Serbia ende nuk pajtohet që Maqedonia të ketë Kishë Ortodokse autoqefale dhe kërkon që Kisha Ortodokse Maqedonase të veprojë nën ombrellën e Kishës Ortodokse Serbe. Ky kontest vazhdon vite me radhë dhe në esencë nuk është kontest fetar – kishtarë, por është kontest politik të cilin e shkakton Serbia
Nga Kasam HASANI
(vijon nga numri i kaluar)
Pas vdekjes së Titos, të shumtë ishin shkaqet dhe skenarët për shpërbërjen e Jugosllavisë. Serbia filloi retorikën se “tani është koha kur Serbia duhet ta rregullojë pozitën e saj juridike – kushtetuese”; “se Serbia çdoherë ka fituar në lufta, por ka humbur në paqe”, “se Serbia duhet t’i mbrojë serbët kudo që jetojnë në Jugosllavi”, “se kudo që ka një varr serb do të jetë Serbi”, etj., që në esencë do të thoshte zgjerim i Serbisë edhe në pjesë tjera të ish republikave Jugosllave, e posaçërisht në Bosnjë dhe Hercegovinë, në Kroaci dhe në Maqedoni. Sipas planeve të Serbisë, një pjesë të Kroacisë duhej ta merr Serbia, si dhe të tërë Bosnjën dhe Hercegovinën. Sa i përket Malit të Zi, Serbia mendonte se ai do t’i bashkëngjitej Serbisë, ngase tradicionalisht ka qenë me Serbinë. Maqedoninë, Serbia e kish emërtuar si “Vardarska Banovina” dhe mendonte se edhe ajo do t’i bashkëngjitet Serbisë, pasi e llogariste “Banovinë të saj”.
Megjithatë këtë gjë nuk e lejonte Komisioni i Badinterit, i cili u krijua me qëllim të këshillimit ligjor lidhur me shpërbërjen e Jugosllavisë. Sipas këtij Komisioni, me shpërbërjen e Jugosllavisë, do të aplikohej principi “utti posidetis iuris”, që nënkuptonte se shtetet e reja do të kishin kufijtë ashtu siç i kishin pasur republikat brenda Federatës Jugosllave. Mirëpo, pas fillimit të luftërave vëllazërore në Jugosllavi, vitet e 90-ta të shekullit 20, Serbia së pari filloi të luftojë në Slloveni. Kjo luftë nuk zgjati shumë dhe së shpejti Serbia u tërhoq, ngase Serbia vlerësoi se nuk është e interesuar për Slloveninë,kurse Sllovenia shpalli pavarësinë e saj ne vitin 1991. Shpejt pas saj, edhe Kroacia ne vitin 1991shpalli pavarësinë. Udheheqesia kroate ishte e vetëdijshme se serbet e Kroacisë, te nxitur dhe përkrahur nga Serbia, do te hynin ne lufte per t’ia bashkangjitur Serbisë territoret e Kroacisë te banuara me serb. Kështu, Kroacia pas shpalljes se pavarësisë bleu shume armatim dhe formoi ushtrinë e saj.
Duke patur parasysh strukturën nacionale të pjesës komanduese të Armatës Jugosllave, e cila armatë ishte shumë e fortë, Serbia shfrytëzoi eprorët, ushtarët, armatimin dhe pajisjet tjera të kësaj armate dhe hyri në luftë me Kroacinë. Njëkohësisht kishte përgatitur për luftë edhe popullatën serbe në Kroaci dhe e kishte furnizuar me armë dhe pajisje tjera që të luftojnë kundër kroatëve. Kështu në Kroaci filloi lufta Kroato-Serbe, me ç’rast u vranë dhe masakruan shumë njerëz, dhe u rrënuan shumë qytete dhe vendbanime. Në tërësi, nga Armata Serbe u rrënua qyteti i madh Vukovari, kurse lufta të rrepta u zhvilluan edhe në Knin, Pakrac, Graçac, Gospiq, Udina, Okuçani, Petrinje, etj, me ç’rast u vranë shumë luftëtarë, civilë, fëmijë, gra, pleq, etj. Udhëheqësia Kroate, në krye me Kryetarin e atëhershëm Franjo Tuxhman, serbëve të Bosnjës u ka propozuar që të ndalet lufta dhe të arrihet marrëveshje. Me këtë rast serbëve në Kroaci u është propozuar që shteti i Kroacisë është i pajtimit që atyre t’u sigurojë autonomi kulturore në shkallë të lartë, si dhe disa të drejta politike të tjera, siç janë: Ata të kenë edhe monedhën e tyre, të kenë Ministri të veçantë për kulturë dhe lidhje kulturore, etj. Ky propozim ishte i njohur si “Projekt Z-3”, i cili ka qenë shumë i favorshëm për serbët, por serbët nuk e pranuan. Prandaj, Kroacia ishte e detyruar që të blejë armatim dhe të hyjë në luftë jo vetëm me serbët e Kroacisë, por edhe me Serbinë. Vlen të theksohet se Kroacia kishte edhe përkrahje politike nga Gjermania e veçanërisht nga Ministri gjerman – Gensher. Kështu, në zonën e Kninit me popullatë dominante serbe, u ndërmor një sulm ushtarak dhe policor i Kroacisë, i ashtuquajtur “Olluja” (“Stuhia”), i cili zgjati 3 ditë (4-7 Gusht 1995),sulmi cili ka qenë shumë i ashpër. Pjesa më e madhe e luftëtarëve – kryengritësve serb u vranë ose dëbuan, por bashkë me ta edhe shumë popullatë serbe u dëbua nga vendbanimet në Kroaci dhe shpërngulën për në Serbi. Kështu këto vendbanime në Kroaci u boshatisën nga popullata serbe.
Bosnjën dhe Hercegovinën, Serbia mendonte në tërësi ta aneksonte, por më vonë u bind se në territorin e saj mund të krijojë vetëm një zonë politike – administrative serbe, që më vonë e emërtoi “Republika Srpska”. U bënë luftëra të mëdha midis 3 popujve të Bosnjës dhe Hercegovinës, respektivisht mes Muslimanëve (tani Boshnjakëve), Serbëve dhe Kroatëve. U vranë e u masakruan me mijëra ushtarë, si dhe popullatë tjetër. U rrënuan shumë vendbanime. Përgjithmonë do të mbeten të shënuara në historinë ballkanike dhe evropiane rasti i Serbrenicës dhe rastet tjera të luftërave dhe masakrimeve në Bosnjë dhe Hercegovinë, të bëra nga njësitë ushtarake serbe. Luftimet në Bosnjë dhe Hercegovinë nuk kishin të ndalur. Me insistimin dhe ndërmjetësimin Amerikan, në qytetin Dejton të SHBA-së, u arrit Marrëveshja për Paqe në Bosnjë dhe Hercegovinë. Kështu gjatë muajit Dhjetor të vitit 1995, në Paris është nënshkruar, në prezencën e përfaqësuesve të fuqive të mëdha botërore dhe presidentëve të rajonit, Alia Izetbegoviç, Sllobodan Millosheviç dhe Franjo Tuxhman, marrëveshja e posaçme e emërtuar si Marrëveshja e Dejtonit, me të cilin është përcaktuar sistemi kushtetues, politik dhe ligjor i shtetit të Bosnjës dhe Hercegovinës, si shtet kompleks i formuar prej 3 popujve konstitutiv, dhe atë: Federata Bosna dhe Hercegovina me 51% territor, dhe Republika Srpska me 49% territor, si dhe distrikti Brçko, si njësi e veçantë territoriale. Serbia qysh atëherë nuk ka qenë e kënaqur me zgjidhjet e Marrëveshjes së Dejtonit. Por, Serbia me këtë arriti që Serbët e Bosnjës t’i koncentrojë në të ashtuquajturën Republika Srpska, duke caktuar Banja Llukën si kryeqendër të kësaj Republike.
Vlen të përmendim se organizimi i shtetit të Bosnës dhe Hercegovinës, sipas Marrëveshjes së Dejtonit, është mjaft i komplikuar dhe e gjithë kjo këtë shtet e bën jofunksional. Ndarja në njësi territoriale – kantone dhe distrikte, edhe më shumë e vështirëson funksionimin e këtij shteti. Edhe pse për funksionimin dhe marrjen e vendimeve sipas Marrëveshjes së Dejtonit dhe Kushtetutës, është paraparë si i domosdoshëm koncensuesi i 3 etniciteteve (boshnjakëve, serbëve dhe kroatëve), shpeshherë nuk arrihet konsensus midis etniciteteve, sidomos në shumicën e rasteve, veçanërisht në kohët e fundit, haptas nuk pajtohet etniteti serb, dhe atë për çështje tepër të rëndësishme për marrjen e vendimeve përkatëse në lidhje me funksionimin e organeve shtetërore më të larta në Bosnjë dhe Hercegovinë, siç janë: Parlamenti, Qeveria, Gjykata Kushtetuese, Gjykata Supreme, Prokuroria Federale, etj. E kësaj natyre është edhe mosnjohja e Kosovës si shtet i pavarur nga ana e Republikës së Bosnës dhe Hercegovinës, ku me të madhe ka ardhur në shprehje ndikimi i Serbisë. Për këto shkaqe, funksionimi i disa organeve dhe institucioneve në Bosnjë dhe Hercegovinë momentalisht është në kolaps. Nga politikanët dhe udhëheqësit kroat dhe boshnjak, në Bosnjë dhe Hercegovinë, kohëve të fundit shpeshherë thuhet se sjelljet e politikanëve dhe udhëheqësve serb, në krye me Milorad Dodik, në Bosnjë dhe Hercegovinë e kanë kaluar vijën e kuqe. Ata nuk ngurrojnë të thonë se serbët e Bosnjës direktivat për kësi sjelljesh i marrin nga Serbia, respektivisht nga udhëheqësit dhe politikanët serb, dhe se e gjithë kjo bëhet me qellim të rrënimit të sovranitetit të Bosnjës dhe Hercegovinës si shtet, me tendencë që Republika Srpska t’i bashkëngjitet Serbisë.
