Policia e Durrësit ka marrë masa të shtuara për të patrulluar në çdo lagje dhe se në ndihmë të saj janë edhe Forcat e Lëvizshme Operacionale (Renena,FNSH) dhe punonjës policie të ardhur nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë.
Kështu deklaroi sot drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, gjatë takimeve të zhvilluara me banorët në lagje të ndryshme të qytetit të Durrësit, me qëllim bërjen prezent të masave të policisë, për të eliminuar panikun për vjedhje të banesave.
Drejtor Lorenc Shehu ka sqaruar banorët për arsyet e moslejimit të afrimit të tyre në banesat e shpallura me risk, pasi Policia ka vetëm në qëllim, sigurinë e jetës së qytetarëve në radhë të parë, por edhe sigurinë e pronës, për të cilën Policia e Durrësit po kryen shërbim 24/24, në të gjithë territorin e qarkut Durrës.
Edhe gjatë një prononcimi në një mediet, Drejtori i Policisë Shehu ka theksuar se s’ka asnjë vend për panik dhe ka ftuar qytetarët që të telefonojnë në numrin 112 për çdo problematikë që ata kanë, duke i garantuar se do gjejnë reagim të shpejtë e në kohë, edhe për ato problematika që nuk i përkasin Policisë, do t’i përcillen shtabit të emergjencës, në përbërjen e të cilit është edhe Policia e Durrësit.