Dhe me sa duket aq e forte është lidhja me origjinën e rrënjët sa edhe po të duash t’i lëshosh, s’të lëshojnë ato. Po kur e them këtë, s’duhet marrë në tone nacionaliste, por si fakt i njerëzve që vetë e deklarojnë. Nga të cilët duhet të mësojmë. Aq më shumë ata që tundohen nga prirje e fryma të ndryshme. Siç shohim “e ndryshmja” edhe mund të jetë një pasuri më shumë, por jo edhe përçudnim i vetvetes
Nga Nazim RASHIDI
Për një periudhë kohore brenda një jave u ndesha me disa aktivitete kulturore dhe u takova me disa artistë, të cilët me sollën në vëmendje rëndësinë e origjinës por dhe potencialin dhe fuqinë që një individ krijon kur ajo kombinohet me dije dhe kultura duke prodhuar vepra universale. Por, a duhet të jemi rob të origjinës? Të jetuarit në Maqedoni, ku ndeshesh shpesh me përplasjen e origjinave të njerëzve, edhe kur ti nuk do, mbase të bën më të ndjeshëm për këtë fenomen.
Por, nga ana tjetër, rastet me të cilët u ndesha unë dhe të tjerët, sërish më bënë të mendoj se të pranuarit se kush je të krijon një lëkurë më të rehatshme dhe në rastet në fjalë, edhe vepra dhe art shumëdimensional që shkojnë përtej asaj origjine. Kur flasim për njerëz, veprat e të cilëve janë globale, mbase dhe i ngarkojmë kur me çdo kusht duam t’i lidhim me rrënjët dhe origjinën që kanë, sepse është e qartë se ata e kanë tejkaluar atë. Por, është e bukur dhe njerëzore kur dëgjon nga vetë këta njerëz, se rrënjët e tyre kanë qenë frymëzim. Kush do qofshin këta rrënjë, por në rastin konkret janë shqiptare.
IBRAHIM KODRA
Një nga zhvillimet më të rëndësishme kulturore të këtyre ditëve është ekspozita e Ibrahim Kodrës, e hapur në Galerinë Kombëtare të Maqedonisë. Një ekspozitë retrospektive e piktorit shqiptar që jetoi në Itali (1918-2006), por që veproi në krahë të piktorëve të mëdhenj si Dali, Miro, Picasso, etj. me të cilët kishte dhe miqësi. Ekspozita është seriozisht e rekomandueshme sepse është një nga më tërheqëset kohëve të fundit dhe jo vetëm se është nga një artist shqiptar, por sepse veprat e tij janë pjesë e koleksioneve dhe historisë së artit botëror.
Do ndalem pak te origjina. Kodra sidomos në fund të viteve të tij pati një lidhshmëri më të madhe me vendin e tij Shqipërinë. Ishte i lindur në Ishëm, dhe meqë nuk kishte jetuar në Shqipërinë komuniste, pas rënies së regjimit, komunikimet e tij me vendlindjen ishin shumë të shpeshta.
Në fakt mund edhe të thuhet se rrënjët kanë qenë gjithnjë me të. Kjo i vihet re ne punimet dhe motivet. Madje mbase pikërisht ky miks i rrënjëve të një individi, të ushqyerit me kulturën e rrethit dhe vendit nga vjen, duke filluar nga prindërit që e kanë rritur, e kombinuar me shkollimin dhe kulturën e vendeve nga shkon, prodhon atë univerzalizmin unik të cilit i referohen pastaj njëlloj njerëzit në gjithë rruzullin tokësor. Në kontekstin tonë, ne si individ kjo na bën të lidhur me botën. Merr mesazhin se kulturalisht edhe ti mund të japësh në kultura dhe vende të ndryshme, ashtu siç edhe marrim që ndodh më shpesh. Ka edhe atë elementin e krenarisë fine, që megjithatë, referimet estetike, në këtë rast në artin pamor, bëhen të njëjta dhe kuptohen ngjashëm, nëse jo njëlloj nga të gjithë artdashësit. Kjo aq më shumë përforcohet sepse nuk është interpretim emotiv euforik, se shikon veprat e një shqiptari botëror, por sepse këtë e ke të dëshmuar prej vetë tij. Kritika e quante Ibrahim Kodrën “Picasso i gjallë”, kurse në një intervistë ai fliste me aq pasion për origjinën e tij që padyshim kishin ndikim dhe te arti i tij. Dhe po në këtë intervistë, do të deklaronte:
“Kam lindur në Ishëm unë. Jam ishmak. E Ishmi është afër Durrësit e Tiranës. Nga Kodra e Ishmit shihet Tirana, Durrësi, Lezha, Mamurrasi, Kruja dhe një pjesë e mirë e Detit Adriatik, është vend i bukur, apo jo. A e dini atë historinë, se si u tha Skënderbeu ushtarëve të tij kur ishte për herë të parë atje. I mahnitur nga pamja lart në kodër ai thirri: Ou? Sa hijshëm! Dhe sa herë binte fjala për atë vend, ai thoshte, -atje te vendi hijshëm…. E kështu hijshëm, e hijshëm, i mbeti emiri Ishëm si sot. Skënderbeut i pëlqeu aq shumë ai vend, sa ngriti dhe Kalanë e tij aty në kodër, aty afër kam shtëpinë unë, Kodër Ishëm quhet.”
