Rrëmbehen nga persona të armatosur në shkollë, më shumë se 300 vajza nigeriane

25

Më shumë se 300 nxënëse janë rrëmbyer nga persona të armatosur të paidentifikuar nga një shkollë në shtetin veri-perëndimor të Nigerisë, Zamfara.

Oficerët e sigurisë janë dërguar në qytetin Jangebe ku vajzat u rrëmbyen sot herët në mëngjes.

Zyrtarët lokalë kanë konfirmuar sulmin por nuk kanë dhënë më shumë detaje.

Ky është rrëmbimi masiv i fundit në shkolla gjatë javëve të fundit. Bandat e armatosura shpesh i rrëmbejnë nxënësit, për shpërblim.

Të paktën 42 persona, përfshirë 27 studentë, të cilët u rrëmbyen javën e kaluar në Kagara, në shtetin fqinj Niger, ende nuk janë liruar.

Rrëmbimi i vitit 2014 i 276 nxënëseve në qytetin veri-lindor të Chibok nga militantët islamikë Boko Haram solli vëmendjen globale ndaj bastisjes të shkollave në Nigeri, por sulmet më të fundit dyshohet të jenë punë e bandave kriminale.

Sulmi i së premtes ndodhi në 01:00 me kohën lokale (mesnatë GMT) kur një grup i armatosur arriti në Shkollën e Mesme të Vajzave të Qeverisë në qytetin Jangebe me automjete dhe motorë, tha një mësues në faqen e lajmeve Punch.

Disa nga personat e armatosur ishin veshur si forca qeveritare të sigurisë, thuhet në raportimet, duke shtuar se ata detyruan vajzat shkollore në automjete.

Por dëshmitarë të tjerë i kanë thënë BBC se burrat e armatosur arritën në këmbë në shkollë.

Dëshmitari i tha BBC se më shumë se 100 persona të armatosur hynë në shkollë.

“Ata thyen portën e shkollës dhe qëlluan në drejtim të rojeve të sigurisë. Pastaj ata u zhvendosën në konvikte dhe zgjuan vajzat, duke u thënë atyre se ishte koha për lutje. Pasi i mblodhën të gjitha, vajzat po qanin dhe ata i morën me vete. Ata po qëllonin në ajër ndërsa i drejtuan për në pyll,” tha dëshmitari.