Në vitin shkollor 1988/89 në RS të Maqedonisë u mbyllën të gjitha paralelet e shkollave të mesme me mësim në gjuhën shqipe dhe në vend të tyre u hapën të ashtuquajtura “paralele të përziera”, në të cilat mësimi zhvillohej në gjuhën maqedonase. Në fakt, një politikë të tillë kundër arsimit në gjuhën shqipe, autoritetet e Shkupit e kishin paraparë shumë më herët, përkatësisht që në vitin 1985, kur u soll Ligji për “Arsimin e mesëm të orientuar”
Nga Qerim LITA
(vijon nga numri i kaluar)
Në vazhdim ata duke u mbështetur në shkrimet e gazetës së atëhershme në gjuhën maqedonase “Nova Makedonija” por edhe nga shkrimet e mjeteve tjera të informimit, kishin qenë të informuar se me aktin e përmendur të Radio Televizionit të Shkupit (Redaksia e emisioneve në gjuhën shqipe), ishte vendosur që në emisionet në gjuhën shqipe, “toponimet në RS të Maqedonisë të shqiptohen vetëm në bazë të rrënjës (indit) leksikore të gjuhës maqedonase”, që kjo praktikisht nënkuptohet “ndalim dhe përjashtim i përdorimit sipas toponimeve tradicionale të gjuhës shqipe dhe një gjë e këtillë bëhet pikërisht aty ku emisionet gojore janë vetëm në gjuhën shqipe”. Sipas tyre, akti kontestues i Radio-Televizionit të Shkupit (Redaksia e emisioneve në gjuhën shqipe), me të cilin shkelen liritë dhe të drejtat kushtetuese që toponimet të shqiptohen dhe të shkruhen në gjuhën e vet amtare “është në kundërshtim flagrant me nenin 170, paragrafi 1 të Kushtetutës së RSFJ-së dhe neni 247 të kësaj Kushtetute”.
Reagime të shumta ndaj këtij vendimi pati edhe nga shoqëria civile shqiptare në Kosovë e Maqedoni, mirëpo udhëheqja komuniste maqedonase nuk e pa të arsyeshme të njëjtin ta tërheqë, përkundrazi, disa institucione, si p.sh. “Prosvetno Dello”, e cila asaj kohe gëzonte të drejtën ekskluzive për botimin e teksteve, përkatësisht të librave shkollor, vazhdoi t’i përdorë toponimet sllave edhe pas viteve nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, që kjo irritonte tej mase opinionin e gjerë shqiptarë në përgjithësi, e mësimdhënësit dhe nxënësit në veçanti.
RRËNIMI I MUREVE
Ndër aktet e vendimet e shumta antishqiptare që udhëheqja komuniste maqedonase i solli gjatë viteve tetëdhjeta të shekullit të kaluar, gjithsesi se duhet veçuar vendimin për rrënimin e mureve të oborreve, me pretekst se pas atyre mureve fshihet “nacionalizmi e separatizmi shqiptar”. Për këtë qëllim nga kuvendet komunale ku shqiptarët përbënin shumicën e popullsisë apo pjesë të konsiderueshme të saj, u kërkua të përgatisin plane të reja urbanistike, me të cilat muret e oborreve nuk mund të ishin më të larta se 120 cm. Përveç rrënimit të mureve me planet e reja urbanistike parashikohej rrënimi edhe i lagjeve të tëra shqiptare, nën pretekst se të njëjtat ishin ndërtuar pa leje, e që pushteti i atëhershëm i njihte si “ndërtime të egra”. Masat e para në këtë drejtim u ndërmorën nga kuvendet komunale të dy komunave të qytetit të Shkupit, komuna Qendër dhe komuna Çair, të cilat në planet e reja urbanistike parashikonin rrënimin e disa lagjeve të pastra shqiptare si p.sh. lagjja e Seravës në komunën Qendër dhe ajo e Dizhonit në komunën Çair. Në qershor të vitit 1988 Kryesia e KQ të LKM-së njoftonte se kuvendet komunale të Tetovës, Kumanovës e Kërçovës, tash më i kishin sjell planet e reja urbanistike, dhe se për momentin veprojnë në “përputhshmërinë e lartësisë së mureve në pjesë të caktuara të vendbanimeve”. Mirëpo, në Informatë thuhet se në raste të caktuara “paraqiten dukuri të reagimeve dhe të rezistencës me këtë aksion”, nga banorët shqiptarë, të cilët nuk e fshihnin pakënaqësinë e tyre ndaj një mase të tillë, e cila ishte e orientuar vetëm kundër tyre, e jo edhe kundër popullsisë maqedonase e të tjerëve. Tërë ajo pakënaqësi e rezistencë, sipas udhëheqjes komuniste maqedonase vinte si “rezultat i ndikimit të nacionalistëve e separatistëve shqiptarë, informimit të pamjaftueshëm të individëve, traditës, sjelljes së gjatë nënçmuese ndaj ligjshmërisë dhe ekskluzivisht sipas gjendshmërisë dhe interesit vetanak, pa marrë parasysh normat e qarta shoqërore e ligjore”.
