Shkup, 20 mars – Për shkak të rrëshqitjes së gurëve dhe dheut i cili në mëngjes ra në rrugë, komunikacioni në rrugën rajonale Hanet e Mavrovës – Dibër zhvillohet me vështirësi dhe është i ndaluar për automjete transportuese.
Nga SPB Tetovë informojnë se tek vendi Tërnicë, nëpunësit policorë janë duke e rregulluar komunikacionin dhe përkohësisht lëshojnë vetëm automjete.
“Sot në mëngjes rreth orës shtatë ka pasur rrëshqitje të sasisë më të madhe të tokës dhe gurëve të cilat kanë rënë në rrugë. Është bërë angazhim që të lirohet njëra korsi, por vetëm për automjete më të lehta”, thotë Marian Josifoski zëdhënës i SPB Tetovë.
Për normalizimin e komunikacionit është thirrur një ekip i “Rrugëve të Maqedonisë”, i cili me mekanizim duhet ta largojë materialin e rrëzuar. Rrëshqitjen e kanë shkaktuar shiu i rrëmbyeshëm i cili ra mbrëmë. Rrëshqitje më të vogla të gurëve ka në më shumë vende nëpër luginën e Radikës, ndërsa nga policia paralajmërojnë për vozitje të kujdesshme në këtë pjesë të vendit.