Vlerësohet se ndikimi më i madh i krizës do të jetë tek punëtorët dhe mikro-ndërmarrjet që kanë pozita të prekshme apo të cenueshme në tregun e punës e që rrezikojnë të përkeqësojnë varfërinë e punës dhe pabarazitë ekzistuese
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 6 qershor – Pandemia e koronavirusit ka filluar të tregojë rezultatet negative edhe në tregun e punës në Maqedoninë e Veriut. Vetëm në periudhën prej 11 marsit dhe deri më 31 maj të viti 2020, kanë mbetur pa punë 11.904 persona që paraprakisht kanë qenë të paraqitur edhe zyrtarisht nga punëdhënësit dhe për të cilat janë paguar edhe kontributet , tregojnë të dhënat zyrtare të Agjencisë së Punësimit, shkruan gazeta KOHA. Të dhënat më tej tregojnë se ndërprerja e marrëdhënies së punës për 5703 persona ka ndodhur për shkak të skadimit të afatit për punësim në kohë të caktuar, 3082 persona kanë ndërprerë punë me marrëveshje, 1169 persona kanë fituar lëshim nga puna nga punëdhënësi, 1112 punëtorë vetë kanë lëshuar punën, 380 persona kanë mbetur pa punë si rrjedhojë e tepricës teknologjike apo ndryshimeve ekonomike dhe organizative, 104 persona janë papunë për shkak të falimentimit të kompanisë, 76 persona për shkak të ndërprerjes së punës së punëdhënësit dhe 278 persona kanë mbetur pa punë për shkaqe të tjera.
Gjithashtu, statistika zbardh se një e treta e të papunëve në tre muajt e fundit janë nga fabrikat e ndryshme, afër 20 për qind kanë qenë të punësuar në tregti, ndërsa afër 12 për qind kanë qenë të punësuar në hoteleri. Në ndërkohë, njohësit e tregut të punës thonë se është mjaft e vështirë të parashikohet se sa punëtorë do të mbesin pa punë në periudhën e ardhshme si rrjedhojë e krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia e Kovid-19. Analizat e Organizatës ndërkombëtare të punës tregojnë se afër 30 mijë të punësuar rrezikojnë vendet e punës si rrjedhojë e krizës ekonomike dhe financiare të shkaktuar nga Kovid-19. Në Maqedoninë e Veriut më të ekspozuara dhe të prekura mbeten nëntë sektorë dhe atë veprimtaritë e shërbimit të ushqimit dhe pijeve, tregtia me pakicë, transporti tokësor, aktivitetet e magazinimit dhe ndihmës për transport, veprimtari të tjera shërbyese personale, prodhimi i produkteve ushqimore, ndërtimi i ndërtesave, aktivitetet e specializuara të ndërtimi dhe shërbime që lidhen me ndërtesat.
“Në këto nëntë sektorë, pothuajse 27.000 individë punojnë për llogarinë e tyre, ndërsa mbi 33.000 janë punëtorë në të zezë. Gjithashtu, 50.000 punëtorë punojnë në ndërmarrje të vogla apo mikro që punësojnë deri nëntë punëtorë, ndërsa mbi 33.000 punëtorë kanë vetëm një kontratë me afat të caktuar, dhe afër 30.000 të tjerë kanë kontrata të tjera atipike. Andaj edhe numri kumulativ i punëtorëve që kanë rrezik më të lartë të humbjes së vendeve të punës dhe të ardhurave të tyre është rreth 4 deri në 5 për qind të punësimit të përgjithshëm në Maqedoninë e Veriut”, theksohet më tej në analiza. Gjithashtu, vlerësohet se ndikimi më i madh i krizës tek punëtorët dhe mikro-ndërmarrjet që kanë pozita të prekshme apo të cenueshme në tregun e punës, po rrezikojnë të përkeqësojë varfërinë e punës dhe pabarazitë ekzistuese. Raporti “Vlerësimi i shpejtë i Kovid-19”, i përgatitur edhe me ndihmën e Bankës Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim, dhe me kërkesë të Këshillit ekonomike social në vend, sugjeron edhe opsionet për zgjerimin e mbrojtjes së punëtorëve dhe familjeve.
Ndër të tjerash rekomandohet edhe vendosja e ndihmës paushall dhe të përkohshme të papunësisë, e paguar çdo muaj për një maksimum prej gjashtë muajsh. Ajo do të zgjerohet në mënyrë të konsiderueshme duke njohur uljen e mundësive të kërkimit të vendeve të punës për të papunët, do të zgjerohet edhe tek të papunët me punë të përkohshme ose që kanë pasur një kontratë shërbimi gjatë të paktën dy javësh në periudhën tetor 2019-mars 2020, dhe potencialisht për të gjithë ata që po kërkonin punë në mënyrë aktive punë para muajit mars të vitit 2020. Propozohet edhe zgjerimi i kategorisë së firmave që mund të përdorin masat për ruajtjen e vendeve të punës. Analiza sugjeron vendosjen e një kategorie të ndërmjetme të firmave të pranueshme për masat e mbajtjes së vendit të punës (ndërmjet 10 dhe 30 për qind humbje e qarkullimit), dhe duke u ofruar atyre 50 për qind të subvencionit të plotë për të zbutur papunësinë. Njëherësh zgjatja e periudhës së pranueshme të programit për mbajtjen e vendit të punës duhet të përfshijë gjysmën e dytë të mars dhe deri në fund të Qershorit. Propozohet edhe lehtësimi i kritereve për fitimin e ndihmës sociale si dhe vendosja e paushallit të subvencioneve të kostos të energjisë për ata që mund të dëshmojnë se të ardhurat shtëpiake janë zvogëluar për më shumë se 50 për qind për shkak të krizës.
Njëherësh rekomandohet edhe forcimi dhe shpërndarja e paketës së masave në përputhje me nevojat specifike dhe bazuar në dialog me palët e interesuara përkatëse. Për shembull, do të ishte e rëndësishme të lehtësohet hyrja e mikro-ndërmarrjeve në kreditë e subvencionuara të likuiditetit , që janë më të goditura nga humbja e të ardhurave, ndërsa kanë më pak fonde të veta për të kapërcyer periudhën e aktivitetit ekonomik të zvogëluar. (koha.mk)