Ndihmë të madhe në zbatimin e kësaj politike antishqiptare pushteti komunist pati te mjetet e informimit, veçanërisht te ato në gjuhën maqedonase, të cilat ishin nën kontroll të plotë të pushtetit. Këshilli Ekzekutiv i RS të Maqedonisë, në raportin vjetor për vitin 1988, lartësonte angazhimin e jashtëzakonshëm të mjeteve të informimit të kësaj republike jugosllave, për “realizimin e detyrave dhe të qëndrimeve në planin e çrrënjosjes së nacionalizmit e separatizmit shqiptar”, veçanërisht në zbatimin e Rezolutës për politikën e popullsisë në RS të Maqedonisë dhe “në vendimet e kuvendeve komunale për rregullimin e mureve rrethuese të oborreve, në përputhje me planet urbanistike”. Më tej raporti i inkurajonte mjetet e informimit publik në RS të Maqedonisë që edhe më tej t’i përcjellin masat dhe aktivitetit të pushtetit, për siç thuhej “zbardhjen dhe çrrënjosjen e veprimtarisë armiqësore nga pozita e nacionalizmit e separatizmit shqiptar”.
Aksioni për rrënimin e mureve zgjati deri më 18 janar të vitit 1990, kur i njëjti u ndërpre pasi në fshatin Haraçinë të Shkupit, organet e pushtetit maqedonas në mënyrën më mizore dhe të dhunshme ia morën jetën Nuredin Nuredinit, i cili asaj kohe nga shqiptarët dhe jo vetëm, u shpall si dëshmor i parë shqiptar në mbrojtje të pragut të shtëpisë. Vdekjen e dhunshme e mizore të tij nuk e fshehte as Sekretariati i atëhershëm Republikan për Jurisprudencë dhe Administratë, i cili në Informatën sekrete të lëshuar më 30 janar 1990 ndër të tjerave shkruante:
“…Grupi për rrënim nga Sekretariati komunal për urbanizëm dhe çështje banesore pranë KK Gazi Babë dhe persona zyrtar për asistencë nga SPB për Qytetin e Shkupit SP-92 dhe nga SP – V të Gazi Babës rreth orës13,00 arritën në fshatin Haraçinë në rrugën Mareshali Tito nr. 124 me ekskavatorin e punës. Inspektorët dhe personat zyrtar për asistencë u renditën përgjatë rrugës në anën e kundërt të murit të oborrit të shtëpisë së Selverit vëllait të Nuredin Nuredinit, të cilët para rrënimit nuk kanë qenë të njoftuar për ardhjen e as për datën dhe orën e rrënimit…Tre apo katër minuta pasi kishte filluar rrënimi tashmë i ndjeri Nuredin doli nga oborri për të pyetur se përse ia rrënojnë oborrin. Për një moment është ndalur duke parë se si po i rrënohet shtylla e betonit në një distancë prej rreth 1 metër. Gjatë asaj kohe makinisti i ekskavatorit pasi nuk kishte marrë asnjë shenjë apo paralajmërim nga inspektorët sikurse edhe nga personat zyrtar se në afërsi gjendet Nuredin Nuredini, e rrënoi thuajse tërë murin e oborrit, ku një shtyllë e betonit ra mbi trupin e Nuredinit dhe ia mbuloi tërë trupin kështu që vdiq në vend…”.
