Driton ZENKU
Gostivar, 16 shkurt – Përdorimi gjithnjë e në rritje e rrjeteve të ndryshme sociale në internet, duket se po rrit edhe rastet e keqpërdorimeve të të dhënave personale, shkruan gazeta KOHA. Rëndësia e të dhënave është e njohur që në fillimet e para të njerëzimit. Të dhënat, që moti, mblidhen në mënyrë të organizuar nga ana e institucioneve shtetërore që nga lindja e individit. Pra ditëlindja, vendlindja, gjinia, kombësia, prindërit, adresa e të tjerë. Këto të dhëna edhe pse të pakta ndihmojnë në nxjerrjen e informacioneve, madje edhe në përpilimin e parashikimeve mbi të ardhmen e individëve të caktuar. Kjo është zanafilla nga e cila fillon çështja e ndërtimit të profilit dhe baza mbi të cilën ngrihet i tërë profili i një njeriut Për të arritur deri tek të dhënat (informacionet) njerëzit kanë shkuar tek burimi i të dhënave, qoftë përmes rrugëve legale apo përmes atyre ilegale. Me paraqitjen dhe zhvillimin e teknologjive informative kjo qasje tradicionale ka ndryshuar. Tani mbledhësit e të dhënave zhvillojnë mjete të cilat ndihmojnë në mbledhjen e tyre qoftë përmes instalimit të tyre, qoftë përmes shfrytëzimit të tyre për të nxitur njerëzit, kompanitë, institucionet për të shpërndarë të dhëna. Ekspertët ndajnë bindjen se vetëm mjeti elektronik i pa kyçur në internet ose në ndonjë lloj tjetër të rrjetit është i sigurt nga shpërndarja e të dhënave. “Me tu kyçur në internet, madje edhe pa dhënë vullnetarisht asnjë të dhënë, ekziston rreziku i qasjes së pa lejuar, për të kopjuar të dhënat, në kompjuterin tuaj. Ky lloj rreziku mund të shpie drejt cenimit jo vetëm të privatësisë së individit por edhe të jetës së tij/saj. Në këtë lloj rreziku e shpiem ne vetë veten tonë. Shumica e formularëve për regjistrim falas ose/edhe me pagesë, për shërbimet e ndryshme në internet, përveç fushave të domosdoshme përmbajnë edhe fusha tjera të cilat nuk janë të domosdoshme për plotësim. Mbushja e këtyre fushave pa pasur kujdes është një veprim i mosrespektimit të privatësisë personale gjë që mund të jetë në dëm personal”, thotë për KOHA, Agron Bexheti, inxhinier i informatikës. Sipas tij, tre nga veprimet më të rrezikshme ku përdoruesit pothuajse nuk tregojnë fare kujdes, janë instalimi i programeve falas pa u informuar fare rreth programit të caktuar dhe pa përcjellë fare hapat e instalimit, nga përtacia për të mbushur formularë nëpër faqe për regjistrim shumica e përdoruesve, thjeshtë, kyçen përmes llogarive të tyre shumë të rëndësishme ku kanë shumë të dhëna personale si Google ose Facebook gjë që, varësisht nga ofruesit e shërbimeve, me këtë akt jepet e drejta për qasjen dhe kopjimin e të dhënave të ndryshme nga profili personal, si dhe dhënia e lejes për qasje në llogarinë tuaj qoftë në Facebook, Google ose llogaritë tjera për të pasur mundësi shkarkimi të ndonjë aplikacioni për kompjuter apo celularë të mençur lejon ofruesit e këtyre shtesave që me lejen e përdoruesit t’i qasen dhe të kopjojnë të dhënat personale. Nga Policia e Gostivarit thonë se edhe keqpërdorimit janë evidente. “Sektori i Punëve të Brendshme në Tetovë, rikujtoj qytetarët se keqpërdorimi i të dhënave personale, paraqet vepër penale, për çka parashihet gjoba në të holla dhe masë burgimi madje prej 1 viti. Në qoftë se keqpërdorimi bëhet nga persona zyrtar gjatë orarit të punës, parashihet burgim nga 3 muaj deri 3 vite. Në këtë kontekst, apelohet deri te shfrytëzuesit e rrjeteve sociale të përmbahen nga keqpërdorimet e tilla, por të jenë të kujdesshëm edhe nga ndarja me personat e tjerë të të dhënave personale, ngase edhe ato mund të jenë cak i keqpërdorimeve”, thotë për gazetën KOHA, Marjan Josifoski, zëdhënës i SPB-së në Tetovë.
Pos denoncimeve zyrtare në polici, më në numër konsiderohen të jenë rastet e pa denoncuara, mbase kohëve të fundit rastet e keqpërdorimeve të kësaj natyre, janë bërë përditshmëri e personave të pandërgjegjshëm. “Me dënimin që parashihet në nenin 1, ndëshkohet personi i cili do të hyjë në sistemin kompjuterik të të dhënave me qëllim që të njëjtat t’i shfrytëzoje për vete ose për person të tretë duke arritur deri tek përfitimet personale, ose duke e dëmtuar personin në fjalë. Nëse veprën e bën personi zyrtar gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, do të dënohet me burgim nga 3 muaj deri 3 vite. Tentimi është i dënueshëm. Nëse veprën e tillë e kryen person fizik, do të gjobitet me gjobë financiare”, sqaron juristi Blerim Shabani. Shumica e ankesave për keqpërdorimin e të dhënave personale kanë të bëjnë me krijimin e profileve të rreme në rrjetin social “Facebook”, ose me vjedhjen e fjalëkalimit të profilit në këtë rrjet social. Këto janë të dhënat e Drejtorisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në Maqedoni.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.