Si pasojë e cunamit mes ujdhesave Sumatra dhe Java në Indonezi kanë humbur jetën deri tani, të paktën 429 persona. Ndërkohë që më shumë se 1400 të tjerë janë lënduar. Si të zhdukur llogariten 150 persona, që do të thotë se lista e viktimave mund të jetë më e gjatë.
Nga cunami janë shkatërruar edhe shumë shtëpi, në afërsi të bregdetit. “Ushtria dhe policia po vazhdojnë kërkimet nën gërmadha, me shpresë se do të gjejnë persona që kanë mbijetuar këtë katastrofë”, thotë përfaqësuesit e autoriteteve të Indonezisë. Mendohet se aksionet e kërkimeve do të vazhdojnë deri në fund të kësaj jave.
Cunami i shkaktuar të shtunën, pas shpërthimit të një vullkani, ka gjetur të papërgatitur shumë banorë dhe turistë në këtë zonë. Valët e larta kanë goditur ujdhesat Sumatra dhe Java. Vulkani ka shkaktuar rrëshqitje toke nën oqean. Por autoritetet thonë se aktivitetet e vullkanit ende nuk kanë pushuar, ndaj rreziku nuk ka kaluar nga cunamet e mundshme të tjera.
Një sistem paralajmërues do të kishte evituar mbase numrin kaq të lartë të viktimave. Por cunami ka ndodhur tërësisht papritur, thonë autoritetet. Autoritetet për mbrojtje nga katastrofa kishin kumtuar “se nuk ka rrezik nga cunami”, në momentin kur valët e para kishin goditur bregdetin.