Laura PAPRANIKU
Shkup, 25 prill – Nga viti 2017 kur në Maqedoni u bë i obligueshëm arsimi i mesëm, është rritur numrin i përgjithshëm i shkollave, si publike ashtu edhe private, janë shtuar paralelet dhe numri i profesorëve, mirëpo ka rënë në mënyrë drastike numri i nxënësve, rreth 20 mijë nxënës më pak, shkruan gazeta KOHA. Nga 95.366 nxënës të cilët janë evidentuar si pjesë e sistemit të arsimit të mesëm në vitin shkollor 2006/2007, dhjetë vite më vonë ai numër është pakësuar për 18.972 nxënës. Pra, në fillim të vitit shkollor 2016/2017, në 132 subjekte shkollore të mesme në Maqedoni numëroheshin vetëm 76.394 nxënës. Kjo rënie në numrin e nxënësve i faturohet kryesisht rënies së natalitetit, migrimit dhe faktorëve të tjerë, të cilët në kohën kur arsimi i mesëm është i obligueshëm, në vend të ngjitjes, kanë sjellë rënie në numrin e nxënësve.
Me kalimin e arsimit të mesëm si kategori e obligueshme, u rrit dukshëm pjesëmarrja e nxënësve shqiptarë të cilët deri në vitin shkollor 2016/2007, ishin të limituar për nga numri i paraleleve që formoheshin në gjuhën shqipe. Me regjistrimin e domosdoshëm edhe të shqiptarëve, turqve dhe të tjerëve, në shkollat e mesme u imponua nevoja që Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) të shton numrin e paraleleve me mësim edhe në gjuhën shqipe dhe paralelisht kësaj të rrisë numrin e profesorëve të punësuar dhe të transformimit të vendeve të tyre të punës nga marrëdhënia me afat të caktuar, në marrëdhënie me afat të pacaktuar pune. Kjo vërtetohet edhe statistikisht përmes të dhënave të publikuara nga organet kompetente. Enti Shtetëror i Statistikave, ka bërë të ditur se këtë vit shkollor (2016/2017), në procesin e mësimdhënies janë të angazhuar 7420 mësimdhënës, prej të cilëve 1061 ose 14 për qind me kontratat pune me afat të caktuar kohor. Ndërkaq, para dhjetë viteve situata ishte më pak e volitshme për mësimdhënësit. Atëherë numëroheshin 6247 profesorë, prej të cilëve 22 për qind nuk kishin marrëdhënie të rregullt pune ose ishin me kontrata me afat të caktuar kohor. Rrjedhimisht, në total është përmirësuar raporti numerik nxënës-profesor, me atë që nëse para 10 viteve mesatarisht i binte që në shkollat mesme të ketë 1 profesor përreth 15 nxënëses, këtë vit ky raport ka shkuar 1 profesor për 10 nxënës. Zvogëlimi i numrit të nxënësve nga njëra anë dhe nga ana tjetër shtimi i paraleleve, përcjell KOHA, ka bërë që profesorët të jenë më pak të ngarkuar nga çfarë ishin para dhjetë viteve dhe ky është një ndryshim cilësor.
Impakti tjetër pozitiv i shkollimit të detyrueshëm, ka të bëjë padyshim me shtimin e numrit të paraleleve që formohen viteve të fundit. Pavarësisht rënies permanente të numrit të nxënësve, në dy ekstremet e kësaj dekade kemi 333 paralele më shumë, konkretisht nga 3200 të tilla në vitin shkollor 2006/2007, në vitin 2016/2017 numërohen 3533 paralele. Në numrin e përgjithshëm të shkollave, paraleleve dhe nxënësve, ESHS-ja para dhjetë viteve llogariste vetëm shkollat e rregullta publike, private dhe speciale, por jo edhe shkollat e mesme fetare. Në Medresenë “Isa beu” dhe Shkollën e mesme fetare ortodokse, sipas të dhënave zyrtare, aktualisht kanë 270 nxënës të shpërndarë në 13 paralele, ndërsa janë të punësuar 37 profesorë. Ndërkaq në 54 shkollat speciale janë 229 nxënës, të shpërndarë në 61 paralele ku janë të angazhuar 81 profesorë. Dhjetë vite më parë në këto shkolla kishte 329 nxënës, 49 paralele dhe 74 profesorë. Në 15 shkollat private, sikurse bën të ditur ESHS janë 2033 nxënës, 146 paralele dhe 377 mësimdhënës, për dallim prej para 10 viteve kur numri i shkollave të mesme private ishte 7 dhe në to numëroheshin 1037 nxënës, 63 paralele dhe 176 të punësuar.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara