Urim HASIPI
Tetovë, 30 maj – Pas një kohe të gjatë do të rregullohet rruga që çon në Çarshinë e Epërme të Tetovës, por edhe pjesa nga ana e Stacionit policor, ku ndodhet edhe SPB-ja dhe burgu, Arkivi i qytetit, ish shkolla e mesme e mjekësisë si dhe shkolla fillore Istikball, shkruan gazeta KOHA. Shumë institucione ndodhen në një hapësirë të vogël, ndërsa qarkullimi i madh i automjeteve dhe këmbësorëve gjithmonë është zhvilluar në mënyrë të paorganizuar, ndërsa ka munguar edhe infrastruktura e mirëfilltë rrugore.
Përderisa janë duke u zhvilluar punimet në ndërtimin e rrugës nuk kanë vazhduar punët për ndërtimin e Urës së Kazazëve që është pjesë e këtij projekti, por që ka ngelur pa u përfunduar. Me javë të tëra në këtë pjesë janë ndërprerë punët për rregullimin e Urës së Kazazëve, por nuk janë duke përfunduar, edhe pse kanë filluar që në fund të vitit të kaluar. Në ndërkohë, ende është i lartë niveli i ujit të Lumit Shkumbin që nuk lejon të vazhdojnë punët normalisht në këtë segment.
“Momentalisht është duke u punuar në rrugën që ndodhet pranë objektit të policisë së Tetovës dhe ku ndodhen edhe institucione tjera. Është duke u punuar paralelisht në këtë pjesë të qytetit të Tetovës, pasi që edhe ura do të ndërtohet. Por, kohëve të fundit tempi e punëve sa i takon urës, është ngadalësuar për shkak të rritjes të nivelit të ujit në Lumin Shkumbin”, thonë nga Komuna e Tetovës, e cila është duke realizuar punët edhe për rrugën por edhe për urën. Megjithëse, për urën tashmë është njoftuar opinion se punët janë duke u zhvilluar me shumë vonesa, nuk ka ende informacione se këtë fat do ta ketë edhe rruga që duhet të lidhet me urën. Por, edhe përskaj kësaj nuk është dhënë ndonjë afat se kur saktësisht do të përfundojnë punët në këtë lagje të Tetovës, e cila ditëve të fundit është përfshirë sërish nga punimet pas një kohe të gjatë, kur dihet se rruga që çonte për tek stacioni policor ka qenë mjaft e dëmtuar dhe e me shumë gropa të mëdha. Qytetarët e kësaj lagje thonë se rruga në këtë pjesë duhej të ndërtohej që moti ndërsa janë shprehur se autoritetet duhet që në kohë t’i përfundojnë punët dhe të mos ketë zvarritje, sepse jepet një pamje e keqe kur nuk kryhen punët. Ata shpresojnë se pas përfundimit të urës dhe ndërtimit të rrugës, do të përmirësohet dukshëm komunikacion në këtë pjesë të Tetovës. Në ndërkohë, në vendin ku duhet të ndërtohet ura mbi lumin Shkumbin, vazhdojnë të hidhen mbeturina edhe pse kontejnerët e mëdhenj janë në atë vend të locuar, megjithatë hidhen të gjitha llojet e mbeturinave si ato të amvisërive por edhe ato të materialeve ndërtimore që e dëmtojnë shumë imazhin e kësaj pjese të Tetovës. (koha.mk)