Shkup, 31 tetor – Rreth 100 ushtarë që kanë arritur moshën 45 vjeçare prej nesër do të kalojnë në Ministrinë e Drejtësisë, gjegjësisht nën Drejtorinë për përmbarimin e sanksioneve në policinë e burgut. Me këtë, zgjidhet problemi për rreth 100 ish ushtarë, të cilët pas mbushjes së moshës 45 vjeçare u ndërpritet angazhimi profesional në Armatë, raporton KOHA.
Sekretari shtetëror në Ministrinë e Mbrojtjes Dragan Nikoliq sqaroi se prej nesër grupi i parë prej 97 ushtarëve profesional të cilët kanë arritur moshën 45 vjeçare do të angazhohen në institucionet ndëshkuese-përmirësuese në vend.
“Ushtarët më nuk duhet të shqetësohen për angazhimin e tyre të mëtutjeshëm. Fitojnë punë dinjitoze e cila do t’u mundësojë të ardhura të njëjta madje edhe më të mëdha financiare, si dhe kushte adekuate për detyrat reja të punës”, theksoi Nikoliq.
Ai sqaroi se nuk ka nevojë të shkojnë në rikualifikim shtesë, ndërsa institucionet në të cilat do të shkojnë do të fitojnë kuadro të trajnuara. Shtoi se për këtë vendim kanë marrë përgjigje pozitive nga ushtarët.
Njeriu i parë i Drejtorisë për përmbarimin e sanksioneve Jovica Stojanoviq tha se policia e burgut do të fitojë kuadro të trajnuara.
“Të punësuarve të ri do t’u dalim në ndihmë dhe do të sistemohen sipas vendbanimit, gjegjësisht do të vendosen atje ku kanë më afër shtëpi ndëshkuese-përmirësuese”, theksoi Stojanoviq.
Kompetentët paralajmëruan se kjo praktikë do të vazhdojë edhe tutje, ndërsa për këtë projekt të Ministrisë së Mbrojtjes kanë marrë mbështetje edhe nga sindikatat. (koha.mk)