Urim HASIPI
Tetovë, 6 janar – Një pjesë e bulevardit “Bllagoja Toska” që lidhet me rrugën tek Kazerma e qytetit të Tetovës vazhdon të jetë e papërfunduar, shkruan gazeta KOHA. Rruga që u rregullua gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të vitit 2017, tashmë vazhdon të jetë një pengesë e madhe për drejtuesit e automjeteve të cilët përballen me mungesë të shenjave të komunikacionit. Në këtë rrugë, ku tashmë është ndërtuar edhe një rrethrrotullim e ku drejtohen automjetet për tek stadiumi dhe më pas në drejtim të rrugës Tetovë-Jazhincë, orientimi i vozitësve është shumë problematik. Më shumë vështirësi hasin ata që për herë të parë kalojnë në këtë rrugë, e cila krahas mungesës së shenjave poashtu në vazhdimin e saj është e paasfaltuar dhe shpeshherë vozitësit vazhdojnë në atë rrugë, e cila gjatë kësaj periudhe është pothuajse e pakalueshme. “Nuk kemi asnjë shenjë për të na orientuar që të vazhdojnë në rrugën regjionale. Prej verës së vitit të kaluar është në këtë gjendje. Disa herë kemi vazhduar drejt, por atje rruga është e papërfunduar dhe pa e rregulluar por që është me e keqja – nuk ka shenja paralajmëruese”, thotë Bekimi, një vozitës nga Tetova. Ai apelon që në këtë unazë të vendosen shenja paralajmëruese sepse jo gjithë vozitësit e dinë se duhet të devijojnë për të dalë në rrugën kryesore. Krahas vozitësve të qytetit dhe rrethinës, problem është edhe për vozitësit që si destnacion kanë vendkalimin kufitar në Jazhincë dhe vështirë e kanë të orientohen në këtë pjesë të rrugës, sepse mungojnë shenjat elementare paralajmëruese që më lehtë ta kenë sidomos edhe automjetet e rënda. Nga Komuna e Tetovës njoftuan se janë koordinuar me policinë që të vendosen shenja orientuese në këtë pjesë.
“Nga mbledhja e mbajtur të enjten në hapësirat e Sektorit për veprimtari komunale dhe mbrojtje të ambientit jetësor dhe natyrë, me përfaqësues të Policisë, u vendos që në bulevardin ‘Bllagoja Toska’ në pjesën ku është në proces të ndërtimit përreth Kazermës të qytetit në unazën e ndërtuar, të vendosen shenjat e komunikacionit dhe njëkohësisht të ndalohet qarkullimi i komunikacionit në drejtim të rrugës regjionale Tetovë-Jazhincë dhe anasjelltas. Për momentin, jemi në fazën e projektit për shpronësimin e tokës ndërtimore të së njëjtës rrugë”, tha për KOHA, Memet Jonuzi nga Sektori për veprimtari komunale dhe mbrojtje të ambientit jetësor dhe natyrë pranë Komunës së Tetovës. Përndryshe, kjo rrugë është asfaltuar gjatë muajit gusht të vitit të kaluar. Pikërisht zgjatja e punëve në këtë rrugë kishte bërë që komunikacioni të devijohej për në rrugë tjera, sidomos në pjesën për tek shkolla e muzikës dhe nëpër lagjen Cetinska që kishte krijuar edhe shumë kaos në komunikacionin rrugor në pjesën e qytetit për tek rruga Tetovë-Jazhincë, por e njëjta ka ngelur pa u përfunduar edhe për një pjesën e cila shfrytëzohet nga banorët e lagjes Drenovec që do të lehtësonte në masë të madhe edhe rrugën që është përgjatë stadiumit të qytetit. Shkak për këtë, sipas informacioneve, është mos përfundimi i eksproprijimit. Nga Sektori për veprimtari komunale dhe mbrojtje të ambientit jetësor dhe natyrë pranë Komunës së Tetovës thonë se në muajin mars do të rifillojnë punët edhe në atë pjesë. (koha.mk)