Komunat, organizatat qytetare, shkollat, universitetet, shoqatat e biznesit dhe subjekte të tjera jofitimprurëse nga Maqedonia e Veriut në partneritet me subjekte të tjera nga Kosova mund të aplikojnë në thirrjen publike për projekte për bashkëpunim ndërkufitar të financuar nga programi IPA II, për të cilat janë paraparë rreth dy milionë euro.
Nxitja e turizmit, trashëgimisë kulturore dhe natyrore, ruajtja e mjedisit jetësor, promovimi i përshtatjes dhe zbutja e ndryshimeve klimatike, si dhe parandalimi dhe menaxhimi me rreziqe janë sferat në të cilat duhet të fokusohen këto projekte. Thirrja publike është publikuar dje, ndërsa do të zgjasë deri më 20 maj. Çdo aplikues mund të aplikojë me projekt në vlerë prej 150 mijë euro deri në 500 mijë euro.
Siç informoi në konferencën e sotme për shtyp ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Suhejl Fazliu, mjetet për bashkëfinancim në shumë prej 15 për qind për projektet të cilat implementohen në vend do të sigurohen nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale.
Me thirrjen nga ana jonë janë rajonet ndërkufitare në rajonin planor të Pollogut, Shkupit dhe ai Verilindor.
“I inkurajoj të gjithë të interesuarit të paraqiten dhe të shfrytëzojnë mundësinë të bëjnë diçka më tepër për veten e tyre, për komunën, për regjionin ndërkufitar dhe për shtetin. Projektet për bashkëpunim ndërkufitarë janë mundësi e shkëlqyeshme të punojmë bashkërisht në zgjidhjen e çështjeve regjionale, të shkëmbejmë informacione, të njihemi më mirë dhe të vendosim lidhje bashkëpunimi të cilat mund të zgjerohen edhe në fusha tjera. Qëllimi ynë është që në periudhën e dytë programore, të arrijmë shkallë të lartë të realizueshmërisë në mbi 90 për qind të mjeteve financiare që janë në dispozicion nga Bashkimi Evropian”, tha ministri i Vetëqeverisjes Lokale Suhejl Fazliu.
Programi për bashkëpunim ndërkufitarë ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës 2014-2020 filloi të implementohet në janar të vitit 2016 ndërsa në disponim ka buxhet prej 8.4 milionë euro për projekte të përbashkëta. Deri tani, përmes këtij programi, janë financuar nëntë projekte me vlerë prej 2.5 milionë euro për përfituesit e granteve nga të dy anët e kufirit që janë në fazën e implementimit.
Si shembuj Fazliu i theksoi rinovimin e tregut në Kumanovë, ndërtimin e shtigjeve të këmbësorëve në Kriva Pallankë dhe shtigjeve të këmbësorëve në Malin Sharr me shenja përkatëse turistike, info-qendrën turistike smart në Tetovë si edhe qendrën për trajnimin e grave dhe të rinjve në Kumanovë.
Pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës është paraqitur interesimi për financimin e projekteve të ndryshme në rajonin e Prespës prej të dyja anëve të kufirit.
Fazliu theksoi se hap i parë i nismës për hapjen e vendkalimit kufitar “Markova Noga”, me çka do të përmirësohet komunikimi midis qytetarëve, ndërsa do të hapet edhe rruga për zhvillim ekonomik në këtë rajon.
Përfaqësuesit e BE-së tashmë e kanë vizituar rajonin e Prespës, kanë bërë analiza, prej të cilave do të dalin projekte të ndryshme, të cilat do të financohen nga BE-ja.(koha.mk)