Jacky Chen nga Tajvani, ëndrra e të cilit është që me biçikletë t’i dalë rreth e rrotull botës, po qëndron këto ditë në Turqi, që është vendi i 33-të në rrugën e tij. Në rrugën rreth e qark botës, Chen nga Alaska u nis në vitin 2015, ndërsa mbërriti në Turqi në fillim të marsit. Ai për pesë vite planifikon të vizitojë më shumë se 100 vende, por mori vendim për vazhdimin e një viti tjetër, dhe në vitin 2021 ai duhet të mbërrijë në Tajvan.
Për Anadolu Agency (AA) deklaroi se në rrjetin social Facebook ka krijuar faqen ”Jacky Chen – Go or Die”, me dëshirë që miqve t’ua tregojë botën ndërsa për të rinjtë të jetë shembull. I vetëdijshëm për vështirësitë me të cilat mund të përballet, Chen udhëtimin e tij e planifikoi për dy vite, mblodhi para, ndërsa në fund braktisi punën e inxhinierit të elektroteknikës. “Shkaku për të cilin jam nisur në rrugë është dëshira që me miqtë të ndajë bukuritë e botës dhe të realizoj ëndrrën për rreth e qark botës me biçikletë”, tha ai.
Pasi kaloi Amerikën, Chen me avion kaloi në Evropë. “Për shkak të kushteve klimatike vizitova vetëm vendet në jug të Evropës. Kur erdha në Turqi, hasa në borë dhe mot të ftohtë. Ishte pika më e rëndë e udhëtimit tim”, shtoi ai. Përveç kushteve të papërshtatshme klimatike në Turqi, Chen në udhëtimin e tij gjatë tre viteve u përball me shumë Aventura.
Shpesh herë kampoi teksa kaloi nga Alaska dhe Kanadaja. “Gjatë udhëtimit hasa në arinj, por nuk më sulmuan”, tha Chen. Në Vancouver, Kanada, ia vodhën biçikletën, por e gjeti ditën e ardhshme. Sponsor e ka një kompani nga Tajvani, e cila në Meksikë i dhuroi biçikletë të re ndërsa ndihmon edhe në servisimin e biçkletës në vendet nëpër të cilat kalon.
Chen është bindur për mikpritjen e njerëzve në vendet nëpër të cilat kaloi, sidomos në Turqi ku e kanë ftuar në shtëpi. Teksa kamponte në disa lokacione, njerëzit i ofronin çaj. Ai tha se nuk ka patur kurrfarë probleme të sigurisë, ndërsa Stambolli dhe Izmiri i kanë lënë përshtypje të veçantë.
Pas Turqisë ka ndërmend të kthehet në Bullgari, prej ku do të udhëtojë në Evropën Veriore dhe më pas në Afrikë. Pastaj ka ndërmend të vizitojë vendet e Kaukazit, Azinë e Mesme dhe Jugore dhe vendet e Paqësorit. Kur të kthehet në shtëpi, synon të bëjë një plan për aventura të reja, por momentalisht është i fokusuar për rrugën rreth e për qark botës. Ëndrra e tij është që pas rrumbullakimit të rrugës rreth botës të shkruajë një libër për aventurat e tij dhe të ligjërojë në shkolla.