Davos, 16 janar – Pesë agjencitë e KB-së sot në kumtesë të përbashkët i bënë thirrje bashkësisë ndërkombëtare t’u mundësojë dorëzimin e ndihmës humanitare deri te civilët në Siri të cilët jetojnë në rajone të rrethuara, duke theksuar se bota nuk guxon të mbetet e heshtur edhe krahas përfundimit të rrethojës së Alepos. Në apelin e përbashkët të Komisarit të lartë të KB-së për refugjatë (UNHCR), Agjencisë për koordinim të ndihmës humanitare (OCHA), Fondit të fëmijëve të KB-së (UNICEF), Organizatës Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe Programit botëror për ushqim (VFP) potencohet se pothuajse 70.000 persona, mes të cilëve gjysma fëmijë, jetojnë në 15 rajone të rrethuara në Siri. Pesë organizatat në thirrjen e shpallur sot në Davos, ku fillon Forumi botëror ekonomik, kërkojnë t’u sigurohet “qasje urgjente, e pakushtëzuar dhe e sigurt”, për dorëzimin e ndihmës humanitare për të gjitha familjeve siriane , që është e domosdoshme për ta. “Shumica e tyre përballen me mungesë të mjeteve bazë për jetë dhe me rrezik të vazhdueshëm të dhunës”, citohet në kumtesë. Muajin e kaluar pas ofensivës disamujore, forcat qeveritare siriane arritën të ndërmarrin kontroll ndaj pjesës lindore të Alepos, ku me muaj nën rrethojë ishin luftëtarët kryengritës dhe qindra mijë civilë. Në bazë të marrëveshjes, së arritur me ndërmjetësim të bashkësisë ndërkombëtare, u mundësua evakuim i sigurt i kryengritësve dhe disa dhjetëra mijë civilëve deri në territoret nën kontroll kryengritës. “Tmerret e rrethojës së pjesëve lindore të Alepos sikur u humbën nga vetëdija publike, por ne nuk guxojmë të lejojmë nevojat, jeta dhe e ardhmja e popullit sirian të zhduken nga vetëdija e njerëzimit. Në vitin 2017 nuk guxojmë të lejojmë të përsëriten tragjeditë e 2016”, theksohet në apelin e pesë agjencive të KB-së. Sipas vlerësimeve të shumë organizatave ndërkombëtare, në luftën gjashtëvjeçare qytetare në Siri kanë humbur jetën pothuaj gjysmë milion njerëz.