Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se sistemi bankar i vendit ka raportuar mbi 25 mijë kredi hipotekare, ku vlera e përgjithshme e këtyre hipotekave arrin në rreth 8.9 miliardë euro. Përfaqësuesit e bankave në vend ankohen për zvarritjen e lëndëve hipotekare nga gjykatat, të cilat, sipas tyre, kanë ndikime negative në normat e interesit në kredi.
Normat e interesit në kreditë hipotekare që jepen nga bankat komerciale në Kosovë kanë rënë dukshëm, me ç’rast edhe numri I klientëve për të marrë kredi të tilla është në rritje të vazhdueshme. Sipas Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës(BQK), normat mesatare të interesit në kredi hipotekare janë 5.9 për qind ndonëse në tregun bankar ka oferta për kredi të tilla edhe me normë interesi prej rreth 4 për qind. Njëkohësisht normat efektive të interesit për kreditë hipotekare janë më të ulëtat, krahas kamatave në kreditë konsumuese apo kredive për bujqësi, etj. Zëdhënësi i BQK-së, Besnik Kada, ka bërë të ditur se në sistemin e Regjistrit Kreditor të Kosovës janë të raportuar rreth 25.682 hipoteka, ku vlera e patundshmërive arrin në rreth 8.9 miliardë euro. Derisa normat e interesit për kreditë hipotekare kanë rënë dukshëm, bankat komerciale në Kosovë ankohen për neglizhencë të sistemit gjyqësor për zgjidhjen e shpejtë të lëndëve për kreditë hipotekare në rastet kur klientët nuk e paguajnë kredinë, për marrjen e së cilës kanë lënë patundshmëritë hipotekë. Për shkak të këtij problemi, disa prej bankave vendimin për dhënien e kredisë nuk e bazojnë në hipotekën që e ofron klienti, por në mundësitë financiare të këtij të fundit për kthimin e kredisë.