NDALIMI I EMRAVE SHQIPTARË
Gjatë vitit 1985, me propozim të Këshillit Ekzekutiv, Kuvendi i RS të Maqedonisë solli Ligjin për ndryshim dhe plotësimin e Ligjit për emrin personal të vitit 1972. Me këto ndryshime e plotësime tashti nenit 1 të Ligjit të mëparshëm pas paragrafit 1 iu shtua paragrafi i ri ku thuhej: “Me emrin personal nuk guxon të nxitet urrejtje nacionale apo fetare, apo jotolerancë ose të fyhet morali publik.”. Përveç kësaj ndërhyrje pati edhe në nenin 3 të cilit pas paragrafit 2 iu shtua paragrafi i ri me këtë përmbajtje: “Në librin amzë të lindjes nuk mund të regjistrohet emri personal me të cilin nxitet urrejtja apo jotoleranca nacionale apo fetare apo me të cilin ofendohet morali publik.”, dhe në nenin 8 ku pas paragrafit 1 iu shtua paragrafi i ri ku thuhej: “Ndryshimi i emrit personal, përkatësisht i emrit ose i mbiemrit nuk mund të jepet pëlqim nëse me ndryshimin nxitet urrejtja ose jotoleranca nacionale apo fetare apo ofendohet morali publik”.
Me miratimin e këtij ligji, prindërve shqiptarë u ndalohej t’i emërtojnë fëmijët e tyre me emra që kanë karakter dhe domethënie nacionale shqiptare. Përveç kësaj, u ndërmorën masa ndëshkuese ndaj të gjithë prindërve që fëmijët e tyre mbanin emra burimor shqiptar. Komiteti komunal i Lidhjes komuniste të Tetovës, në mbledhjen e mbajtur më 31 janar 1987, miratoi Konkluzionet për “zbatimin e procesit ideopolitik dhe zhvillimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve ndërnacionale në komunë”, ku në pikën 12 të tyre thuhej shprehimisht:
“Ngarkohen organet kompetente t’i evidentojnë emrat e fëmijëve të porsalindur, që përmes simbolikës së emrit në mënyrë të dukshme shprehen ndjenjat nacionaliste dhe aspiratat për motive e pozita armiqësore”.
I njëjti komitet partiak, në qershor të atij viti hartoi dokumentin me titull “Analizë për lëvizjet dhe situatat në marrëdhëniet ndërnacionale, arsyet dhe shkaqet nga veprimtaria e armikut nga pozita e nacionalizmit e separatizmit shqiptar dhe detyrat e Lidhjes së komunistëve në komunën e Tetovës”, ku ndër të tjerave, si shembull për “manifestimin e nacionalizmit e separatizmit shqiptar”, merret edhe emërtimi i fëmijëve të porsalindur shqiptarë, që gjoja asocuakan “në qytete, male dhe lumenj nga Shqipëria”, por edhe të simboleve dhe heronjve kombëtar shqiptarë si: Tirana, Elbasan, Berat, Valon, Shkodran, Mat, Labinot, Flamur, Shqipe, Shqipkuqe, Shqipdashnor, Martanesh, Kastriot, Kushtrim, Liridon, Arbnesh, Arbnesha, Alban, Albana, etj, që sipas analizës, ato emra “nxisin nacionalizëm e separatizëm”. Lidhur me këtë, udhëheqja komuniste e Tetovës kërkoi nga organet e punëve të brendshme që të bëjnë “identifikimin e prindërve” si dhe të bëjnë vlerësimin e “përgjegjësisë së tyre ideopolitike”. Në mesin e prindërve që kreu komunist tetovar i akuzonte se ishin përcaktuar që fëmijët e tyre t’i pagëzojnë me emra shqiptarë, krahas veprimtarëve të shquar shqiptarë, si punëtor të arsimit, ish të burgosurit politik, gazetarë dhe intelektual të fushave tjera, përmendeshin edhe një numër i konsiderueshëm të personave me përgjegjësi shoqërore-politike. Ngjashëm si udhëheqja komuniste tetovare, vepruan edhe udhëheqësitë tjera lokale si në Shkup, Kumanovë, Gostivar, Kërçovë, Dibër, Strugë dhe në rrethet tjera ku jetonin shqiptarët.
MBYLLJA E SHKOLLAVE SHQIPE DHE DEMONSTRATAT SHQIPTARE NË KUMANOVË E GOSTIVAR
Në përputhje me Konkluzionet e Kuvendit të RS të Maqedonisë, të miratuara më 24 prill 1987, Komiteti Republikan për Arsim dhe Kulturë Fizike, hartoi Programin operativ për masat dhe aktivitetin për realizimin e konkluzioneve në fushën e arsimit, si dhe Programin operativ për zbatimin e konceptit të rij të arsimit të mesëm të orientuar, sipas të cilit, parashiheshin ndryshime rrënjësore si në planet e programet mësimore po ashtu edhe në mënyrën e regjistrimit të nxënësve për vitin shkollor 1988/89. Për rrjedhojë në vitin shkollor 1988/89 në RS të Maqedonisë u mbyllën të gjitha paralelet e shkollave të mesme me mësim në gjuhën shqipe dhe në vend të tyre u hapën të ashtuquajtura “paralele të përziera”, në të cilat mësimi zhvillohej në gjuhën maqedonase. Në fakt, një politikë të tillë kundër arsimit në gjuhën shqipe, autoritetet e Shkupit e kishin paraparë shumë më herët, përkatësisht që në vitin 1985, kur u soll Ligji për “Arsimin e mesëm të orientuar”.
