Rreth 2 milionë haxhinj nisen drejt malit Arafat

Rreth dy milionë muslimanë nga e gjithë bota kanë filluar të ngjiten në malin e shenjtë Arafat pranë qytetit të shenjtë të Mekës në Arabinë Saudite, si pjesë e ritualit të haxhit, kushtit të pestë të fesë islame, raporton Anadolu Agency (AA).

Pasi kaluan një natë me adhurime në tendat në Mina, haxhinjtë u nisën për në Arafat të hënën në mëngjes.

Mali Arafat është vendi ku profeti Muhamed mbajti hutben e tij të fundit.

Muslimanët do të kalojnë ditën në malin e Arafatit, duke u lutur vazhdimisht dhe duke i kërkuar Allahut falje dhe mëshirë.

Në perëndim të diellit, ata do të zbresin nga mali dhe do të kthehen në Muzdelife, pikën në mes të rrugës midis Arafatit dhe Minas.

Më vonë, në Mina, ata do të marrin pjesë në gjuajtjen simbolike “me gurë në drejtim të djallit”.

Rituali është një rikrijim i gjuajtjes me gur nga ana e profetit Ibrahim në drejtim të djallit në tri vende ku thuhet se ky i fundit është përpjekur ta bindë Ibrahimin që të mos i nënshtrohet urdhrit të Zotit për ta sakrifikuar djalin e tij Ismailin.

Pas ritualit të gjuajtjes me gurë të martën, haxhinjtë do të therin kurbanë për të shënuar fillimin e festës katërditore të Kurban Bajramit.