Dhe me sa duket aq e forte është lidhja me origjinën e rrënjët sa edhe po të duash t’i lëshosh, s’të lëshojnë ato. Po kur e them këtë, s’duhet marrë në tone nacionaliste, por si fakt i njerëzve që vetë e deklarojnë. Nga të cilët duhet të mësojmë. Aq më shumë ata që tundohen nga prirje e fryma të ndryshme. Siç shohim “e ndryshmja” edhe mund të jetë një pasuri më shumë, por jo edhe përçudnim i vetvetes. Sepse nëse humbet origjinaliteti i rrënjëve del mish mash dhe jo miks pararojë që është i joti, por që e kuptojnë dhe e lexojnë të tërë.
ELENI (ENTELA) FOUREIRA
Dhe në referime mbase më triviale, paralelisht me ekspozitën e Kodrës në Shkup, ndodhte dhe Evrovizioni në Lisbonë. S’kanë lidhje artistike, por i lidh konteksti i këtij shkrimi, origjina dhe rrënjët.
Festivalin evropian të këngës të lehtë (siç e dini) për pak nuk e fitoi Eleni (Entela) Foureira, shqiptarja që jeton në Athinë, por që përfaqësoi Qipron. Eleni kishte fshehur prej kohësh origjinën e saj, i kishte veshur lëkura ekzotike latino-amerikane në fillimet e karrierës. Por, e përshkruar si Beyonce-ja greke, më në fund shpërtheu në lirinë e rrënjëve të saj.
Jetëpërshkrimi që bënte, gjithashtu tregon se çdo përvojë, çdo hap dhe çdo përpjekje ka qenë e lidhur me origjinën e saj, e cila për mirë apo për keq e ka bërë atë që është.
Sërish në kontekste liberale ajo është e lirë të zgjedhë çfarë do identiteti që do, por vetëdeklarimet në mediat botërore se rrënjët e kanë bërë të suksesshme, për shkak të përvojave që ka marrë e bën dhe të pashkëputshme me identitetin parësor. Nuk flas këtu për patetizëm, por thjesht më bënë përshtypje këto histori artistësh që tregojnë se kultura dhe tradita qenka bazë e mirë për ndërveprime universale, dhe në të gjitha rastet origjina ka qenë një element i rëndësishëm.
OMER KALESHI
Mbase këtë sentiment më së miri e përshkruan Omer Kaleshi, një piktor tjetër i madh, legjendë e gjallë, të cilin pata mundësinë ta takoj personalisht. Piktori i lindur në Kërçovë, i cili flet me shqipen karakteristike të zonës nga e cila vjen, thotë se “rrënjët i kam këtu, trungun në Stamboll, kurse mollët i kam bërë në Paris”. Edhe Kaleshi, është lindur, rritur dhe ka thithur nga kultura shqiptare. Flet hapur për ndikimin që ka pasur nëna e tij që ka qenë myslimane e që ka folur maqedonisht dhe babai i tij hoxhë që ka qenë i rrallë që ka predikuar shqip. Por, nuk e fsheh ndikimin që ka pasur shkollimi në Akademinë e Arteve në Stamboll dhe padyshim jeta mbi 50 vjet në Paris.
Edhe Kaleshi tani është prezent më shumë në vendin e origjinës së tij. Aq shumë i frymëzuar prej saj sa prej vitesh në veprat e tij, që dominohet nga koka e njeriut, shpesh vihet re plisi dhe guna. Të njëjtin frymëzim ka edhe sot e kësaj dite.
Dhe në fakt çdo gjë është te koka, ku me sa duket lidhja me rrënjët dhe origjinën mbetet fortë. E cila nuk duhet të jetë peng pa dyshim, por qartë po del si përparësi. Kjo vlen për secilin me gjithë rrënjët që kanë, cilët do qofshin ato. Por të gjitha këto raste vetëm sa më vunë në vëmendje se nga vetvetja s’ka ikje, se njohja dhe pranimi i saj sjell përparësi universale dhe se identitetet që kanë më shumë shtresa, pasuruar me përvoja dhe kultura të tjera, kur baza është e qartë sjell sukses për rrënjët dhe përtej.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)