Si shkas për këto masa represive kundër arsimit shqip, sipas Komitetit Republikan për Arsim dhe Kulturë Fizike në RS të Maqedonisë ishte gjoja “rezistenca e nxënësve të kombësisë shqiptare” për mësimin e gjuhës maqedonase, pastaj “niveli i ulët i njohjes së gjuhës maqedonase nga ana e arsimtarëve të kombësisë shqiptare” të cilët kishin diplomuar në Akademinë Pedagogjike në Shkup në grupin për gjuhë shqipe e maqedonase: “mungesa e kuadrit të kualifikuar nga radhët e kombësisë shqiptare për disa lëndë profesionale”ë “shkelja e dispozitave ligjore të RS të Maqedonisë nga ana e disa organeve komunale” të cilat akuzoheshin se në mënyrë ilegale kishin formuar paralele për grupe të caktuara pa kuadër përkatës, etj… Mbyllja e shkollave shqipe, shkaktoi pakënaqësi të madhe tek popullsia shqiptare, e cila u manifestua në demonstrata masive nga ana e nxënësve, prindërve dhe mësimdhënësve shqiptarë, fillimisht në Kumanovë (29 gusht 1988) dhe më pas edhe në Gostivar (4 tetor 1988). Në ato demonstrata u shfaqën parullat: “Duam liri”, “Duam shkollë”, “Na i ktheni profesorët”, “Më mirë në varr se sa rob” etj. Sekretariati Republikan për Punë të Brendshme, më 30 gusht 1988 njoftonte se një ditë më parë (29 gusht) në ora 11:00 para ndërtesës së Komitetit komunal të LKM – Kumanovë, ishin grumbulluar rreth 500-600 qytetarë të kombësisë shqiptare, të cilët kah ora 15:30 marshuan në drejtim të sheshit “Mareshali Tito”, për të vazhduar në rrugët “11 tetori”, “Hristijan Todorovski Karposh”, “Tode Mendoll” dhe ndaluan te “Lagjja e Egër” në periferi të qytetit (lagje shqiptare që sot njihet si Lagjja e Trimave). Sipas njohurive që i posedonte sekretariati në fjalë, demonstratat në Kumanovë ishin organizuar nga punëtorët e arsimit, dhe se të njëjtat ishin “vazhdimësi të aktivitetit të përforcuar armiqësor nga pozita e nacionalizmit e separatizmit shqiptar në territorin e RS të Maqedonisë”.
Ndërkohë, Kryesia e KQ të LKM-së, vlerësonte se demonstratat shqiptare në Kumanovë, kishin ndodhur në një “situatë jashtëzakonisht të ashpërsuar shoqërore-politike” në RSF të Jugosllavisë dhe RS të Maqedonisë, dhe se ato kishin kontribuuar në përkeqësimin e asaj situate, veçanërisht në “ftohjen dhe ashpërsimin” e marrëdhënieve ndërnacionale. Sipas kësaj udhëheqje, organizatorët e këtyre demonstratave – “nacionalistët e separatistët shqiptarë” janë përpjekur të shkaktojnë përçarje dhje urrejtje ndërmjet kombit maqedonas, kombeve dhe kombësive tjera në njërën anë dhe kombësisë shqiptare, në anën tjetër, dhe se për këtë “të shfrytëzohet veçmas gjenerata e re”. Kjo ngjarje, sipas tyre vinte si “rezultat të indoktrinimit shumëvjeçar të gjerë, intensiv dhe permanent” të një pjese të rinisë shqiptare në RS të Maqedonisë, veçanërisht pjesa e cila shkollohet dhe studion në KSA të Kosovës, duke vepruar “nga pozita e nacionalizmit e separatizmit shqiptar”, por edhe shprehje e lidhjes së veprimtarisë së “nacionalizmit e separatizmit shqiptar” në KSA të Kosovës dhe RS të Maqedonisë, me “qendrat e emigracionit armiqësor shqiptar” në botën e jashtme dhe të aktivitetit “nxitës e subversiv” nga RPS të Shqipërisë.
