistojnë edhe ndotës të tjerë të ambientit së bashku me minierat. Miratimi i Ligjit pas kalimit në komisionin amë të legjislacionin, gjendet para miratimit nga ana e Kuvendit të Maqedonisë, andaj përfaqësuesit e minierave kanë një lutje deri tek të zgjedhurit e popullit të mendohen mirë para se të votojnë ndryshimet ligjore, me qëllim që të mos dëmtohet puna e kësaj dege të rëndësishme ekonomike për shtetin.
“ Ndryshimet e ligjit janë të dëmshme, jologjike , selektive , të paqarta dhe të pazbatueshme në praktikë. Ato shtyhen për tu miratuar me procedurë të shpejtë , përkundër faktit se të njëjtat nuk do të zgjidhin asgjë, por përkundrazi edhe më tej do të komplikojnë situatën.” thotë Nikollajço Nikollov, kryetar i Shoqatës së minierave të Maqedonisë.
Sipas tij, nëse me të vërtetë dëshmohet se minierat janë ai fakto që ndot ambientin , ne të parët do të tërhiqemi nga ky ligj.
Nga Shoqata e Minierave të Maqedonisë, kohë më parë kanë hedhur poshtë pretendimet në Propozim-tekstin e ligjit , se ndryshimet ligjore nuk do të kenë pasoja financiare. Sipas përfaqësuesve të industrisë së mineraleve ,vetëm nga ndërprerja eventuale e marrëveshjeve për koncesione dëmet do të arrinin një deri tre miliardë euro. Këtë shumë mund ta paguajë shteti nëse dënohet për shkak të ndërprerjes së njëanshme të marrëveshjes, sipas Ligjit për koncesione dhe partneritet privat dhe publik dhe nenit 45 të këtij ligji.
Propozues të ndryshimit të Ligjit për lëndë të para minerale me procedurë të shkurtuar janë deputetët Lijljana Popovska, Meri Lazarova Ivana Tufegxhiq, Keti Smileska, Goran Milevski, Pavle Bogovski dhe Dime Velkovski.
Një nga propozuesit e ligjit, deputetja Liljana Popovska, njëherësh edhe kryetare e partisë së gjelbër “Dom “, kohë më parë deklaroi se ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për lëndë minerale propozohen për shkak të mbrojtjes afatgjatë të ambientit dhe shëndetit të popullatës që jeton në afërsi të minierave , si dhe për të penguar zbatimi I teknologjive që përdorin supstanca të rrezikshme. Duke pasur parasysh dimensionet e vendit tonë , si dhe faktit se ekosistemi është një tërësi , atëherë mund të thuhet se rreziku ju kanoset qytetarëve të gjithë Maqedonisë dhe rajonit më të gjërë , përtej kufijve të Maqedonisë, shton më tej ajo.
Nga DOM thonë se rrezik potencial nga cianidi, ekziston edhe nga afër 80 koncesione të tjera të lëshuara për hulumtime gjeologjike . Pas kësaj mund të priten edhe një numër po aq i madh i koncesioneve të reja për eksploatimin e lëndëve të para minerale.
Me ndryshimet ligjore do të ndalohet përdorimi i cianidit, acidit sulfurik dhe supstancave të tjera të dëmshme gjatë hulumtimeve gjeologjike, përpunimit dhe eksploatimit të lëndëve të para minerale Për prodhimin e prodhimeve të gatshme prej mineraleve, tek xehet e caktuara përdoret cianidi dhe acidi sulfurik në sasi të buta të lejuara sipas standardeve botërore.
Në ndërkohë, ambientalistët thonë se përdorimi i cianidit dhe hapja e minierave të reja do të shkaktojë shpërnguljen e numrit të madh të banorëve. Përfaqësuesit e minierave thonë se këto materie nuk janë të dëmshme për ambientin, përdoren në shumë sektorë si mekanizimi bujqësor, mbrojtjen e bimëve , ndërsa shtojnë se nuk ka dëshmi se dikush është sëmurë nga këto materie.
Nga ana tjetër, industria e minierës numëron 12.600 të punësuar, ndërsa eksporti arrin 180 milionë dollarë në vit.
Sipas përfaqësuesve të kësaj shoqata deputetët praktikisht do t’i mbyllin të tre minierat për plumb dhe zink, Sasa, Zlletovë i Toranicë. Me ndryshimet kërkohet që të mos përdoret cianid në procesin teknologjik, gjë që sipas përfaqësuesve të sektorit të xehetarisë është procedurë e zakonshme dhe e lejuar edhe në vendet e Bashkimit Evropian.
Edhe nga Sindikata e industrisë, energjetikës dhe minierave kanë kërkuar të tërhiqen propozim ndryshimet e Ligjit për lëndë minerale. Nga atje thonë se nëse nevojitet të përkufizohet përdorimi i disa substancave të rrezikshme për shëndetin e njeriut dhe ambientit, atëherë kjo nevojitet të bëhet sipas normave të njohura botërore dhe në bazë të analizës gjithëpërfshirëse të gjendjes dhe pasojave. Nga Sindikata e minierave shtojnë më tej se në bujqësinë e Maqedonisë përdoren disa herë më shumë cianid se sa në xehetari.
Ndryshe , një shkaqet kryesore të ndryshimeve të këtij ligji , ishin koncesionet e lëshuara për minierat sipërfaqësore të bakrit, Kazandoll në Vallandovë dhe Illovica në Bosillovë, të cilat në punën e tyre përdorin sasi të mëdha acidit sulfurik apo të cianidit. Me këtë rast në dy vitet e fundit kishte bujë të madh në tërë vendin, ndërsa u organizuan edhe referendume për ndalimin e punës së minierave. (koha.mk)