Maqedonia, siç tham edhe më parë, në kohën e ekzistimit të Jugosllavisë, ishte njëra nga gjashtë Republikat e Federatës Jugosllave, por Maqedonia ishte në “koalicion” (ishte vasale) me Serbinë. Në vitin 1991, edhe Maqedonia shpalli pavarësinë e saj, edhe pse kjo republikë kishte shumë elemente kontestuese, siç ishin: emri, popullata maqedonase pa identitet kombëtar, gjuhën, historinë, kishën, territorin, etj. Për shpalljen e pavarësisë së Maqedonisë, rol të rëndësishëm kanë luajtur disa politikanë Maqedonas, në krye me ish Kryetarin e kësaj Republike, tani i ndjeri Kiro Gligorov, i cili ka qenë politikan i mençur, me eksperiencë dhe dinak i madh. Maqedonia shpalli pavarësinë pas mbajtjes së Referendumit gjithëpopullorë (të cilin popullata shqiptare e bojkotoi, ashtu siç bojkotoi edhe pjesëmarrjen në regjistrimin e popullsisë). Qytetarët e Maqedonisë duhej t’i përgjigjeshin pyetjes së Referendumit: – A jeni për pavarësi të Republikës së Maqedonisë si shtet, me mundësi që më vonë t’i bashkëngjitet ndonjë subjekti tjetër? Subjekti tjetër edhe pse nuk ishte i emërtuar, për Maqedonasit dhe për Serbinë supozohej se ai subjekt do të ishte Serbia. Pasi populli u deklarua për pavarësi të Maqedonisë, për pjesën e dytë të pyetjes të Referendumit, populli asnjëherë nuk u deklarua. Kështu, Maqedonia me mençuri dhe dinakëri u nda nga Serbia pa asnjë ther në këmbë, kurse Serbia mbeti edhe pa Maqedoninë.
Maqedonia së pari u pranua në OKB me fusnotën Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë (anglisht. FYROM), në vitin 1993, për shkak të mosmarrëveshjeve me Greqinë. Pas 25 vitesh, respektivisht pas marrëveshjes së Prespës me Greqinë në vitin 2018, Maqedonia e ndryshoi emrin dhe u emërtua Republika e Maqedonisë së Veriut, me të cilin emër u anëtarësua në NATO në vitin 2020 dhe tani tenton edhe të hyjë në BE. Edhe pse Maqedonia u pavarësua, Serbia ende nuk pajtohet që Maqedonia të ketë Kishë Ortodokse autoqefale dhe kërkon që Kisha Ortodokse Maqedonase të veprojë nën ombrellën e Kishës Ortodokse Serbe. Ky kontest vazhdon vite me radhë dhe në esencë nuk është kontest fetar – kishtarë, por është kontest politik të cilin e shkakton Serbia.
Serbia bashkë me Rusinë nuk e kanë mirëpritur ndryshimin e emrit të Maqedonisë, anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, si dhe tentimet e Maqedonisë për pranim në BE. Pas shpartallimit të Jugosllavisë, Mali i Zi duke u bazuar në miqësinë tradicionale me Serbinë, si dhe miqësinë reciproke të udhëheqësve të atëhershëm të Serbisë – Sllobodan Millosheviçit dhe atij të Malit të Zi – Momir Bullatoviçit, në vitin 1992 u krijua bashkësia “Republika Federale e Jugosllavisë (RFJ)” kurse më vonë u emërtua si “Bashkësia shtetërore e Serbisë dhe Malit të Zi”, në përbërje të së cilës ishin Serbia dhe Mali i Zi. (vijon nesër)
(Autori është ish-Kryeprokuror i Prokurorisë së Lartë në Shkup)