Ne vazhdojmë të tregojmë solidaritetin tonë në veprim përmes ndihmës që ofrojmë për zonat e prekura nga termetet në Turqi dhe Siri. Lajmi i mirë është se deri më tani janë mbledhur mbi 960 mijë euro për ndihmat për zonat e prekura dhe synimi është të arrijë një milion euro, theksoi kryeministri Dimtiar Kovaçevski në manifestimin e sotëm për përkujtimin e 78 viteve të ekzistencës së Kryqit të Kuq
Llausha ZENUNI
Shkup, 20 mars – “Ne vazhdojmë të tregojmë solidaritetin tonë në veprim përmes ndihmës që ofrojmë për zonat e prekura nga termetet në Turqi dhe Siri. Lajmi i mirë është se deri më tani janë mbledhur mbi 960 mijë euro për ndihmat për zonat e prekura dhe synimi është të arrijë një milion euro”, theksoi kryeministri Dimtiar Kovaçevski në manifestimin e sotëm për përkujtimin e 78 viteve të ekzistencës së Kryqit të Kuq. Kryeministri theksoi se Qeveria ka ndarë rreth 100 mijë euro për të ndihmuar viktimat, ndërsa disa institucione janë ngarkuar për dërgimin e ekipeve dhe llojeve të tjera të ndihmës. “Vitin e kaluar kemi marrë vendim për miratimin e mjeteve buxhetore në vlerë prej 243 mijë euro për Kryqin e Kuq si ndihmë financiare për veprim në situata emergjente. Në kuadër të ndihmës së përgjithshme këtë vit morëm vendim për financimin e programit vjetor të Kryqit të Kuq, për të cilin janë paraparë një shumë prej mbi 130 mijë euro, si dhe mjete për sigurimin e shpenzimeve për aktivitetet e projektit afër 98 mijë euro dhe mjete mbi 32 mijë euro për realizimin e projektit për pushime për fëmijët në rrezik social dhe fëmijët që përfitojnë shtesë të veçantë për pushim veror për vitin 2023”, theksoi Kovaçevski.
Ambasadori turk në vend shprehu mirënjohjen e tij për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se jemi mobilizuar menjëherë në këto ditë të vështira dhe të trishta të Turqisë.
“Të bashkuar në një zemër, institucionet publike, sektori joqeveritar, komuniteti i biznesit, institucionet arsimore, të rinjtë dhe të rriturit, të gjithë ndihmuan viktimat e rajoneve të prekura. Ne nuk mund t’i kthejmë jetët e humbura, por do të punojmë me të gjitha forcat për të shëruar plagët e kësaj fatkeqësie natyrore. Do të rindërtojmë qytetet dhe shkollat e shkatërruara”, theksoi ambasadori. Sekretari i Përgjithshëm i Kryqit të Kuq, Sait Saiti, theksoi se humanizmi nuk thuhet, por tregohet dhe dëshmohet, nuk improvizohet por praktikohet me zemër. Qytetarët tanë, siç theksoi ai, kanë dëshmuar humanizëm në veprimet e tyre në periudhën e kaluar dhe simpati me popullatën në Turqi dhe Siri. “Shumë më afër natyrës njerëzore janë veprat e mira, jo të këqijat, prandaj nuk duhet të besojmë se jetojmë në një shoqëri çnjerëzore. Në periudhën e ardhshme vazhdojmë të punojmë për të siguruar një jetë më dinjitoze për ata që kanë nevojë për mbështetje”, tha Saiti.