Sarajevë, 26 tetor – Rreth 150 emigrantë në Bosnje dhe Hercegovinë natën e kaluan nën qiell të hapur në vendkalimin kufitar Maljevac, ndërsa sot me autobusë duhet të transferohen në qendrën e re të pranimit në Bihaq.
Emigrantët gjatë ditës së djeshme mblodhën dru që të ndezin zjarr para tendave të tyre në të cilat ka edhe fëmijë dhe të flenë edhe një natë në qiell të hapur.
Gjendja e sigurisë për momentin është nën kontroll, ndërsa policia kufitare e BeH dhe policia e Kroacisë nuk kanë ndërmarrë kurrfarë aktivitetesh përveç rojës në dy punkte.
Për momentin nuk dihet se a pajtohen emigrantët me vendimin që të transferohen në Bihaq duke pas parasysh se cak i tyre janë vendet evropiane, e jo qendrat e pranimit në BeH.
Presidentja kroate Kolinda Grabar Kitaroviq dje deklaroi se duhet të thirret seancë e Këshillit për Siguri të Kroacisë për shkak të gjendjes në vendkalimin kufitar Maljevac, ku më shumë se 30 orë ishte ndërprerë komunikacioni.
Natën e kaluar erdhi deri te një incident me emigrantët në vendkalimin kufitar Maljevac, në Velika Kladusha, në të cilin ishin lënduar së paku tre persona, prej të cilëve një pjesëtar i Policisë kufitare të BeH. Ky ishte incidenti i dytë, sepse gjatë ditës së kaluar tre emigrantë morën lëndime të lehta trupore në përleshjen me policinë, ndërsa në mesin e tyre kishte edhe një fëmijë. Një polic nga BeH gjithashtu ishte lënduar lehtë.
Policia kroate nga ana tjetër e mbikëqyr gjendjen në rrugë ajrore, ndërsa përgjatë urës është vendosur një top i ujit në rast se emigrantët nisen në atë drejtim.