Gaza, 15 maj – Pothuajse 50 palestinezë janë lënduar pasi që e kanë sulmuar armatën izraelite në kufirin mes Rripit të Gazës dhe Izraelit. Palestinezët sot e shënojnë Ditën e katastrofës (Al Nakba) gjegjësisht 15 majin kur Izraeli në vitin 1948 u bë shtet i pavarur.
Mijëra njerëz sot u tubuan në kufirin me Izraelin, ndërsa Hamas, i cili e kontrollon Rripin e Gazës shpalli grevë të përgjithshme. Palestinezët e shënojnë “katastrofën” gjegjësisht shpërnguljen e qindra mijëra njerëzve nga shtëpitë e tyre gjatë luftës në vitin 1948. Në Ramallah, në Bregun Perëndimor disa qindra njerëz kanë marshuar nga varri i liderit të ndjerë palestinez Jaser Arafat deri në qendër të qytetit, duke kërkuar që t’u kthehet prona e marrë që tani ndodhet në territorin izraelit.
Izraeli i refuzon kërkesat për kthim masiv të refugjatëve në shtëpitë e humbura moti me sqarim se kjo do ta rrezikojë “karakterin hebraik” të vendit. (koha.mk)