Në Maqedoninë e Veriut aktualisht janë të regjistruara vetëm 55 kooperativa, ku janë të angazhuar vetëm tre për qind e të rinjve dhe vetëm 16 për qind e grave. Bashkimi Evropian ndau 50 mijë euro grante, 20 për qind prej të cilëve ishte pjesëmarrje vetanake për 9 kooperativa ekzistuese dhe 8 të reja për blerjen e mekanizimit bujqësor
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 5 dhjetor – Përvojat evropiane tregojnë se bujqit e organizuar në koperativa kanë sukses në treg, më lehtë shesin prodhimet e tyre si dhe organizojnë punën e tyre. Në Maqedoninë e Veriut aktualisht janë të regjistruara vetëm 55 kooperativa, ku janë të angazhuar vetëm tre për qind e të rinjve dhe vetëm 16 për qind e grave. Pra, në vend jo vetëm një mungon bashkimi i punës së fermerëve por mungon edhe përfaqësim i tyre më i madh në aspektin e rinisë dhe barazisë gjinore. Në favor të fuqizimit të kooperativave në vend, krahas Ministrisë së Bujqësisë, po ndihmon edhe Bashkimi Evropian që të hënën ndau 50 mijë euro grante, 20 për qind prej të cilëve ishte pjesëmarrje vetanake për 9 kooperativa ekzistuese dhe 8 të reja për blerjen e mekanizimit bujqësor . Ndër përfituesit e grantit ishte edhe e vetmja kooperativa e fermerëve shqiptar që fitoi grant evropian, “Krani” nga Resnja. “Jemi të kënaqur me përkrahjen evropiane në të holla që do të mbështesë edhe më tej punën e kooperativës sonë ku do të blejmë traktorë dhe pjesë të tjera të mekanizimit bujqësor. Mirëpo një mbështetje edhe më e madhe për punën tonë do të ishte përkrahja nga ana e shtetit e cila nuk mungon, por mund të zgjerohet me një ndihmë më të madhe për shembull për ndërtimin e një frigoriferi industrial”, thotë Ismail Sadiku nga Koperativa “Krani”.
Sipas tij puna në bujqësi nuk është e lehtë, por prej saj mund të jetohet me një përkushtim dhe angazhim serioz. Lidhur me interesimin e të rinjve për tu marrë me bujqësi, Sadiku vlerëson se të rinjtë që kanë mundësi dhe kushte do të merren me bujqësi, në rast se nuk e kanë mendjen të punojnë dhe jetojnë jashtë shtetit. Në ndërkohë Nikolla Bertolini nga zyra e BE-së në Shkup thotë se totali i përkrahjes për fermerët me këtë projekt është 891.357 euro që së bashku me kofinancimin arrin në 1.3 milion euro. Sipas tij, kjo mbështetje synon inkuadrimin më të madh të rinjve dhe grave në bujqësi përmes kooperativave si dhe do ndihmojë që edhe fermerët në vend , ngadalë ti afrohen edhe trendeve evropiane të punës në kooperativa, ku 40 për qind e fermerëve në BE janë të organizuar në kooperativa , në Itali mbi 50 për qind e fermerëve punojnë në këtë mënyrë, ndërsa në Gjermani mbi 1.6 milion fermerë punojnë përmes kooperativave. Bertolini shtoi më tej se IPARDI ka një rëndësi të madhe për fermerët, mirëpo një peshë edhe më të madh ka menaxhmenti financiar në bujqësi. Ministri i Bujqësisë, Trajan Dimkovski theksoi se kooperativat janë pjesë e rëndësishme e bujqësisë, ku ky dikaster i mbështet kooperativat me më shumë masa , përfshi edhe Ligjin për kooperativa që është në rrjedhë e sipër për miratim, me promovimin e prodhimeve bujqësore jashtë shtetit me mbi 1 milion euro etj. “Bujqit e bashkuar janë edhe më konkurrues në treg , në vend se të dalin në treg në mënyrë individuale.
Të gjithë prodhojnë për të shitur, megjithatë fermerët e bashkuar e dinë për kë dhe çka prodhojnë andaj edhe ato do të diktojnë nesër çmimin në treg “, shton Dimkovski. Nga ana tjetër, Mende Ivanovski, kryetar i Shoqatës së kooperativave në vend, thotë se kjo masë paraqet një nxitje konkrete për gjallërimin e punës në kooperativa, që në të ardhmen duhet të plotësohet me përkrahje tjetër institucionale. Ndryshe, çdo i pesti qytetar i Bashkimit Evropian është anëtar i ndonjë kooperative bujqësore, dhe të llojit tjetër të veprimtarive të ngjashme ekonomike . Në Evropë funksionojnë mbi 176 mijë kooperativa , që ofrojnë vende pune për 4.7 6 milion punëtorë dhe paraqesin një fuqi të rëndësishme punëtore të ekonomisë së Evropës së bashkuar, tregojnë të dhënat e “Kooperativës së Evropës”. Anëtarët, si fermerët ose përkthyesit e pavarur, qiramarrësit ose shoferët e taksive, shpesh mund të bëjnë më mirë duke punuar së bashku. Në vend që të shpërblejë investitorët e jashtëm, kooperativa ndan përfitimet e saja midis anëtarëve. Në Finlandë , bile 75 për qind e qytetarëve janë të angazhuar në kooperativa, në Itali zinxhirët e shitjes me pakicë të kooperativave mbajnë një të tretën e tregut.