Fisnik PASHOLLI
Shkup, 16 tetor – Pjesa dërmuese e popullatës apo tre të katërtat e qytetarëve në Maqedoni vitin e kaluar nuk kanë mundur të shkojnë në pushime si rrjedhojë e standardit të ulët. Pjesa tjetër që kanë vajtur për pushime jashtë shtetit – në mesatare kanë harxhuar në ditë 1267 denarë (për person së bashku me transportin), shkruan gazeta KOHA. Kjo nënkupton se për pushimet jashtë vendit – për një javë, një familje me katër anëtarë ka harxhuar 35.476 mijë denarë apo afër 600 euro. Nga ana tjetër, një familje katër anëtarëshe për një pushim njëjavor brenda Maqedonisë ka harxhuar afër 30.675 denarë apo 500 euro. Kjo shifër fitohet kur përllogaritet se pushimi prej shtatë ditësh në Maqedoni kushton 1092 denarë për një anëtar të familjes për një ditë. Punëtorët turistik thonë se çdo turist disponon me të hollat e tij duke vendosur në bazë të xhepit, preferencave, rekomandimeve të familjarëve si dhe miqve, por edhe rrethanave tjera se ku do të kalojë pushimet verore. Sipas publikimit të fundit të Entit të Statistikës së Maqedonisë për udhëtimet e popullatës – ata më së shumti preferojnë të kalojnë pushimet në Greqi, ku kanë veruar gjysma e qytetarëve të anketuar. Pas saj vjen Shqipëria dhe Mal i Zi me nga 10 për qind të qytetarëve. Në Bullgari, raporton KOHA, kanë veruar afër 6 për qind, ndërsa në Turqi – 4 për qind e të anketuarve.
Anketat e Statistikës më tej tregojnë se qytetarët kanë qëndruar në mesatare tetë ditë për pushime në Shqipëri, duke harxhuar nga 1042 denarë në ditë. Kjo do të thotë se një familje katëranëtarëshe ka harxhuar 4170 denarë në ditë në detin Adriatik apo Jon. Apo me fjalë tjera, nënkupton se afër 33 mijë denarë apo 550 euro kushton një pushim veror në Shqipëri.
Pushimi prej tetë ditë në Greqi kushton 1350 denarë për ditë për person, gjegjësisht për një familje katëranëtarëshe nevojiten afër 43 mijë denarë apo 700 euro për pushim në detin e Egjeut. Qytetarët tanë në mesatare në Mal të Zi kanë qëndruar dhjetë ditë për çka një familje me katër anëtarë kanë harxhuar 5600 denarë në ditë, gjegjësisht pushimi ju ka kushtuar 56 mijë denarë apo 930 euro. Pushimi prej tetë ditësh sa në mesatare kanë qëndruar qytetarët tanë në Turqi, ka kushtuar për një familje prej katër anëtarë – 9600 denarë në ditë. Kjo do të thotë se një pushim në Turqi kushton së paku 76 mijë denarë apo afër 1300 euro.
Për qytetarët e Maqedonisë, gjithnjë sipas anketës së Entit të Statistikës, pushimi më i shtrenjtë jashtë shtetit është në Spanjë, ku vitin e kaluar kanë veruar 1 për qind e qytetarëve tanë. Pushimi në Spanjë për një familje katëranëtarëshe, me një qëndrim mesatar prej 6 ditësh – së bashku me transportin kushton 240 euro në ditë, duke marrë parasysh shumën prej 3600 denarë apo 60 euro për qëndrim ditor për një anëtar të familjes. Kjo do të thotë se për gjashtë ditë pushime, në Spanjë nevojiten afër 1500 euro. Anketa më tej zbardh se 74.56 për qind e qytetarëve nuk kanë qenë në pushime, ndërkohë që pjesa e mbetur – 25.44 për qind kanë mundur të pushojnë këtë vit. Gati 30 për qind e atyre që e kanë shfrytëzuar pushimin në pikat turistike në Maqedoni, 62 për qind kanë veruar jashtë vendit dhe afër 9 për qind kanë veruar si brenda ashtu edhe jashtë vendit së bashku. Publikimi më tej tregon se qytetarët e Maqedonisë preferojnë që për pushime të shkojnë me veturën e tyre.
Në këtë mënyrë, kanë udhëtuar bile 68 për qind e pushuesve. Si përzgjedhje e parë për akomodim për turistët e Maqedonisë janë dhomat apo apartamentet private të cilat vitin e kaluar i kanë shfrytëzuar 62 për qind e pushuesve. Nga ana tjetër, vetëm 18 për qind e tyre janë akomoduar në hotele, ndërsa afër 5 për qind janë akomoduar në kampe turistike. Nga qytetarët që kanë shfrytëzuar pushimin vjetor në Maqedoni, 78 për qind kanë veruar në liqenet e ndryshme si ai i Ohrit, i Dojranit apo i Prespës. Ato kryesisht janë akomoduar në dhoma private, duke përgatitur vetë ushqimin, ndërsa kanë udhëtuar me automjetet e tyre deri në qendrat kryesore të turizmit në shtet. Pjesa dërmuese e tyre kanë vajtur shtatë ditë për pushime, ndërsa qëndrim më të gjatë i kanë mundësuar vetes familjarët që kanë veruar në shtëpitë e tyre të vikendit apo në banesat e tyre jashtë vendit të banimit. Ndryshe, anketa gjithashtu tregon se qytetarët në Maqedoni nuk preferojnë as shëtitjet njëditore. Bile 66.5 për qind e tyre nuk kanë qenë asnjëherë në shëtitje, ndërsa më shumë se 70 për qind kanë qenë më së shumti tre herë në shëtitje.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.