Ndërkohë, edhe raportet dhe informatat policore maqedonase, theksonin se pas këtyre ngjarjeve qëndronin “nacionalistët shqiptarë nga Maqedonia”, të cilët mbajnë lidhje të përhershme me: “grupet dhe organizatat armiqësore në KSA të Kosovës dhe me emigracionin armiqësor shqiptar në botën e jashtme”. Sipas UDB-s maqedonase, aktiviteti “armiqësor” shqiptar ishte orientuar në mjedise të caktuar me qëllim të: “rezistimit kundër masave të organeve shoqërore e shtetërore në zbatimin e ligjit dhe të dispozitave tjera të kuvendeve të bashkësive politiko-shoqërore”, me motivacion për mbrojtjen e të drejtave kushtetuese e ligjore të kombësisë shqiptare. Një qëndrim të ngjashëm patën edhe organet e prokurorisë dhe të jurisprudencës. Në Analizën sekrete nr. 3/89, Prokuroria Publike e RSM-së, në mënyrë të hollësishme i përshkruante demonstratat shqiptare në Kumanovë, ku ndër të tjerave thuhej:
“Në mbarim të muajit gusht të vitit 1988 në Kumanovë janë organizuar demonstrata nacionaliste, ndërsa si shkas është shfrytëzuar regjistrimi i nxënësve në paralelet e përziera në shkollat me mësim të orientuar. Demonstruesit në mënyrë të hapur ju kundërvuan implementimit të ligjit për mësim të orientuar dhe kërkuan që në vend të paraleleve të përziera në klasat e larta me mësim në gjuhën maqedonase, të formohen paralelet etnikisht të pastra shqiptare edhe pse për këtë nuk ekzistojnë as çfarë kushtesh… Në lidhje me këto ngjarje është zbuluar grupi prej 6 personave nga Kumanova, Shkupi dhe nga KSA e Kosovës, për të cilët është vërtetuar se janë nxitësit dhe organizatorët e rezistimeve dhe demonstratave, dhe se kundër këtyre personave është hapur procedurë penale për vepër penale “Nxitje të urrejtjes nacionale, racore e fetare, përçarjes dhe mos-tolerancës sipas nenit 134 nga LP i RSFJ.”.
Më pas Analiza ndalet në demonstratat e organizuara me 4 tetor 1988 në Gostivar, që sipas saj të njëjtat ishin organizuar nga organizata ilegale me emrin “Shoqata e Lirisë”. “…Me 4 tetor të vitit 1988 pjesëtarët e kësaj organizate i kanë organizuar demonstratat në Gostivar. Ata i kanë nxitë nxënësit e shkollës ‘Pançe Popovski’ dhe rininë që të dalin në rrugë në shenjë rezistimi ndaj implementimit të Ligjit për mësimin e orientuar, ndërsa me kërkesë për formimin e paraleleve etnikisht të pastra. Gjatë nxitjes në mënyrë tendencioze e kanë paraqitur se ligji i përmendur i kufizon të drejtat e tyre kushtetuese për shfrytëzimin e gjuhës amtare dhe kanë folur se në Maqedoni kryhet diskriminim ndaj kombësisë shqiptare….”.
Krahas burgosjeve të 14 veprimtarëve të shquar shqiptarë (6 në Kumanovë dhe 8 në Gostivar 4 prej tyre ishin adoleshent) nën akuzën se kishin kryer vepër penale, pati edhe arrestime tjera të cilët me procedurë të shpejtë u dënuan nga gjyqet, duke i akuzuar se të njëjtit kishin kryer vepër për kundërvajtje me ngjyrë politike. Është me rëndësi të vihet në pah fakti se, për dallim nga udhëheqja komuniste maqedonase (përfshi këtu edhe një pjesë të komunistëve shqiptarë), opinioni i gjerë demokratik në federatën e atëhershme jugosllave, veçanërisht ai kroat e slloven, këto manifestime i konsideroi si shprehje e revoltës publike, kundër Shkupit zyrtar, që sipas tyre: “në mënyrë të paskrupullt po i shtypë pjesëtarët e kombësisë shqiptare duke ua kufizuar të drejtat e tyre të garantuara me Kushtetutën e vitit 1974”. (fund)