Policia norvegjeze ka thënë se gruaja e një milioneri norvegjez, e cila është zhdukur para dhjetë javëve, mund të jetë kidnapuar, ndërsa për lirimin e saj po kërkohen nëntë milionë euro. Anne-Elisabeth Falkevik Hagen, e cila është e martuar me një biznesmen të energjisë dhe patundshmërive, është zhdukur më 31 tetor të vitit të kaluar.
Një zyrtar policor ka thënë se të dyshuarit e kanë paraqitur kërkesën për shumën e madhe të të hollave dhe kanë bërë kërcënime serioze në rast se nuk i marrin paratë. “Teoria kryesore në të cilën besojmë është se viktima është rrëmbyer në shtëpinë e saj që ndodhet rreth 20 kilometra larg Oslos”, tha Tommy Broske, zyrtar policor që po merret me hetimin e rastit.
Policia ka thënë se nuk ka marrë dëshmi nga të dyshuarit se e rrëmbyera është e gjallë apo e vdekur. Në këtë fazë të hetimeve nuk është identifukuar ende asnjë i dyshuar. Sipas gazetës ditore “Verdens Gang”, rrëmbyesit po kërkojnë nëntë milionë euro për lirimin e gruas. Hetuesit policorë nuk e kanë konfirmuar këtë shumë, por kanë thënë se e kanë këshilluar familjen të mos ua japë të hollat rrëmbyesve.
Policia ka qenë duke e hetuar këtë rast në mënyrë diskrete për disa javë me radhë, por vendosën ta raportojnë publikisht me shpresë që dikush do të ofrojë informata të dobishme. Sipas të dhënave zyrtare, bashkëshorti i gruas së rrëmbyer është personi i 172-të më i pasur në Norvegji, me një pasuri prej 173 milionë eurosh, shkruan “The Guardian”, transmeton Express.