Shkup, 22 janar – Në Komunën e Çairit sot fillojnë punët ndërtimore për rrethrrotullimin e ri, i cili do të shtrihet mes rrugëve “Brigada e Dytë Maqedonase” dhe “Qemal Sejfulla”.
Kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov sot tha se, krahas rrethrrotullimit, në lokacionin e ri do të ndërrohen tërësisht rrjeti ujësjellës dhe ai i kanalizimit, do të instalohen edhe 40 kandellabra me lartësi prej shtatë metrave, me qëllim që të ndriçohet tërë kjo hapësirë.
Presim që punët ndërtimore, varësisht nga kushtet kohore, të përfundojnë për dy muaj. Tërë investimi për këtë projekt është me vlerë prej 19 milionë denarë”, tha Shilegov.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve rreth informatës që u publikua në mediume, ai tha se në vend në periudhë prej dy viteve janë importuar rreth shtatë milionë tonë mbeturina, tha se nga ajo që e ka kuptuar nga Ministria e Ambientit të Jetesës, nuk bëhet fjalë për mbeturina që duhet të deponohet, por për mbeturina që shfrytëzohen për qëllime industriale.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu me këtë rast tha se edhe një premtim të dhënë nga ana e tyre po bëhet realitet.
“Me kryetarin e Qytetit të Shkupit Petre Shilegov paralajmëruam fillimin e procesit të punës për ndërtimin e rrethrrotullimit në udhëkryqin që lidh bulevardin ‘Brigada e Dytë Maqedonase’ dhe rrugën ‘Kemal Sejfulla’. Vlera e projektit është 19,5 milionë denarë, radiusi 11,5 metra, 40 kandellabra të reja për ndriçim dhe Rrjet të ujësjellësit, kanalizim atmosferik dhe fekal. Koha e paraparë e realizimit është dy muaj”, ka shkruar Ganiu në profilin e tij në Fejsbuk.