Paris, 12 janar – Në orën 14 sipas kohës lokale, sipas vlerësimeve në rrugët në Francë, ka pasur 32,000 jelekë të verdhë, prej të cilëve 8.000 në Paris dhe rreth 5.000 në Burzh, njofton korrespondenti i MIA-s.
Tani për tani, është ende herët të thuhet se sa njerëz janë mobilizuar në “Aktin e nëntë” të sotëm për të mobilizuar Jelekët e verdhë.
Si zakonisht, protestat fillojnë në mënyrë paqësore me një parakalim në rrugë, por që në fillim në Shanzelize, pati tension të dukshëm me forcat e rendit, sidomos përpara “Dyqaneve të mëdha” të cilat i kishin lëshuar perdet metalike.
Zakonisht në dy muajt e fundit, përleshjet me forcat e rendit janë në fund të tubimeve. Aktualisht, policia në Paris është duke përdorur gaz lotsjellës rreth Portës Triumfale, rreth avenysë Vagran, ku u përdorën edhe topa uji.
Tubime të tjera janë publikuar edhe në disa qytete: Bordo, Marsejë, Tuluz, Lion, Strasburg, Lill, Nant, Ren…
Autoritetet presin më shumë mobilizim të elementeve “të radikalizuara” gjatë ditës së sotme, në krahasim me javën e kaluar, sidomos në Burzh dhe disa qytete të mëdha franceze.
Për sot, policia në Paris njoftoi rritjen e masave të sigurisë, të cilat janë të njëjta si në mesin e dhjetorit 2018.
Nga 80.000 policë dhe xhandarë të mobilizuar në të gjithë Francën, 5.000 do të jenë vetëm në Paris me katërmbëdhjetë vetura të blinduara të xhandarmërisë.
Policia dhe xhandarmëria kanë udhëzime për patrullim, lëvizje, reaktive, për të arrestuar sapo të ndodhë mosrespektimi i rendit dhe paqes dhe mosbindjes, njoftoi prefekti Mishel Delpek. Kontrollet kryhen edhe në hyrjet drejt Parisit.