Duke marrë parasysh faktin se rrëqebulli është një kafshë e egër, e cila në Ballkan është në fazën e zhdukjes, masat e ndërmarra në këtë territor tregojnë me argumente se rrëqebulli ballkanik, prezent në Parkun nacional të Mavrovës, jo vetëm që është mbrojtur me sukses, por njëkohësisht ai ka filluar të shumohet
Vjollca SADIKU
Dibër, 28 dhjetor – Në territorin e Parkut nacional “Mavrovë” është prezent edhe rrëqebulli ballkanik. Për domethënien e tij, nga ana e shoqatave ekologe, por edhe Parkut Nacional “Mavrovë”, një kohë të gjatë ndërmerren aktivitete për mbijetesën e tij. Saktësisht para 15 vitesh në parkun në fjalë edhe rajonin më të gjerë filloi realizimi i projektit për mbrojtjen e rrëqebullit ballkanik. Projektin për mbrojtjen e rrëqebullit ballkanik e realizon Shoqata ekologjike e Maqedonisë. Gjatë viteve të kaluar, janë arritur rezultate të shkëlqyeshme informoi Dime Mellovski, udhëheqës i projektit për mbrojtjen dhe të mbijetuarit e rrëqebullit ballkanik. Projekti filloi me realizimin e anketave të popullatës lokale, kurse vazhdoi me ndjekjen e rrëqebullit ballkanik me foto incizime dhe radiotelemetri.
Ekspertët e kësaj shoqate me sukses kanë mundur të verifikojnë gjatë viteve të kaluara numrin e rrëqebullit që jeton në territorin e Parkut Nacional “Mavrovë” dhe më gjerë në rajonin e Mavrovës. Gjatë këtij viti, është regjistruar shumimi i rrëqebullit. Sipas udhëheqësit e këtij projekti, i cili informatat e hollësishme i dha në shënimin e 70 vjetorit të Parkut nacional “Mavrovë”, bashkëpunimi i Shoqatës dhe Parkut nacional “Mavrovë” ka qenë dhe është në nivelin e duhur. Kur është në pyetje mbrojtja e faunës në këtë park, shoqata ka një bashkëpunim shumë të mirë edhe me pushtetin vendor të Komunës Mavrovë-Rostushë si dhe me institucionet e tjera të vendit. Nga ana tjetër, Mellovski shton se financimin e këtij projekti e bën Fondacioni “Malla” nga Zvicra. Duke marrë parasysh faktin se rrëqebulli është një kafshë e egër, e cila në Ballkan është në fazën e zhdukjes, masat e ndërmarra në këtë territor tregojnë me argumente se rrëqebulli ballkanik, prezent në Parkun nacional të Mavrovës, jo vetëm që është mbrojtur me sukses, por njëkohësisht ai ka filluar të shumohet.
Në Parkun Nacional të Mavrovës theksojnë se ky është një projekt shumë domethënës. Udhëheqësia e Parkut nacional shton se vet rezultatet e projektit flasin se në një mënyrë të vazhdueshme bëhet mbrojtja e rrëqebullit ballkanik në Parkun Nacional.
Ekspertët të cilët merren me mbrojtjen e rrëqebullit ballkanik thonë se është një pasuri e madhe që në perlën e Parkut nacional të Mavrovës u mundësua që të mbijetojë kjo kafshë e egër e llojit të maceve. Ata këtë vlerësim e japin meqë në shumë vende ballkanike rrëqebulli tani më nuk ka mbijetuar. Lloji i rrëqebullit ballkanik që jeton në Parkun Nacional të Mavrovës thuhet se është rrëqebull euroaziatik. Pikërisht me këtë kafshë të egër merren shumë fondacione të ndryshme.
Drejtori i Parkut nacional, Saimir Ajdini, gjatë shënimit të përvjetorit të Parkut ka dhënë vlerësimin se drejtoria e Parkut një vëmendje të veçantë i kushton mbrojtjes së faunës dhe florës. Të dhënat oficiale të këtij Parku nacional thonë se në këtë park ka mbi 1 mijë bimë, kurse numri kafshëve të egra është mbi 140. Përveç rrëqebullit ballkanik, në këtë park jetojnë edhe dhia e egër, arusha , si dhe disa lloj të shqiponjës. (koha.mk)